Lavdet e mëngjesit
Java e katërt e Pashkëve – E Martë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e katërt e Pashkëve – E Martë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kori i Jerusalemit të ri
himnin e ëmbël të këndojë,
e me gëzime të urta
festën e Pashkëve të kremtojë.
Ku Krishti, luan i pathyeshëm,
kundër të mposhturit dragua,
kur lëshon zë të fuqishëm,
shpirtrat nga vdekja ka shpëtuar.
Prenë që kish ngrënë i prapi
e kthen përsëri tartari;
liruar nga robëria,
turmat prapa Krishtit venë.
Ai ngadhënjen shkëlqyeshëm
dhe i denjë në tërë hapësirën,
e atdheun, qiellin e tokën
i shndërron në një shtet të vetëm.
Me këngë t’i lutemi atij
si ushtarë që i këndojnë mbretit,
që ai të na vendosë
në pallat të vet tërë dritë.
Të jetë gjithherë për mendjet,
o Krisht, gëzimi i Pashkës,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në fitoret e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
në gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Kush e bën vullnetin e Atit tim, do të hyjë në mbretërinë e qiellit, aleluja.
Psalmi 101 /100/ (1-8) Programi i mbretit besnik ndaj Zotit
Nëse më doni, do t'i mbani urdhërimet e mia (Gjn 14, 15).
Dua të këndoj dashurinë e drejtësinë, *
për nderin tënd, o Zot, do t’i bie muzikës!
Do të përparoj në udhën e pafajësisë: *
kur do të vish ti tek unë?
Do të jetoj në pastërtinë e zemrës sime, *
brenda shtëpisë sime.
S’do të vë para syve të mi asnjë padrejtësi, †
e urrej njeriun që vepron keq: *
nuk do të qëndrojë ngjat meje.
Zemra e keqe do të jetë larg meje, *
bakeqin s’dua ta njoh.
Atë që fshehtas i shpifet të afërmit të vet
unë do ta zhbij. *
Mendjemadhin dhe krenarin
nuk do ta duroj.
I kam sytë mbi të drejtët e vendit *
që të banojnë bashkë me mua,
ai që ecën udhës së pafajësisë, *
do të jetë shërbëtori im.
Nuk do të banojë brenda shtëpisë sime
ai që gënjen, *
ai që flet rrena nuk do të qëndrojë para syve të mi.
Çdo mëngjes do të shfaros keqbërësit e vendit, †
do t’i zhbij prej qytetit të Zotit *
të gjithë ata që bëjnë paudhësi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush e bën vullnetin e Atit tim, do të hyjë në mbretërinë e qiellit, aleluja.
Ant. 2 Mbarë popujt e tokës le ta njohin dashurinë që ti e ke për ne, aleluja.
Kënga Dan 3, 26. 27. 29. 34-41 Kënga e Azarisë në furrë
Pendohuni, pra, e kthehuni, që t'ju shlyhen mëkatet (Vap 3, 19).
I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *
i madhërueshëm, emri yt i lavdishëm në shekuj,
sepse je i drejtë *
në gjithçka na bëre,
të gjitha veprat e tua e udhët e tua janë të drejta, *
të gjitha gjyqet e tua e vërteta.
Vërtet mëkatuam e vepruam paudhërisht †
duke u larguar prej teje, *
porse tepër shumë mëkatuam!
Oh, mos na lësho për përgjithmonë †
‑ pashë emrin tënd ‑ *
e mos e shpërndaj besëlidhjen tënde;
as mos e tërhiq mëshirën tënde prej nesh, *
pashë Abrahamin, të dashurin tënd,
pashë Izakun, shërbëtorin tënd, *
e pashë Izraelin, shenjtin tënd,
të cilëve u zotove se do t'ua shumosh farën †
porsi yjet e qiellit e porsi rërën *
që është në bregun e detit,
sepse, o Zot, *
jemi pakuar më shumë se të gjithë popujt,
të përvujtëruar kudo mbi mbarë tokën *
në ditën e sotme për shkak të mëkateve tona!
