Lavdet e mëngjesit
Java e tetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E enjte
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Tani që leu ylli i dritës,
me shpirt Zotit t’i lutemi,
që ndër vepra t’përditshme
t’na ruajë nga të damshmit.
Nën fre të na mbajë gjuhën,
mos t’ushtojë tmerri i grindjes;
t’na ruajë duke mbrojtë fytyrën,
që mos të pësojë nga sqimat.
T’jenë t’pastër shpirti e zemra,
edhe larg qoftë tërbimi;
përmbajtja e haes dhe e pijes
ta ulë kreninë e mishit.
Që, kur të kalojë dita
dhe fati të kthejë natën,
ne me anë të agjërimit
t’këndojmë lavdinë e botës.
Hyjit Atë qoftë lavdia
dhe Birit tij të vetëm
me Shpirtin Ngushllimtar,
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Që në mëngjes, bëj që ta ndiejmë mëshirën tënde, o Zot.
Psalmi 143 /142/ (1-11) Lutja në vuajtje
Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).
O Zot, dëgjoje lutjen time, †
vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *
më dëgjo në saje të drejtësisë sate.
Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *
se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.
Armiku e salvon shpirtin tim, *
përdhe e shtroi jetën time,
më ka lidhur në errësirë *
porsi të vdekurit e kahershëm,
shpirti im po rënkon në mua, *
të mpitë e kam zemrën në kraharor.
Më kujtohen ditët e shkuara, †
i kujtoj të gjitha veprat e tua, *
i peshoj veprat që ti i kreve.
I ngre drejt teje duart e mia, *
shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.
Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *
se mbeta pa frymë,
mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *
të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *
sepse shpresën e kam vënë në ty.
Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *
sepse tek ti e kam lartësuar shpirtin.
Më shpëto prej armiqve të mi, *
o Zot, jam ndore tënde!
Më mëso ta kryej vullnetin tënd, †
sepse ti je Hyji im. *
Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,
më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *
Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Që në mëngjes, bëj që ta ndiejmë mëshirën tënde, o Zot.
Ant. 2 Zoti do të bëjë të rrjedhë mbi Jerusalem një lum paqeje dhe shëlbimi.
Kënga Is 66, 10-14a Ngushëllim dhe gëzim në qytetin e Hyjit
Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).
Gëzohuni me Jerusalemin, *
galdoni për të ju që e doni!
Galdoni me të, galdoni, *
të gjithë ju që qatë mbi të,
që të thithni qumësht e të ngiheni *
prej parzmave të ngushëllimit të tij,
që të dërgoni e të kënaqeni *
në parzmat e lavdisë së tij!
Sepse Zoti kështu po thotë: †
»Ja, unë po bëj të arrijë në të
paqja porsi lumë, *
porsi përrua vërshues pasuria e popujve.
Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, *
përmbi gjunjë do t'ju përkëdhelin.
Porsi nëna që ngushëllon të birin, †
ashtu unë do t'ju ngushëlloj; *
në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.
Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, *
si bari i njomë do t'ju përtërihen eshtrat«.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti do të bëjë të rrjedhë mbi Jerusalem një lum paqeje dhe shëlbimi.
Ant. 3 Është bukur t’i këndojmë Hyjit tonë, është kënaqësi ta lavdërojmë atë.
Psalmi 147 /146/ (1-11) Pushteti dhe mirësia e Zotit
Shpirti im e madhëron Zotin, sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm (Lk 1, 46. 49).
Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, †
është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, *
është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!
Zoti e rindërton Jerusalemin, *
i bashkon izraelitët e mërguar!
Ai i shëron zemrat e copëtuara, *
i lidh plagët e tyre!
Ai e njeh numrin e yjeve *
dhe e thërret secilin me emër.
I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, *
e pakufishme është dija e tij.
Zoti i lartëson të përvujtët, *
kurse përdhe i shtron keqbërësit.
Këndojani Zotit këngën e falënderjes, *
bini harpës për nder të Hyjit tonë!
Ai me re e mbulon qiellin *
dhe ia përgatit dheut shiun.
Bën të rritet maleve bari *
edhe bimë për të mirën e njeriut.
Ai u jep ushqime bagëtive, *
deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë.
S’i jep rëndësi fuqisë së kalit, *
s’i merr parasysh kërçikët e trimit:
Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, *
ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Është bukur t’i këndojmë Hyjit tonë, është kënaqësi ta lavdërojmë atë.
Leximi i shkurtër Rom 8, 18-21
Unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne.
E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë ‑ jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi ‑ porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit.
Përgjigjja e shkurtër
C Që nga zgjimi i ditës
* më bie ndër mend për ty, o Zot.
Që nga zgjimi i ditës më bie ndër mend për ty, o Zot.
D Ti je ndihma ime:
më bie ndër mend për ty, o Zot.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Që nga zgjimi i ditës më bie ndër mend për ty, o Zot.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Jepja popullit tënd, o Zot, njohjen e shëlbimit dhe faljen e mëkateve.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Jepja popullit tënd, o Zot, njohjen e shëlbimit dhe faljen e mëkateve.
Lutjet e besimtarëve
T’ia drejtojmë lutjen tonë Zotit, i cili e shpëton popullin e vet dhe t’i brohorasim:
Ti, o Zot, je jeta jonë!
Bekuar qofsh, o Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, ti me mirësinë tënde na rilind me shpresë të gjallë:
— nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit prej vdekjes.
Në Krishtin e ripërtërinë njeriun, të krijuar në përngjasimin tënd,
— bëj t’i përngjajmë Birit tënd.
Shëroje njerëzimin e plagosur nga smira dhe urrejtja:
— mbushe me atë dashuri, që është dhuratë e Shpirtit tënd.
Jepu të uriturve bukë, të pikëlluarve hare:
— dhe të gjithë njerëzve, hir dhe shpëtim.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti që me hirin tënd na pasuron me çdo bekim, bëj që të shndërrohemi rrënjësisht në krijesa të reja që të bëhemi gati për lumturinë e mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.