Lavdet e mëngjesit
Java e tretë e Pashkëve – E Diel
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e tretë e Pashkëve – E Diel
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Si ari agimi i dritës,
qielli nga lavdet jehon,
bota prej shendit galdon,
ferri ulërin nga grahmat.
Kur mbreti shumë i forti,
i shemb fuqitë vdekjes,
nën këmbë ndrydhi tartarin,
të mjerëve u zgjidhi prangat.
Ai, që me rrasë të mbyllur
rreptësisht ruhet nga ushtari,
ngadhënjyes me zulmë fisnike,
ngrihet fitues nga varri.
Tashmë u çlirua ferri
prej dhembjesh e rënkimesh,
sepse u ngjall Zoti ynë
plot shkëlqim thërret engjëlli.
Përherë ti rrofsh ndër mendje,
o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
dhe me hir të rilindur
në triumfin tënd bashkona.
Jezus, ty të qoftë lavdia
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri, aleluja. †
Psalmi 93 /92/ (1-5)
Madhërimi i pushtetit të Zotit
Mbretëron Zoti, Hyji [ynë], i Gjithëpushtetshmi! Le të galdojmë e të brohorisim dhe t'i japim lavdi Atij (Zb 19, 6. 7).
Hyji mbretëron! U vesh me madhëri! *
† Zoti u vesh, me fuqi u ngjesh.
Të palëkundshme e bëri botën: *
assesi s’do të trandet!
I patundshëm është froni yt qysh prej fillimit, *
ti je i amshueshëm!
Lumenjtë e ngritën, o Zot, †
lumenjtë e ngritën zërin e vet, *
lumenjtë e ngritën ushtimën e vet shurdhuese!
Më i fortë se ushtima e ujërave të mëdha, †
më i përfrigueshëm se deti i tërbuar: *
i madhërueshëm është Zoti në lartësi!
Dëshmitë e tua janë plotësisht të besueshme, †
shenjtëria i përket Shtëpisë sate *
përgjithmonë e jetë, o Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Hyji mbretëron! U vesh me madhëri, aleluja.
Ant. 2 Çdo krijesë do të lirohet, në lavdinë e bijve të Zotit, aleluja.
Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Engjëjt e Zotit, bekojeni Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e bora, bekojeni Zotin, *
net e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Çdo krijesë do të lirohet, në lavdinë e bijve të Zotit, aleluja.
Ant. 3 Lavdërojeni emrin e Zotit Madhëria e tij tejkalon qiellin e tokën, aleluja.
Psalmi 148 (1-14)
Lavdërimi i Hyjit, Zot dhe Krijues
Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve! (Zb 5, 13).
Lavdëroni Zotin prej qiellit, *
lavdërojeni Atë në lartësi!
Lavdërojeni, të gjithë engjëjt e tij, *
lavdërojeni, të gjitha ushtritë e tija!
Lavdërojeni, diell e hënë, *
lavdërojeni, të gjitha yjet ndriçuese!
Lavdërojeni, qiejt e qiejve, *
edhe ju, o ujëra, që jeni mbi qiell!
Le ta lavdërojnë Emrin e Zotit, *
sepse ai urdhëroi e ato u bënë;
i vendosi ato për jetë të jetës *
sipas ligjit që nuk njeh ndryshim.
Lavdëroni Zotin, ju që jeni mbi tokë, *
përbindësha të detit dhe të gjitha humnerat,
ti, o zjarr e breshër, borë e mjegull, *
ti, o erë e stuhishme, që kryen urdhrin e tij!
Male e kodra të gjitha, *
lëndë frutore e të gjithë cedrat;
egërsira e të gjitha bagëtitë, *
zvarranikë e ju, o shpendë me flatra!
Ju, o mbretërit e dheut e popuj të gjithë,
princa e të gjithë gjykatësit e dheut!
Djelmosha e vajza, pleq e foshnja: *
le ta lavdërojnë Emrin e Zotit,
sepse i madhërueshëm është veç Emri i tij! †
Madhëria e tij tejkalon qiell e dhe, *
Ai e ngre fuqinë e popullit të vet,
mburrje për të gjithë të drejtët e vet, *
për bijtë e Izraelit - popull i afërm i tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni emrin e Zotit Madhëria e tij tejkalon qiellin e tokën, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 10, 40-43
Hyji e ngjalli Jezusin të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë ‑ jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar ‑ neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurve. Ai edhe na urdhëroi t'i predikojmë popullit e t'i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.
Përgjigjja e shkurtër
C Nxënësit e panë Zotin, * aleluja, aleluja.
Nxënësit e panë Zotin, aleluja, aleluja.
D Dhe u mbushën me gëzim.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Nxënësit e panë Zotin, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Viti A:
Ant. Krishti iu desh të pësojë dhe të ngjallej të tretën ditë, aleluja.
Viti B:
Ant. Jezusi zuri vend midis nxënësve të tij dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.
Viti C:
Ant. Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë Jezusin: Kush je ti? Sepse e dinin mirë se ishte Zotëria, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Viti A:
Ant. Krishti iu desh të pësojë dhe të ngjallej të tretën ditë, aleluja.
Viti B:
Ant. Jezusi zuri vend midis nxënësve të tij dhe u tha: Paqja me ju, aleluja.
Viti C:
Ant. Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë Jezusin: Kush je ti? Sepse e dinin mirë se ishte Zotëria, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Krishtin, burimin e jetës, e ringjalli Ati i cili do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Shpirtit të vet. Të bashkuar me gëzimin e pashkëve të brohorasim:
O Krisht, jeta jonë, na shpëto.
O Krisht, dritë e shkëlqyeshme që shkëlqen në errësirë, fillim dhe burim i jetës së re
— shndërroje këtë ditë në një dhuratë gëzimi të Pashkëve.
O Zot, që kalove rrugën e vuajtjes dhe të kryqit
— bëj që të jemi pjesëtarë të vdekjes sate shëlbimprurëse për të ndarë lavdinë e të ngjallurit tënd.
Bir i Hyjit, mësues dhe vëllai ynë që bëre nga ne një fis të zgjedhur, meshtarí mbretërore
— na mëso që ta paraqesim me gëzim flinë e lavdit.
Mbret i lavdisë, presim ditën e shkëlqyeshme të paraqitjes sate
— kur do ta shohim fytyrën tënde dhe të bëhemi të ngjashëm me ty.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.