Lavdet e mëngjesit
3 qershor, Shën Karl Luanga dhe shokët, martirë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Martir i Hyjit, që duke shkuar
pas të vetmit Bir të Atit,
ngadhënjen mbi armiqtë e mundur,
fitues gëzon me qiellorët.
Me dhunti t’lutjes sate
lehtësoje fajin tënd,
mbaj larg sëmundjen e së keqes,
na dëbo mërzinë e jetës.
Tashmë janë zgjidhur prangat
e trupit tënd të shenjtëruar,
na i zgjidh prangat e shekullit
me dashuri t’ Birit t’ Zotit.
Atit nderimi e Birit
me Shpirtin Shenjt së bashku,
që ty kurorë t’përjetshme
të vënë n’treme të lavdisë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
Psalmi 36 /35/ (2-13) Fajësia e njeriut e mirësia e Hyjit
Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës (Gjn 8, 12).
Paudhësia pëshpërit mu në zemër të bakeqit, *
frika e Hyjit s’është para syve të tij.
Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, *
të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.
Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, *
për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.
Në shtrojën e vet sendërton paudhësinë, †
ecën vazhdimisht udhës së keqe, *
djallëzinë nuk e urren.
Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, *
bujaria jote deri në majë të reve!
Drejtësia jote si malet, më të lartat, †
gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: *
njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.
Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! *
Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, *
u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.
Sepse te ti është burimi i jetës, *
në dritën tënde ne shohim dritën.
Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, *
drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.
Mos më shkeltë këmba e madhështorit, *
mos më grahtë dora e mëkatarit.
Këtu u thyen bakëqijtë, *
ranë e më s’mund u ngritën!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.
Kënga Jt 16, 1-2. 13-15 Zoti, krijuesi i botës, e mbron popullin e vet
Këndonin një këngë të re (Zb 5, 9).
Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, *
këndoni Zotit tim me tinguj cimbalesh,
psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: *
lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij!
Ti je Hyji luftërashqimës, †
fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd *
për të më shpëtuar nga armiqtë e mi.
Hyjit tim dua t'i këndoj një këngë të re: †
Je i madh e i madhërishëm, o Zot, *
i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm!
Të shërbeftë krijesa jote *
pse ti the e ato u bënë,
çove frymën tënde e ato u formuan. *
Askush s'i qëndron përballë fjalës sate!
Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, *
qetat para teje si dylli do të shkrihen,
por për ata që ty të druan *
gjithnjë i mëshirshëm do të jesh.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.
Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Psalmi 47 /46/ (2-10) Hyji mbreti i mbarë botës
Rri në të djathtën e Atit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Duartrokitni, o popuj të gjithë, *
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, *
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.
Popujt i vuri nën sundimin tonë, *
paganët nën këmbët tona.
Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, *
nderin e Jakobit, të dashurit të vet.
Ngjitet Hyji me brohori, *
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni, *
këndoni mbretit tonë, këndoni!
Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: *
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, *
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.
Princat e popujve paganë bashkohen *
me popullin e Hyjit të Abrahamit,
sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, *
Ai është i lartësuar mbi të gjithë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 3-5
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.
Përgjigjja e shkurtër
C Fuqia ime, * kënga ime është Zoti.
Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
D Ai është shpëtimi im:
kënga ime është Zoti.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, e ruan për jetën e amshuar.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, e ruan për jetën e amshuar.
Lutjet e besimtarëve
Lutjen tonë t’ia drejtojmë Krishtit, që kujdeset për Kishën, për të cilën e flijoi veten:
Ruaje, o Zot, Kishën tënde!
Bekuar qofsh, Bari i Kishës sate, për jetën dhe dritën që na jep në këtë ditë:
— bëj që t’i pranojmë dhuratat e tua me mirënjohje dhe gëzim.
Shikoje me mëshirë popullin e bashkuar në Emrin tënd:
— mos lejo që të birret ndokush prej atyre që Ati t’i ka dorëzuar.
Udhëhiqe Kishën tënde rrugës së urdhërimeve të tua:
— Shpirti Shenjt e përforcoftë atë në vullnetin tënd.
Ushqeje popullin tënd në tryezën e fjalës dhe të bukës së jetës së amshuar:
— me forcën e këtij ushqimi le ta arrijë malin e lavdisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti bën që gjaku i martirëve të jetë farë për të krishterë të rinj: bëj që ara e Kishës sate, e vaditur me gjakun e shën Karlit dhe shokëve të tij, martirë, të japë të korra përherë më të begatshme. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.