Lavdet e mëngjesit
Java e tretë e Pashkëve – E Hënë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e tretë e Pashkëve – E Hënë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e tretë e Pashkëve – E Hënë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kori i Jerusalemit të ri
himnin e ëmbël të këndojë,
e me gëzime të urta
festën e Pashkëve të kremtojë.
Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
kundër të mposhturit dragua,
kur lëshon zë të fuqishëm,
shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
Prenë që kish ngrënë i prapi
e kthen përsëri tartari;
liruar nga robëria,
turmat prapa Krishtit venë.
Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
dhe i denjë në tërë hapësirën,
e atdheun, qiellin e tokën
i shndërron në një shtet të vetëm.
Me këngë t’i lutemi atij
si ushtarë që i këndojnë mbretit,
që ai të na vendosë
në pallat të vet tërë dritë.
Të jetë gjithherë për mendjet,
o Krisht, gëzimi i Pashkës,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në fitoret e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Zemra ime dhe trupi im brohorasin në Hyjin e gjallë, aleluja.
Psalmi 84 /83/ (2-13)
Dëshira për tempullin e Zotit
Nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin (Heb 13, 14).
Sa të dashura janë banesat e tua, *
o Zoti i Rruzullimit!
Shpirti im shkrihet e meket *
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im *
i brohoritin Hyjit të gjallë.
Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë altarët e tu, o Zoti i ushtrive, *
Mbreti im e Hyji im!
Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *
do të të lavdërojnë për amshim.
Lum ai që në ty gjen forcën *
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.
Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †
e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *
sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.
Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *
derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.
O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *
më vështro, o Hyji i Jakobit.
Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!
Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.
Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *
ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat *
atyre që jetojnë të pafajshëm.
O Zot Sabaot, *
lum njeriu që shpreson në ty!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zemra ime dhe trupi im brohorasin në Hyjin e gjallë, aleluja.
Ant. 2 Në lartësi, mbi male, është shtëpia e Zotit: tek ajo do të drejtohen të gjitha kombet, aleluja.
Kënga Is 2, 2-5
Qyteti i ri i Hyjit, qendra e mbarë njerëzimit
Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë para Teje (Zb 15, 4).
Do të ndodhë në kohën e ardhshme: †
mali i Shtëpisë së Zotit *
do të vendoset mbi majën e maleve,
e do të ngallitë përmbi kreshta *
dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.
Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë: †
»Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, *
në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit
që të na i mësojë udhët e tija *
e të ecim shtigjeve të tija,«
sepse nga Sioni do të dalë Ligji *
dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.
Ai do të jetë gjykatësi i popujve *
dhe do t'i gjykojë fiset e shumta,
shpatat e veta do t'i kthejnë në plorë *
e heshtat në drapërinj.
Një popull nuk do të ngritë shpatën
kundër një populli tjetër *
dhe më s'do të ushtrohen për luftë.
Eja, o shtëpia e Jakobit, *
të ecim në dritën e Zotit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Në lartësi, mbi male, është shtëpia e Zotit: tek ajo do të drejtohen të gjitha kombet, aleluja.
Ant. 3 Thoni në mes të popujve: Zoti mbretëron, aleluja.
Psalmi 96 /95/ (1-13) Zoti mbret dhe gjykatës i gjithësisë
Këndonin një këngë të re para fronit të qengjit (Krh. Zb 14, 3).
Këndoni Zotit një këngë të re! *
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
Sepse i madh është Zoti,
- tejet i denjë për t’u lavdëruar, *
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
Para tij është shkëlqimi e lavdia, *
në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!
Jepni Zotit, familjet e popujve, †
jepni Zotit nder e fuqi, *
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tija, *
adhuroni Zotin në stoli të shenjtë! –
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *
Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *
i gjykon popujt me drejtësi.
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †
para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *
sepse po vjen për të gjykuar tokën!
Do ta gjykojë botën me drejtësi, *
do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Thoni në mes të popujve: Zoti mbretëron, aleluja.
Leximi i shkurtër Rom 10, 8b-10
'Afër e ke fjalën, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.' d.m.th. fjalën e fesë që ne predikojmë. Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë.
Përgjigjja e shkurtër
C Krishti u ngrit prej thellësisë së tokës, * aleluja, aleluja.
Krishti u ngrit prej thellësisë së tokës, aleluja, aleluja.
D Ai e provoi vuajtjen dhe vdekjen. Aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Krishti u ngrit prej thellësisë së tokës, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Lavdi dhe nder për Krishtin, të cilin Ati e bëri trashëgimtar të të gjithë popujve. Para tij le të ngrihet lutja jonë:
Na shpëto, o Zot, me të ngjallurit tënd.
O Krisht që fitove mbi ferr dhe e shkatërrove mëkatin
— na dhuro sot e përgjithmonë fitoren mbi të keqen.
Ti që na lirove nga zotërimi i vdekjes
— lejo që të shijojmë përvojën e jetës së re.
Ti bëre që të kalojmë nga skllavëria e mëkatit në liri të të bijve të Hyjit
— jepja paqen tënde të gjithë atyre që sot do t'i takojmë në udhët tona.
Ti që e përvujtërove krenarinë dhe fuqinë e salvuesve të tu
— mbroji të varfrit, liroji të përndjekurit, falja të gjithë njerëzve gëzimin e të ngjallurit tënd.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës atyre që e kanë humbur udhën që të mund ta marrin përsëri rrugën e drejtë, bëj që të krishterët të flakin çka i kundërshton këtij emri e të ndjekin çfarë i ka hije. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.