Lavdet e mëngjesit
JAva e dytë e Pashkëve - E shtunë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E SHTUNË
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kori i Jerusalemit të ri
himnin e ëmbël të këndojë,
e me gëzime të urta
festën e Pashkëve të kremtojë.
Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
kundër të mposhturit dragua,
kur lëshon zë të fuqishëm,
shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
Prenë që kish ngrënë i prapi
e kthen përsëri tartari;
liruar nga robëria,
turmat prapa Krishtit venë.
Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
dhe i denjë në tërë hapësirën,
e atdheun, qiellin e tokën
i shndërron në një shtet të vetëm.
Me këngë t’i lutemi atij
si ushtarë që i këndojnë mbretit,
që ai të na vendosë
në pallat të vet tërë dritë.
Të jetë gjithherë për mendjet,
o Krisht, gëzimi i Pashkës,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në fitoret e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Më gëzojnë, o Zot, veprat e duarve të tua, aleluja.
Psalmi 92 /91/ (2-16)
Lavdi Hyjit krijues
Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s'mund të bëni asgjë (Gjn 15, 5).
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
e gjatë natës besnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
me këngë përcjellë me cetër.
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
kënaqem për veprat e duarve të tua.
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
më shugurove me më të pastrin vaj.
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
I drejti lulëzon si palma, *
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
Japin fruta edhe në pleqëri, *
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Më gëzojnë, o Zot, veprat e duarve të tua, aleluja.
Ant. 2 Jam unë që e jap vdekjen dhe jetën; unë godas e unë shëroj, aleluja.
Kënga Lp 32, 1-12
Mirësitë e Hyjit për popullin e tij
Sa herë desha t'i bashkoj fëmijët e tu sikurse klloçka i bashkon zogjtë e vet nën krahë (Mt 23, 37).
Dëgjo, qiell, se dua të flas, *
dëgjo, tokë, fjalët e gojës sime!
Mësimi im le të rrjedhë si shiu, *
si vesa t'më rigojë biseda:
si pikërrina përmbi bar, *
si shtrëngata mbi livadh!
T' Zotit Emrin do t'lëvdoj: *
lartësoni Hyjin tonë!
I qetë është Ai, n'vepra i përsosur, *
udhët e tij janë drejtësi:
Hyj besnik, pa asnjë t'keqe, *
krejt i drejtë e i patëmetë.
Kundër Tij mëkatuan t'poshtrit, *
bami i mbrapshtë e plot marrëzirë.
A kështu po ia kthen Zotit, *
komb i marrë e i pakripë?
A s'është Ai, vallë, baba yt, *
që të dha jetë e n'jetë të mban?
Të t'bien në mend kohërat e lashta, *
të t'bien në mend breznitë e shkuara!
Pyete t'atë e do të t' tregojë, *
t'parët e tu e do të t'kallëzojnë!
Kur Zoti popujt i ndau, *
kur i ndau bijtë e Adamit:
kufijtë popujve ua caktoi *
sipas numrit t' izraelitëve:
pronë e Zotit u bë populli i tij, *
pjesë për vete mor Zoti Jakobin.
Gjetur e kish në një vend t'shkretë, *
n'vend tmerrimi, ulërimi bishash.
E rrethoi, e përkujdesi, *
e ruajti si beben e syrit.
Si shqiponja që bën gjira *
kur do zogjtë t'i mësojë t'fluturojnë,
mbi ta i hap e i palos krahët: *
ashtu e mori Izraelin,
e mbarti mbi flatrat e veta.
Zoti vetëm e udhëhoqi, *
tjetër zot nuk qe me Të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Jam unë që e jap vdekjen dhe jetën; unë godas e unë shëroj, aleluja.
Ant. 3 Një kurorë lavdie të shkëlqyeshme i ke dhënë Krishtit tënd, aleluja.
Psalmi 8 (2-10) Madhëria e Zotit dhe dinjiteti i njeriut
Çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës (Ef 1, 22).
O Zot, Zoti ynë, †
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *
† Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †
lavdinë e bëre gati kundër armiqve *
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *
hënën e yjet që ti i vendose,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
delet e kafshët të gjitha, *
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
O Zot, Zoti ynë, *
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Një kurorë lavdie të shkëlqyeshme i ke dhënë Krishtit tënd, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 17, 30b-31
Hyji tani urdhëron: le të kthehen të gjithë njerëzit e çdo vendi, sepse Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën me anë të një Njeriu, të cilin e caktoi për këtë gjë dhe e përforcoi para të gjithëve duke e ngjallur nga të vdekurit.
Përgjigjja e shkurtër
C Le t’i brohorasë Zotit toka mbarë, * aleluja, aleluja.
Le t’i brohorasë Zotit toka mbarë, aleluja, aleluja.
D E shpëtoi jetën tonë.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Le t’i brohorasë Zotit toka mbarë, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Paqja me ju, u tha i ringjalluri: Unë jam, mos kini frikë, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Paqja me ju, u tha i ringjalluri: Unë jam, mos kini frikë, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Të bashkuar në lutjen e lavdit ta thërrasim Krishtin, i cili na zbuloi jetën e amshuar:
Ngjallja jote na mbushtë me hir, o Zot.
Bari i amshueshëm, shikoje popullin tënd që zgjohet nga gjumi
— ngije me fjalën tënde dhe me bukën e jetës.
Mos lejo që grigja jote të shpërndahet nga ujqit dhe rrogëtarët
— bëj që të ecë rrugës së sigurt drejt shëlbimit tënd.
Ti që bashkëpunon gjithmonë me predikuesit e ungjillit tënd dhe i vulosë me karizmat e tua
— bëj që secili prej nesh sot ta kumtojë të ngjallurit tënd me anë të jetës.
Të jesh sot gëzimi ynë të cilin askush s'mund ta heqë
— na liro nga pikëllimi i mëkatit dhe ngjalle në ne dëshirën e flaktë për jetën e pasosur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti e dërgove Birin tënd për të na shëlbuar e për të na bërë bijtë e tu në shpirt, shikoi me mirësi bijtë e bijat e tua që besojnë në Krishtin: na e jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.