Lavdet e mëngjesit
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E enjte
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MËRKURË
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Si ari agimi i dritës,
qielli nga lavdet jehon,
bota prej shendit galdon,
ferri ulërin nga grahmat.
Kur mbreti shumë i forti,
i shemb fuqitë vdekjes,
nën këmbë ndrydhi tartarin,
të mjerëve u zgjidhi prangat.
Ai, që me rrasë të mbyllur
rreptësishtë ruhet nga ushtari,
ngadhënjyes me zulmë fisnike,
ngrihet fitues nga varri.
Tashmë u çlirua ferri
prej dhembjesh e rënkimesh,
sepse u ngjall Zoti ynë
plot shkëlqim thërret engjëlli.
Përherë ti rrofsh ndër mendje,
o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
dhe me hir të rilindur
në triumfin tënd bashkona.
Jezus, ty të qoftë lavdia
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
Ant. 1 Krishti i ringjallur e shndriti popullin e vet, të shëlbuar me gjakun e tij, aleluja.
Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuaj etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Krishti i ringjallur e shndriti popullin e vet, të shëlbuar me gjakun e tij, aleluja.
Ant. 2 Shëlbuesi ynë u ngjall së vdekuri: t’i këndojmë himne lavdi Zotit Hyjit tonë, aleluja.
Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdërojeni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Engjëjt e Zotit, bekojeni Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e bora, bekojeni Zotin, *
net e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës. –
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdi Atit.
Ant. 2 Shëlbuesi ynë u ngjall së vdekuri: t’i këndojmë himne lavdi Zotit Hyjit tonë, aleluja.
Ant. 3 Aleluja, Zoti u ringjall, sikurse pat thënë, aleluja.
Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorisin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorisin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Aleluja, Zoti u ringjall, sikurse pat thënë, aleluja.
Leximi i shkurtër Rom 8, 10-11
Nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.
Në vend të përgjigjes së shkurtër thuhet:
Ant: Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja: të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Jezusi zuri vend në midis të nxënësve të tij dhe tha: Paqja me ju, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Jezusi zuri vend në midis të nxënësve të tij dhe tha: Paqja me ju, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
T'i japim nderin Krishtit i cili u ngjall dhe gjithnjë është i pranishëm në Kishën e vet dhe t'ia drejtojmë lutjen:
Rri me ne, o Zot.
O Zot Jezus, fitimtar i lavdishëm mbi mëkatin dhe vdekjen
— rri në mesin tonë ti, i cili jeton në shekuj të shekujve.
Eja te ne me fuqinë tënde të pamposhtur
— dhe mirësinë Hyjnore tregojua zemrave tona.
Ndihmoju atyre që vuajnë nga padrejtësia
— ti i cili mund ti rilindësh të gjithë njerëzit dhe t'i pajtosh me Zotin.
Na e forco besimin në fitimin përfundimtar
— dhe na forco në shpresën e ardhjes sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti që bashkove kaq shumë popuj të ndryshëm në të njëjtën fe për të lavdëruar emrin tënd: bëj që të gjithë të pagëzuarit të kenë të njëjtin besim e në veprimtari të kenë për parim dashurinë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.