Lavdet e mëngjesit
Java e katërt e Pashkëve – E Diel
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e katërt e Pashkëve – E Diel
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Si ari agimi i dritës,
qielli nga lavdet jehon,
bota prej shendit galdon,
ferri ulërin nga grahmat.
Kur mbreti shumë i forti,
i shemb fuqitë vdekjes,
nën këmbë ndrydhi tartarin,
të mjerëve u zgjidhi prangat.
Ai, që me rrasë të mbyllur
rreptësisht ruhet nga ushtari,
ngadhënjyes me zulmë fisnike,
ngrihet fitues nga varri.
Tashmë u çlirua ferri
prej dhembjesh e rënkimesh,
sepse u ngjall Zoti ynë
plot shkëlqim thërret engjëlli.
Përherë ti rrofsh ndër mendje,
o Krisht, gëzimi i Pashkëve,
dhe me hir të rilindur
në triumfin tënd bashkona.
Jezus, ty të qoftë lavdia
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj: do t’i shpall veprat e mëdha të Zotit, aleluja.
Psalmi 118 /117/ (1-29) Këngë gëzimi dhe fitoreje
Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit. –
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të altarit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj: do t’i shpall veprat e mëdha të Zotit, aleluja.
Ant. 2 Bekuar qoftë emri yt i shenjtë dhe i lavdishëm, aleluja.
Kënga Dan 3, 52-57 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Krijuesi... është i bekuar në amshim (Rom 1, 25).
I bekuar je, o Zot, Hyji i etërve tanë, *
i lavdishëm e tesve i lartësishëm në shekuj!
I bekuar emri shenjt i lavdisë sate, *
tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në Tempullin e lavdisë sate të shenjtë, *
tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në fronin e mbretërisë sate, *
tesve i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je, ti që shqyrton humnerat
e që rri mbi kerubinë, *
i lavdishëm e tesve i madhërueshëm në shekuj!
I bekuar je në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekuar qoftë emri yt i shenjtë dhe i lavdishëm, aleluja.
Ant. 3 Jepni lavdi Hyjit tonë, të përsosura janë veprat e Zotit tonë, e të drejta udhët e tija, aleluja.
Psalmi 150 (1-5) Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Hyjit i qoftë Lavdia në Kishë e në Jezu Krishtin (Krh. Ef 3, 21).
Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *
madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija, *
lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!
Lavdërojeni me zë të borisë, *
lavdërojeni me harpë e me citarë,
lavdërojeni me tupan e valle, *
lavdërojeni me korda e me fyej!
Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †
lavdërojeni me cimbale brohorie! *
Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Jepni lavdi Hyjit tonë, të përsosura janë veprat e Zotit tonë, e të drejta udhët e tija, aleluja.
Leximi i shkurtër Vap 3, 13-15
'Hyji i Abrahamit, [Hyji] i Izakut, [Hyji] i Jakobit, Hyji i etërve tanë’ e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t'ju falej gjakësori kurse Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë.
Përgjigjja e shkurtër
C Nxënësit e panë Zotin, * aleluja, aleluja.
Nxënësit e panë Zotin, aleluja, aleluja.
D Dhe u mbushën me gëzim.
aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Nxënësit e panë Zotin, aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Unë jam Bariu i mirë; jam Udha e vërteta dhe Jeta. i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam Bariu i mirë; jam Udha e vërteta dhe Jeta. i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
T'ia drejtojmë lutjen e përbashkët Hyjit Atë të gjithëpushtetshëm, i cili e ringjalli Krishtin, duke e bërë kokë dhe shëlbues tonin:
Le të shndrisë mbi ne lavdia e Krishtit.
O Atë i shenjtë, që e ngrite Birin tënd prej vdekjes në lavdi
— bëj që të kalojmë nga mjegulla e mëkatit në dritën tënde të dashur.
Na shëlbove me anë të fesë
— bëj që të jetojmë në përputhshmëri me pagëzimin tonë.
Na thërret që të shikojmë lart atje ku Krishti rri në të djathtën tënde
— na ndihmo që të fitojmë mbi ngashënjimin e së keqes.
Jeta jonë është e fshehur në Krishtin
— le të shndrisë në botë si lajmërim i qiellit të ri dhe i tokës së re.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, na prij drejt lumturisë së parajsës; bëj të arrijë atje te grigja, megjithëse e ligshtë, ku Bariu i saj hyri fitimtar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.