Lavdet e mëngjesit
Java e tretë e Pashkëve – E Mërkurë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e tretë e Pashkëve – E Mërkurë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kori i Jerusalemit të ri
himnin e ëmbël të këndojë,
e me gëzime të urta
festën e Pashkëve të kremtojë.
Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
kundër të mposhturit dragua,
kur lëshon zë të fuqishëm,
shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
Prenë që kish ngrënë i prapi
e kthen përsëri tartari;
liruar nga robëria,
turmat prapa Krishtit venë.
Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
dhe i denjë në tërë hapësirën,
e atdheun, qiellin e tokën
i shndërron në një shtet të vetëm.
Me këngë t’i lutemi atij
si ushtarë që i këndojnë mbretit,
që ai të na vendosë
në pallat të vet tërë dritë.
Të jetë gjithherë për mendjet,
o Krisht, gëzimi i Pashkës,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në fitoret e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Mbarë kombet do të vijnë dhe do ta adhurojnë emrin tënd, o Zot, aleluja.
Psalmi 86 /85/ (1-17) Urata në vështirësi
Qoftë bekuar Hyji që jep çdo ngushëllim (2 Kor 1, 3. 4).
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
sepse tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
vështroje zërin e lutjes sime.
Në ditë të vështirë klitha tek ti *
pse e di se ti më dëgjon.
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
ti je i vetmi Hyj.
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
që të eci sipas drejtësisë sate, *
mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
me gjithë zemrën time, *
për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
e për ty nuk kanë kujdes.
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
jepi fuqi shërbëtorit tënd *
dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mbarë kombet do të vijnë dhe do ta adhurojnë emrin tënd, o Zot, aleluja.
Ant. 2 Sytë tanë do ta shohin Krishtin, mbretin e lavdisë, aleluja.
Kënga Is 33, 13-16 Hyji do të gjykojë me drejtësi
Ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata që janë larg (Vap 2, 39).
»Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra, *
njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!«
U tmerruan në Sion mëkatarët, *
tmerri i pushtoi të paudhët:
»Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës? *
Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?«
Ai që ecën me drejtësi, *
ai që flet çka është e drejtë,
që s'kërkon fitim në cubni, *
që shkund duart të mos marrë ryshfet,
që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje, *
që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,
i tilli do të banojë në lartësi, †
strehimi i tij në qytezë të pathyeshme, *
bukë ka mjaft, ujët s'i mungon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Sytë tanë do ta shohin Krishtin, mbretin e lavdisë, aleluja.
Ant. 3 Çdo njeri do ta shohë shpëtimin që vjen nga Hyji ynë, aleluja.
Psalmi 98 /97/ (1-9) Ngadhënjimi i Zotit në ardhjen e tij të fundit
Me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve (Lk 2, 30. 31).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, *
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, *
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet *
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë *
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë Toka le t’i brohorasë Zotit, *
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
Këndoni Zotit me harpë, *
me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, *
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin †
e malet le të gërthasin me hare, *
para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi *
e popujt me maturi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Çdo njeri do ta shohë shpëtimin që vjen nga Hyji ynë, aleluja.
Leximi i shkurtër Rom 6, 8-11
Në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për nga mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!
Përgjigjja e shkurtër
C Zoti u jep fitoren shenjtërve të tij, * aleluja, aleluja.
Zoti u jep fitoren shenjtërve të tij, aleluja, aleluja.
D Nëpër Jezu Krishtin , të ngjallur prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zoti u jep fitoren shenjtërve të tij, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Kushdo e sheh Birin dhe beson në Të, ka jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Kushdo e sheh Birin dhe beson në Të, ka jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Ta lusim me shpresë Krishtin, i cili vdiq për shkak të mëkateve tona dhe u ngjall për shëlbimin tonë:
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, për të ngjallurit tënd.
O Krisht, që duke u ringjallur na e dhurove shpresën e jetës së përhershme
— na drejto gjatë ditës së sotme me fuqinë e Shpirtit tënd.
Ti që sundon i lavdishëm në bashkësinë e engjëjve dhe të shenjtërve
— na bëj adhurues të Atit në shpirt dhe në të vërtetë.
Tregoje mëshirën tënde për popullin që kumton të ngjallurit tënd
— na liro sot e përgjithmonë prej pritave të të Keqit.
O Krisht, Mbret i shekujve, kur të vish në lumturi
— bashkoji besimtarët e tu në gëzim që nuk njeh mbarim.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Ji pranë familjes sate, o Zot, dhe ndihmoje me bujari: ti që ia dhe hirin e fesë, bëje edhe pjesëtare në ngjalljen e Birit tënd, Jezu Krishtin. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.