Ne në këtë kohë nuk kemi †
princ as profet as prijës, *
fli shkrumbimi, therore, as kushtime as kem,
as vend ku të kushtojmë ty flitë e fryteve të para *
që të mund të gjejmë mëshirë.
Por na prano me shpirt të përgrirë *
e të përvujtëruar në shpirt,
porsi fli shkrumbimi deshësh e mëzetërish *
porsi mijëra qengjash të majmë
e tillë le të jetë flija jonë para teje sot *
e përsosna ne që të vemi pas teje
sepse s'do të turpërohen *
ata që shpresën e kanë vënë në ty.
Tash do të vemi pas teje me gjithë zemër, *
ty do të të nderojmë, fytyrën tënde do të kërkojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Mbarë popujt e tokës le ta njohin dashurinë që ti e ke për ne, aleluja.
Ant. 3 Zoti është mburoja ime dhe çlirimtari im, aleluja.
Psalmi 144 /143/ (1-10) Lutja e Mbretit për fitore dhe për paqe
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi (Fil 4, 13).
Qoftë bekuar Zoti, ndihmëtari im †
që m’i mëson duart për luftim *
e gishtërinjtë për luftë.
Mëshira ime dhe kështjella ime, *
strehimi im dhe çlirimtari im,
shqyti im pas të cilit fshihem, *
ai që popullin tim e vë nën sundimin tim.
O Zot, e ç’është njeriu që t’i japësh rëndësi, *
biri i njeriut që të kujdesesh për të?
Njeriu i përngjan avullit, *
ditët e tija si hija që kalon.
O Zot, priri qiejt e tu e zbrit, *
preki malet e ato le të tymojnë.
Gjuaj rrufe e shpërndaji armiqtë, *
flakëro shigjetat dhe shpartalloji!
Shtrije dorën tënde prej së larti †
më shpëto e më nxirr prej ujërave të mëdha, *
prej kthetrave të bijve të huaj,
goja e të cilëve gënjeshtra veç flet, *
e djathta e të cilëve ngrihet për t’u betuar në rrenë.
O Zot, për ty do ta këndoj një këngë të re, *
për ty do të luaj në harpën dhjetë kordash,
sepse mbretërve ti u jep fitoren, *
e shpëton Davidin, shërbëtorin tënd,
prej shpatës vrastare.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti është mburoja ime dhe çlirimtari im, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 2, 29-31
Vëllezër, më lejoni t'jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. Por ai, mbasi ishte profet dhe mbasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, qysh më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: 'Nuk qe lënë në Nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.'
Përgjigjja e shkurtër
C Krishti u ngjall prej të vdekurve, * aleluja, aleluja.
Krishti u ngjall prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
D Ai e shndriti botën e shëlbuar me gjakun e tij.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Krishti u ngjall prej të vdekurve, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Veprat që unë i bëj në Emër të Atit tim, ato bëjnë dëshmi për mua, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Veprat që unë i bëj në Emër të Atit tim, ato bëjnë dëshmi për mua, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Ta thërrasim në ndihmë Hyjin Atë, që nëpërmjet Krishtit, Qengjit të patëmetë, i shlyen mëkatet e botës. Me fe të gjallë t'i themi:
O Atë, burim jete, shëlboje popullin tënd.
O Atë, dëgjoje zërin e Birit tënd të kryqëzuar dhe të ringjallur për ne
— dëgjoje atë që ndërmjetëson për shpëtimin tonë.
Bëj që të jetojmë misterin e Pashkëve në tharmin e sinqeritetit dhe të vërtetës
— na liro prej tharmit të vjetër të së keqes dhe të egoizmit.
Bëj që të fitojmë mbi tundimin e smirës dhe të mosmarrëveshjes
— na bëj të ndjeshëm për nevojat e vëllezërve tanë.
Bëj që të zotërojë në mesin tonë shpirti i Ungjillit
— na drejto sot e gjithherë në rrugën e urdhërimeve të tua.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Hyji i gjithëpushtetshëm, të meritojmë të hyjmë në gëzimin e shëlbimit tonë, ne që po kremtojmë ngjalljen e Birit tënd. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.