Lavdet e mëngjesit
26 prill, Shën Maria Virgjër, Nëna e këshillit të mirë - Pajtorja e Shqipërisë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillon me Ftesë.
Himni
O Zonjë lavdiplote,
e larta përmbi yje,
atë që t’krijoi me urti
me gjirin shenjtë ushqeve.
Çka Eva e mjerë na hoqi ,
ti na kthen nëpërmjet Birit.
Dyert qiellore i hap,
i lëshon në qiell të mjerët.
Ti dera e mbretit t’lartë
porta e shkëlqyer e dritës;
jetën e dhënë me anë t’Virgjërës,
popuj t’shpëtuar, brohoritni.
Atit i qoftë e Shpirtit
dhe Birit tënd lavdia,
që ty me rrobë të nurshme
Hiret të kanë rrethuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 E bekuar je ti, o Mari! Prej teje lindi Shëlbuesi i botës, ti shkëlqen në lavdinë e Hyjit. Lute për ne Krishtin, Birin tënd.
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E bekuar je ti, o Mari! Prej teje lindi Shëlbuesi i botës, ti shkëlqen në lavdinë e Hyjit. Lute për ne Krishtin, Birin tënd.
Ant. 2 Ti lavdia e Jerusalemit, ti gëzimi i Izraelit, ti nderi i popullit tonë.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Ti lavdia e Jerusalemit, ti gëzimi i Izraelit, ti nderi i popullit tonë.
Ant. 3 Gëzohu, o Virgjër Mari: në kraharorin tënd e barte Shëlbuesin e botës.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Gëzohu, o Virgjër Mari: në kraharorin tënd e barte Shëlbuesin e botës.
Leximi i shkurtër Krh. Is 61, 10
Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me argjendari e stolisur.
Përgjigjja e shkurtër
C Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.
Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.
D Në tendën e vet të bëri të banosh,
dhe të parapëlqeu.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Për shkak të Evës u mbyll dera e qiellit; hapet për ne nëpërmjet Marisë, Nënës së Zotit.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Për shkak të Evës u mbyll dera e qiellit; hapet për ne nëpërmjet Marisë, Nënës së Zotit.
Lutjet e besimtarëve
Ta lëvdojmë Shëlbuesin tonë, i cili u denjua të lindë prej Virgjërës Mari, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:
Për Marinë, hirplote, dëgjoje lutjen tonë.
Fjalë e Amshuar, Marinë e zgjodhe që të jetë arka e pashkatërrueshme e pranisë sate në mesin tonë
— lirona nga shkatërrueshmëria dhe njollosja e mëkatit.
Shëlbuesi ynë, që Marinë Virgjër e bëre tempull të denjë të Shpirti Shenjt,
— na bëj edhe ne tempull të gjallë të Shpirtit tënd.
Mbret i mbretërve, deshe që nëna jote, të ngjitet në qiell me trup dhe shpirt
— drejtoji edhe dëshirat tona kah Jerusalemi qiellor.
Zotërues i qiellit dhe i tokës, Marinë e caktove si mbretëreshë në të djathtën tënde
— na bëj edhe ne pjesëmarrës në trashëgimin e shenjtërve.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti na dhe për nënë Nënën e Birit tënd fort të dashur dhe figurën e saj e qite në pah me dukuri të mrekullueshme: bëj, po të lutemi, që ne, të drejtuar prej këshillave të saja, të jetojmë sipas dëshirës së Zemrës sate dhe të kemi fatin të arrijmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.