Lavdet e mëngjesit
E Diela e Pashkëve - Ngjallja e Zotit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Sot Ftesa thuhet gjithsesi para lutjeve të mëngjesit
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
E Diela e Pashkëve - Ngjallja e Zotit
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Si ari agimi i dritës,
qielli nga lavdet jehon,
bota prej shendit galdon,
ferri ulërin nga grahmat.
Kur mbreti shumë i forti,
i shemb fuqitë vdekjes,
nën këmbë ndrydhi tartarin,
të mjerëve u zgjidhi prangat.
Ai, që me rrasë të mbyllur
rreptësishtë ruhet nga ushtari,
ngadhënjyes me zulmë fisnike,
ngrihet fitues nga varri.
Tashmë u çlirua ferri
prej dhembjesh e rënkimesh,
sepse u ngjall Zoti ynë
plot shkëlqim thërret engjëlli.
Përherë ti rrofsh ndër mendje,
o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
dhe me hir të rilindur
në triumfin tënd bashkona.
Jezus, ty të qoftë lavdia
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
Ant. 1 Krishti i ringjallur e shndriti popullin e vet, të shëlbuar me gjakun e tij, aleluja.
Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuaj etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Krishti i ringjallur e shndriti popullin e vet, të shëlbuar me gjakun e tij, aleluja.
Ant. 2 Shëlbuesi ynë u ngjall së vdekuri: t’i këndojmë himne lavdi Zotit Hyjit tonë, aleluja.
Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Engjëjt e Zotit, bekojeni Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e bora, bekojeni Zotin, *
net e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës. –
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdi Atit.
Ant. 2 Shëlbuesi ynë u ngjall së vdekuri: t’i këndojmë himne lavdi Zotit Hyjit tonë, aleluja.
Ant. 3 Aleluja, Zoti u ringjall, sikurse pat thënë, aleluja.
Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorisin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Aleluja, Zoti u ringjall, sikurse pat thënë, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 10, 40-43
Hyji e ngjalli Jezusin të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t'i predikojmë popullit e t'i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.
Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:
Ant: Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja: të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Të parën ditë mbas të shtunës, në mëngjes, shumë herët, në të lindur të diellit, gratë erdhën te varri, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Të parën ditë mbas të shtunës, në mëngjes, shumë herët, në të lindur të diellit, gratë erdhën te varri, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Hyji e ngriti Krishtin, Krijuesin e jetës, ndërsa me fuqinë e tij do të na ngritë edhe neve. Atij, Shpëtimtarit tonë të ringjallur, t'i drejtohemi:
O Krisht, jeta jonë, na shpëto.
O Jezu Krisht, dritë e shkëlqyeshme që shndritë në terr, Fillestar i jetës dhe Shenjtëruesi ynë
— bëj që këtë ditë të jetojmë në lavdinë tënde.
O Zot, ti kalove nëpër rrugë të vuajtjes dhe të kryqit
— bëj që duke vuajtur dhe duke vdekur me ty, po ashtu së bashku me ty edhe të ngjallemi.
Bir i Atit, mësues dhe vëllai ynë, ti na bëre mbretëri dhe meshtarë të Zotit tonë
— bëj që flinë e falënderimit ta paraqesim me gëzim.
Mbret i lavdisë, e presim ditën e mrekullueshme të lajmërimit tënd të dytë
— që ta shohim fytyrën tënde dhe të bëhemi të ngjashëm me ty.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti në ditën e sotme na e hape derën e jetës së pasosur në saje të fitores së Birit tënd mbi vdekjen, bëj, po të lutemi, që ne, të cilët po e kremtojmë ngjalljen e Krishtit, të na përtërijë Shpirti Shenjt, e të ngjallemi bashkë me Krishtin në dritën e jetës së pasosur. Nëpër Zotin.
Para se të lirohet asambleja thuhet:
Shkoni në paqe, aleluja, aleluja.
C Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.