Lavdet e mëngjesit
25 prill, Shën Marku, ungjilltar
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! ..
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. ..
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. ..
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. ..
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” ..
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. ..
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Me mend të gëzueshme e shumë të këndshme,
o Mark,
festat e tua të gjithë i kremtojmë,
përkujtojmë ty që punë të mëdha i dhurove
turmës së Krishtit.
N’shembuj të Nënës, tue nderuar Pjetrin
me dashuri të zjarrtë, ti e ndjek besnik,
fjalët e Krishtit, prej buzëve të tija
të nxjerra, i shkruan.
Në shpirt i ndezur, me botim modest
bëmat e habitshme t’ Mjeshtrit më të madhit
ti i hap, tregon e me një gjuhë të popullit
të mësosh botën.
I dashur dhe i Palit, dhe studioz i tij
punon duke i ngjarë në vrullin e zemrës,
shumë vuan për Krishtin dhe nga dashuria
për të derdh gjakun.
Lavd e nder Krishtit, virtyt edhe mburrje,
dëshmues të cilit le të jemi trima,
dhe të përtrirë me ushqimin tënd, n’amshim
t’ia shohim fytyrën. Amen.
Ant. 1 Të gjitha fjalët e profetëve u përmbushën në Ungjillin e Krishtit, aleluja.
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Të gjitha fjalët e profetëve u përmbushën në Ungjillin e Krishtit, aleluja.
Ant. 2 Me shpalljen e ungjillit Hyji na fton që të besojmë në të vërtetën, e të fitojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, aleluja.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Me shpalljen e ungjillit Hyji na fton që të besojmë në të vërtetën, e të fitojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, aleluja.
Ant. 3 Shumë njerëz do ta lavdërojnë urtinë e tij, ai nuk do të harrohet kurrë, aleluja.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Shumë njerëz do ta lavdërojnë urtinë e tij, ai nuk do të harrohet kurrë, aleluja.
Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 1-2a. 3-4
Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit.
Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt.
Përgjigjja e shkurtër
C E madhëruan pushtetin e Zotit
dhe të gjitha mrekullitë e tija. * Aleluja, aleluja
E madhëruan pushtetin e Zotit
dhe të gjitha mrekullitë e tija. Aleluja, aleluja.
D I shpallën veprat e tija
Aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
E madhëruan pushtetin e Zotit
dhe të gjitha mrekullitë e tija. Aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Dashuria e Krishtit i dërgoi Kishës ungjilltarë dhe mësues të fesë për shërbim të fjalës, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Dashuria e Krishtit i dërgoi Kishës ungjilltarë dhe mësues të fesë për shërbim të fjalës, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Shëlbuesi ynë e shkatërroi vdekjen, e me anë të Ungjillit bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia. Atë ta madhërojmë me lavde dhe me lutje të përvujtë t'i drejtohemi:
Forcoje Kishën tënde në fe dhe dashuri.
Ti Kishën tënde për mrekulli e shndrite me shenjtër dhe me mësuesit e lavdishëm
— bëj që të krishterët gjithmonë t’i gëzohen asaj drite.
Në lutjen e barinjve të shenjtë ia fale mëkatet popullit tënd sikurse e bëre këtë në Besëlidhjen e vjetër në lutjen e Moisiut
— me ndërmjetësimin e tyre pastroje dhe shenjtëroje gjithnjë Kishën tënde.
Shenjtërit e tu i lidhe ngushtë me vëllezër dhe atyre ua dhe Shpirtin tënd
— mbushi me Shpirt Shenjt të gjithë udhëheqësit e popullit tënd.
Ti je trashëgimi i të gjithë barinjve
— bëj që asnjë prej atyre që ti i shpërbleve me gjakun tënd të mos birret.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti e lartësove shën Markun ungjilltar me hirin e predikimit të Lajmit të gëzueshëm, bëj që ne të përfitojmë sa më mirë nga mësimi i tij për të ecur besnikërisht gjurmëve të Krishtit. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.