Lavdet e mëngjesit

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E mërkurë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MËRKURË

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Si ari agimi i dritës,

   qielli nga lavdet jehon,

   bota prej shendit galdon,

   ferri ulërin nga grahmat.

 

   Kur mbreti shumë i forti,

   i shemb fuqitë vdekjes,

   nën këmbë ndrydhi tartarin,

   të mjerëve u zgjidhi prangat.

 

   Ai, që me rrasë të mbyllur

   rreptësishtë ruhet nga ushtari,

   ngadhënjyes me zulmë fisnike,

   ngrihet fitues nga varri.

 

   Tashmë u çlirua ferri

   prej dhembjesh e rënkimesh,

   sepse u ngjall Zoti ynë

   plot shkëlqim thërret engjëlli.

 

   Përherë ti rrofsh ndër mendje,

   o Krisht, gëzimi i Pashkëve,

   dhe me hir të rilindur

   në triumfin tënd bashkona.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

Ant. 1 Krishti i ringjallur e shndriti popullin e vet, të shëlbuar me gjakun e tij, aleluja.

 

   Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin

 

   Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuaj etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).

 

O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *

   Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron mishi im, *

   si toka e shkretë, e thatë, e paujë,

 

kështu erdha në Shenjtëroren tënde *

   për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *

   buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Kështu do të të bekoj në jetën time *

   e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *

   me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

 

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *

   në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime, *

   prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

 

Shpirti im u mbështet në ty, *

   e djathta jote më merr për dore.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Krishti i ringjallur e shndriti popullin e vet, të shëlbuar me gjakun e tij, aleluja.

 

Ant. 2 Shëlbuesi ynë u ngjall së vdekuri: t’i këndojmë himne lavdi Zotit Hyjit tonë, aleluja.

 

   Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin

 

   Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).

 

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *

   lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

Engjëjt e Zotit, bekojeni Zotin, *

   bekojeni, o qiej, Zotin.

 

Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *

   të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.

Diell e hënë, bekojeni Zotin, *

   yjet e qiellit, bekojeni Zotin.

 

Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *

   të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.

Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *

   acar e vapë, bekojeni Zotin.

 

Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *

   akull e cegëm, bekojeni Zotin.

Breshra e bora, bekojeni Zotin, *

   net e ditë, bekojeni Zotin.

 

Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *

   vetëtima e re, bekojeni Zotin.

Toka e bekoftë Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *

   bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.

Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *

   bekojeni, burime, Zotin.

 

Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,

   bekojeni Zotin, *

   të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.

Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *

   bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.

 

Bekoje, o Izrael, Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *

   shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.

 

Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *

   shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.

Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *

   lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *

   ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj

I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *

   i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

 

   Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdi Atit.

 

Ant. 2 Shëlbuesi ynë u ngjall së vdekuri: t’i këndojmë himne lavdi Zotit Hyjit tonë, aleluja.

 

Ant. 3 Aleluja, Zoti u ringjall, sikurse pat thënë, aleluja.

 

   Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit

 

   Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).

 

Këndoni Zotit një këngë të re, *

   këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!

Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *

   bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!

 

Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *

   le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,

sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *

   të përvujtët i nderon me shëlbim.

 

Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *

   le të brohorisin nga shtrojat e veta!

E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *

   e shpatën dytehëshe në dorë!

 

Për të marrë shpagim mbi paganë, *

   për t’u dhënë popujve ndëshkim,

për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *

   princat e tyre në zinxhirë të hekurt,

 

për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *

   - ky është nder për të gjithë besnikët e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Aleluja, Zoti u ringjall, sikurse pat thënë, aleluja.

 

   Leximi i shkurtër Rom 6, 8-11

 

   Në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbani veten [se jeni] të vdekur për nga mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

 

   Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:

 

   Ant: Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja: të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Që nga Moisiu e të gjithë profetët, Jezusi u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të, aleluja.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Që nga Moisiu e të gjithë profetët, Jezusi u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Jezu Krishti u dorëzua për shkak të fajeve tona dhe u ngjall për të na arsyetuar. Atij, Shpëtimtarit tonë, t'i brohorasim me lutje:

 

   O Zot, na shpëto me fitoren tënde.

 

O Krisht Shpëtimtar, ti na gëzove me fitoren tënde mbi vdekjen, na lartësove me ngjalljen tënde dhe na mbushe me dhuratat e tua,

nxiti zemrat tona dhe shenjtëroje këtë ditë me dhuratën e Shpirtit Shenjt.

Ty engjëjt të lavdërojnë në qiell, ndërsa në tokë njerëzit të përkulen; edhe ne në këtë kohë të pashkëve të lutemi

që ta pranosh adhurimin tonë në shpirt dhe në të vërtetë.

O Zot Jezu Krisht, na shpëto dhe na e trego mëshirën tënde në popullin tënd i cili e pret ngjalljen tënde

ki mëshirë dhe na ruaj sot nga çdo e keqe.

Mbret i lavdisë, jeta jonë, kur të lajmërohesh prapë

bëj që atëherë edhe ne të lajmërohemi së bashku me ty në lavdi.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti bën që vit për vit ta kremtojmë ngjalljen e Krishtit, bëj që me anën e këtyre festave të përkohshme t’i arrijmë gëzimet që s’kanë mbarim. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.