Lavdet e mëngjesit

Java e tetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E premte

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Zot, ndriçimi i qiellit

   dhe autori i dritës, ti që rruzullin

   me krah atëror të mbajtur

   e sjell me dorë shkëlqyese,

 

   tashmë Agimi i mbulon yjet

   vorbull të kuqe duke ngritur,

   e duke njomur tokën

   me vesë të ritë e avuj.

 

   Tash hija e natës daret,

   e braktis mjegulla rruzullin,

   figura e Krishtit ndriçimplote

   ngjall dritën e përgjumur.

 

   Ti, o Zot, je dita e ditëve,

   ndriçimi i dritës ti vetë je,

   Një me pushtet për të gjitha,

   në Një me pushtet Trinia.

 

   Ty tash, Shëlbues, të lutemi,

   dhe ty në gjunj të përulemi,

   Atin me Shpirtin Shenjt

   lavdërojmë me të gjitha zërat. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

   Psalmi 51 /50/ (3-21) Ki mëshirë për mua, o Zot

 

   Përtërihuni në shpirtin e mendjes tuaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *

   pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

 

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *

   e më pastro prej fajit tim!

Sepse e pranoj paudhësinë time: *

   mëkatin tim përherë e kam para sysh.

 

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *

   dhe kam bërë ç’është keq para teje,

prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *

   dhe i paanshëm në dënimin tënd.

 

Ja, mëkatar unë leva, *

   madje në mëkate nëna ime më ngjizi,

por ti që e do çiltërinë e zemrës, *

   m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.

 

Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *

   më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.

Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *

   dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.

Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *

   e resiti të gjitha fajet e mia.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *

   përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

Mos më flak larg fytyrës sate, *

   mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *

   dhe më forco me shpirt të gatshëm.

 

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *

   e fajtorët do të kthehen tek ti.

Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *

   dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.

 

Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *

   dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *

   e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

 

Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *

   ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!

 

Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *

   ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

 

Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †

   flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *

   atëherë do të mund të kushtohen mëzetër mbi lterin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

Ant. 2 Gëzohu, o Jerusalem, sepse në ty do të bashkohen popujt dhe do ta bekojnë Zotin.

 

   Kënga Tob 13, 8-13. 15. 16 Falënderim për lirimin e popullit

 

   Ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin... shkëlqente nga Lavdia e Hyjit (Zb 21, 10-11).

 

Të gjithë ju të zgjedhurit bekojeni Zotin, *

   të gjithë lëvdojeni madhërinë e tij!

 

Jerusalem, qytet i shenjtë, *

   të shkallmoi Zoti për faje të tua!

 

Me vepra të mira madhëro Zotin, *

   beko Mbretin e amshueshëm!

 

Në ty përsëri ai vetë me gëzim *

   Tempullin tënd ai do ta ndërtojë

që të gëzojnë në ty të gjithë të treturit, *

   brez pas brezi deri në amshim!

 

Dritë e ndritshme do të shkëlqejë

   anë e kënd skajet e dheut, *

   prej kahmos te ti do të vijnë;

 

kombe të ndryshme edhe të shumta *

   që i përmban rrumbullaku i dheut

tek i shenjti Emri yt! *

   ngarkuar duart me dhurata

   për t'ia dhënë Mbretit të qiellit!

 

Jerusalem, në ty do të gëzohen *

   breznitë e të gjitha breznive

i 'Zgjedhur' ti do të quhesh *

   në jetë të jetës për amshim!

 

Atëherë gëzo edhe galdo *

   për bijtë e të drejtëve,

se të gjithë do të bashkohen *

   e për amshim do të bekojnë Zotin.

 

Shpirti im, gëzohu në Zotin, *

   në të Madhin Mbret,

sepse në qytet të Jerusalemit

   do të ndërtohet Shtëpia e tij *

   e paepur në shekuj të shekujve!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gëzohu, o Jerusalem, sepse në ty do të bashkohen popujt dhe do ta bekojnë Zotin.

 

Ant. 3 Qytet i Zotit, lavdëroje Zotin, ai e dërgon fjalën e vet te ti.

 

   Psalmi 147 (1-9) Jerusalemi i rindërtuar

 

   Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Nusen e Qengjit (Zb 21, 9).

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *

   madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *

   i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *

   ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *

   lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

 

E hedh borën porsi lesh, *

   e derdh brymën porsi hi.

E lëshon breshrin porsi kafshatë, *

   kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

 

E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *

   çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *

   drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

 

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *

   asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qytet i Zotit, lavdëroje Zotin, ai e dërgon fjalën e vet te ti.

 

   Leximi i shkurtër Gal 2, 20

 

   U kryqëzova bashkë më Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Do ta thërras të Tejetlartin:

   * prej tij më vjen çdo e mirë e imja.

   Do ta thërras të Tejetlartin:

   prej tij më vjen çdo e mirë e imja.

   D Do ta dërgojë nga qielli shpëtimin e tij,

   prej tij më vjen çdo e mirë e imja.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Do ta thërras të Tejetlartin:

   prej tij më vjen çdo e mirë e imja.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Në saje të zemrës së tij të dashur, Hyji ynë na vizitoi sikurse Dielli prej qiellit.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Në saje të zemrës së tij të dashur, Hyji ynë na vizitoi sikurse Dielli prej qiellit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i drejtohemi Atit, që kujdeset për ata që krijoi dhe shpërbleu nëpërmjet Birit të vet:

 

   Forcoje veprën tënde në ne, o Zot!

 

Atë i mirësisë, drejtoji hapat tanë në rrugën e shenjtërimit:

bëj që çdo herë të kërkojmë atë çka është e drejtë, e vërtetë, e pastër dhe e ndershme.

Mos na braktis, o Zot, përgjithmonë, për hir të Emrit tënd:

mos e harro Besëlidhjen tënde të shenjtë.

Pranoje, o zot, dhuratën e zemrës së penduar dhe të përvuajtur:

mos lejo të turpërohen ata që në ty shpresojnë.

Në Krishtin na ke thirrur për shërbim profetik:

bëj që t’i shpallim veprat e tua të mrekullueshme.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që me përvujtërimin e Birit tënd ngrite botën që pati rënë poshtë, jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe pasi i lirove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.