Lavdet e mëngjesit
JAva e dytë e Pashkëve - E premte
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E PREMTE
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kori i Jerusalemit të ri
himnin e ëmbël të këndojë,
e me gëzime të urta
festën e Pashkëve të kremtojë.
Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
kundër të mposhturit dragua,
kur lëshon zë të fuqishëm,
shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
Prenë që kish ngrënë i prapi
e kthen përsëri tartari;
liruar nga robëria,
turmat prapa Krishtit venë.
Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
dhe i denjë në tërë hapësirën,
e atdheun, qiellin e tokën
i shndërron në një shtet të vetëm.
Me këngë t’i lutemi atij
si ushtarë që i këndojnë mbretit,
që ai të na vendosë
në pallat të vet tërë dritë.
Të jetë gjithherë për mendjet,
o Krisht, gëzimi i Pashkës,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në fitoret e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Guxim, o bir, mëkatet e tua të janë falur, aleluja.
Psalmi 51 /50/ (3-21) Ki mëshirë për mua, o Zot
Përtërihuni me shpirtin e mendjes tuaj dhe të visheni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
dhe i paanshëm në dënimin tënd.
Ja, mëkatar unë leva, *
madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate, *
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia, *
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
atëherë do të mund të kushtohen
mëzetër mbi altarin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Guxim, o bir, mëkatet e tua të janë falur, aleluja.
Ant. 2 Ti, o Hyj, ishe përkrah Krishtit tënd, për ta shpëtuar popullin tënd, aleluja.
Kënga Hab 3, 2-4. 13a. 15-19
Hyji shfaqet për gjyq
Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 27. 28).
Dëgjova, o Zot ç'thuhet për ty, *
tmerr, o Zot, më shtjen vepra jote!
Përsërite në ditët tona, *
në ditët tona qite në pah!
Kur të zemërohesh, *
mos harro i mëshirshëm të jesh!
Prej Temanit do të vijë Hyji, *
Shenjti prej malit Paran.
Madhëria e tij e mbulon qiellin, *
plot është toka me Lavdinë e tij!
Shkëlqimi i tij është porsi drita, †
qesin rreze duart e tija: *
aty fshihet fuqia e tij!
Dole popullin tënd të shpëtosh, *
ta shpëtosh të shuguruarin tënd.
Kuajve të tu nëpër det ua hape udhën *
nëpër baltë të ujërave të mëdha.
Dëgjova e m'u dridh zemra, *
në atë zë m'u drodhën buzët.
Kalbësira në eshtra më përshkohet, *
për nën mua më dridhen këmbët.
Do të pushoj kur dita e zezë *
t'i vijë popullit që më pushton!
Fiku më nuk do të lulëzojë, †
fryt në hardhi më nuk do të ketë, *
nuk do të japë fruta ulliri,
nuk do të japin ushqim arat, †
zbrazët do të mbesë vatha pa dhen, *
në katua gjedhi nuk do të pëllasë!
Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë, *
do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!
Zoti Hyj është forca ime, †
do të m'i bëjë këmbët si të kaprollit *
e do të më çojë në malet e larta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti, o Hyj, ishe përkrah Krishtit tënd, për ta shpëtuar popullin tënd, aleluja.
Ant. 3 Qytet i Hyjit, lavdëroje Zotin tënd, atë që të jep paqen, aleluja.
Psalmi 147 (1-9)
Jerusalemi i përtërirë
Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Gruan e Qengjit (Zb 21, 9).
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
† Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *
i bekoi bijtë e tu në ty!
Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
E hedh borën porsi lesh, *
e derdh brymën porsi hi.
E lëshon breshrin porsi kafshatë, *
kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?
E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *
çon erën e vet e ujërat rrjedhin.
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qytet i Hyjit, lavdëroje Zotin tënd, atë që të jep paqen, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 13, 34-35
Hyji e ngjalli Jezusin prej të vdekurve dhe kurrë më nuk do të kalbet. Ka thënë me këto fjalë: 'Juve do t'jua plotësoj premtimet e sigurta dhënë Davidit.' Për këtë arsye edhe thotë në një vend tjetër: 'Ti s'do ta lësh Shenjtin tënd të kalbet.'
Përgjigjja e shkurtër
C U ringjall, e braktisi varrin, * aleluja, aleluja.
U ringjall, e braktisi varrin, aleluja, aleluja.
D Zoti i kryqëzuar për ne.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
U ringjall, e braktisi varrin, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Jezusi mori bukën, u falënderua dhe ua dha të gjithë të pranishmëve, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Jezusi mori bukën, u falënderua dhe ua dha të gjithë të pranishmëve, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Hyji Atë, që e ngjalli Birin e vet Jezu Krishtin, do t'u japë jetë edhe trupave tanë të vdekshëm me anë të Shpirtit Shenjt, i cili banon në ne. Me fe të gjallë të themi:
O Zot, na e jep jetën e re në Shpirtin tënd.
Atë i shenjtë, ti që e lavdërove Birin tënd të flijuar në kryq
— prano flinë tonë të përvuajtur dhe na drejto në jetën e amshuar.
Shiko me dashuri zejtarët, bujqit dhe punëtorët
— bekoje mundin e tyre me anë të dritës së fesë.
Bëj që puna t'i japë lavdi Emrit tënd
— dhe të shërbejë për ndërtimin e mbretërisë sate.
Na i hap sytë dhe zemrën për të parë nevojat e vëllezërve
— bëj që të mësohemi ta duam dhe t'i ndihmojmë njëri-tjetrit sinqerisht.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm, ti deshe që Biri yt t’i pësonte për ne mundimet e kryqit për të na çliruar nga pushteti i djallit: bëj, po të lutemi, ta fitojmë hirin e ngjalljes. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.