Lavdet e mëngjesit
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
C si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! .
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” .
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.
Java e madhe – E shtunë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Ty, o Shëlbues i të gjithëve,
me lot himne po të këndojmë,
na i fal, o Zot, na i ndiej,
fajet që po t’i rrëfejmë.
Fuqitë e armikut të vjetër
ti i shuan me kryq të vdekjes,
me shenjë në ballë e mbartim
flamurin tënd të besës.
Gjithnjë ti armikun
ta zbosh prej nesh u denjove,
kurrë të dëmtojë të mos mundet
me gjak tënd të shpërblyer.
Ti, Zot, për ne u denjove
të zbresësh në mbretërinë e ferrit,
që të nënshtruarve të vdekjes
t’u japësh dhuntinë e jetës.
Ti je që në një shenjë kohe
fund do t’i japësh shekullit,
i drejtë pasi shpërblyer
meritat do të vendosësh.
Ty pra, o Krisht, të lutemi,
të shërosh plagët tona!
me Atin e me Shpirtin
n’amshim lavdëruar qofshi. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Do të vajtojnë mbi të, sikur për djalin e vetëm: Zoti i pafajshëm u vra.
Psalmi 64 /63/ (2-11)
Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *
ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,
më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *
prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.
Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †
që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *
për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;
e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *
Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,
shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *
e thonë: “Kush mund t’i shohë?”
Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *
humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!
Por Hyji i shigjetoi ata, *
papritmas i mbuluan plagët.
Gjuha e vet ata i sharroi, *
kush i sheh, i habitur, luan kokën.
Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †
do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *
mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.
I drejti do të gëzohet në Zotin, †
në Të do ta ketë shpresën, *
me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Do të vajtojnë mbi të, sikur për djalin e vetëm: Zoti i pafajshëm u vra.
Ant. 2 Nga pushteti i errësirës liroje, o Zot, shpirtin tim.
Is 38, 10-14. 17-20
Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia †
unë po shkoj në dyert e Nëntokës; *
u luta për tepricën e viteve të mia.
Thashë: S'do ta shoh më Zotin Hyj *
në tokën e të gjallëve,
nuk do të shoh më askënd *
ndër banorët e kësaj bote.
Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje *
porsi tenda e barinjve,
si vektari ma mbështolli jetën, †
e prej shulit po më këput. *
Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!
Përmbys klith deri në mëngjes, *
porsi luani kështu m'i copëton të gjitha eshtrat:
Cicërij si dallëndyshja, *
gjëmoj porsi pëllumbesha;
sytë m'u këputën *
lart duke shikuar!
Ti shpëtove shpirtin tim *
nga gropa e asgjësimit,
sepse i hodhe pas shpinës sate *
të gjitha mëkatet e mia.
Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, *
Vdekja ty lavde s'të këndon;
ata që zbresin në gropë *
nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.
I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron *
siç po bëj edhe unë sot;
babai ua mëson fëmijëve *
besnikërinë tënde.
Më shpëto, o Zot, †
e ne do të të këndojmë me harpë *
në të gjitha ditët e jetës sonë
në Shtëpinë e Zotit.”
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Nga pushteti i errësirës liroje, o Zot, shpirtin tim.
Ant. 3 Isha i vdekur e tani jetoj në shekuj: të miat janë çelësat e vdekjes dhe të ferrit.
Psalmi 150 (1-5)
Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *
madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tij, *
lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!
Lavdërojeni me zë të borisë, *
lavdërojeni me harpë e me citarë,
lavdërojeni me tupan e valle, *
lavdërojeni me korda e me fyej!
Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †
lavdërojeni me cimbale brohorie! *
Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Isha i vdekur e tani jetoj në shekuj: të miat janë çelësat e vdekjes dhe të ferrit.
Leximi i shkurtër Oz 5, 15b - 6, 2
Kështu thotë Zoti: Do të më dëshirojnë në vuajtjet e veta! Ejani të kthehemi te Zoti! Ai na bëri kortarë - kortarë Ai edhe do të na shërojë, na goditi, por edhe do të na shëndoshë. Pas dy ditësh do të na e kthejë jetën, të tretën ditë do të na çojë në këmbë, do të jetojmë në praninë e tij.
Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:
Ant: Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Na shpëto, o Shëlbuesi i botës! Mbi kryq na shëlbove me gjakun tënd: na ndihmo, o Zot, Hyji ynë.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Na shpëto, o Shëlbuesi i botës! Mbi kryq na shëlbove me gjakun tënd: na ndihmo, o Zot, Hyji ynë.
Lutjet e besimtarëve
Jezu Krishti për ne qe munduar dhe varrosur që pastaj të ngjallej. Atij, Shëlbuesit tonë, me përshpirtëri të sinqertë t'i përkulemi dhe përzemërsisht ta lusim:
O Zot, ki mëshirë.
O Krisht Shpëtimtar, ti deshe që Nëna jote e pikëlluar të jetë afër kryqit dhe në varrimin tënd
— bëj që ashtu edhe ne në momentet tona të vuajtjes të jemi pjesëtarë të vuajtjeve të tua.
O Jezu Krisht, ti si fara e hedhur në tokë, ne na linde me frytin e jetës hyjnore
— bëj që duke i vdekur mëkatit, të lindim për Zotin.
Bariu ynë, me varrimin tënd për të gjithë mbete i fshehtë
— na mëso që së bashku me ty ta duam jetën e fshehur në Atin.
Ti si Adam i ri zbrite në mbretërinë e vdekjes që prej andej t'i lirosh të gjithë të drejtët prej errësirës së vdekjes, të robëruar që nga krijimi i botës
— bëj që të gjithë ata që janë në varr të mëkatit dhe të së keqes, ta dëgjojnë zërin tënd dhe të jetojnë.
O Jezu Krisht, Biri i Hyjit të gjallë, t'i deshe që me pagëzim së bashku me ty të jemi të varrosur
— bëj që në përngjasim të ringjalljes sate, të jetojmë me një jetë të re.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që na e jep hirin të kremtojmë misteret e të Njëlindurit Birit tënd, të zbritur prej qiellit në thellësinë e tokës, bëj që, të varrosur me të në pagëzim, të ringjallemi së bashku me të në lavdinë e ringjalljes. Ai që është Zot.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.