Lavdet e mëngjesit
1 qershor, Shën Justini, martir
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëi zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Martir i Hyjit, që duke shkuar
pas të vetmit Bir të Atit,
ngadhënjen mbi armiqtë e mundur,
fitues gëzon me qiellorët.
Me dhunti t’lutjes sate
lehtësoje fajin tënd,
mbaj larg sëmundjen e së keqes,
na dëbo mërzinë e jetës.
Tashmë janë zgjidhur prangat
e trupit tënd të shenjtëruar,
na i zgjidh prangat e shekullit
me dashuri t’ Birit t’ Zotit.
Atit nderimi e Birit
me Shpirtin Shenjt së bashku,
që ty kurorë t’përjetshme
të vënë n’treme të lavdisë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Që në mëngjes, o Zot, dëgjoje zërin tim!
Psalmi 5 (2-10. 12-13) Urata e mëngjesit
Ata që e pranuan Fjalën dhe bëhen banesa e tij do të galdojnë përgjithmonë.
Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia, *
kuptoje dënesën time!
Dëgjoje zërin e britmës sime, *
Mbreti im e Hyji im!
Sepse ty ta drejtoj uratën time, o Zot, †
qysh në mëngjes e dëgjon zërin tim: *
që në mëngjes dal para teje e pres.
Sepse ti nuk je Hyj që i pëlqen padrejtësia, †
pranë teje nuk ka vend bakeqi, *
bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.
Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq, †
i zhbin të gjithë ata që flasin rrena; *
Të neverit gjakësori e tradhtari.
E unë në saje të dashurisë sate të madhe †
do të hyj në Shtëpinë tënde, *
do të bie përmbys me nderim
në Tempullin tënd të shenjtë.
O Zot, më prij udhës së drejtësisë sate,
për shkak të armiqve të mi, *
rrafsho para meje udhën tënde.
Jo, s’ka çiltëri në gojën e tyre, *
humnerë është zemra e tyre,
gurmazi i tyre varr i hapur *
e me gjuhë përkëdhelin.
Le të gëzohen ata që mbështeten në ty, *
le të galdojnë përherë e në amshim! –
Mbroji dhe le të gëzohen në ty *
të gjithë ata që e duan Emrin tënd!
Sepse ti, o Zot, e bekon të drejtin, *
si shqyt e mbron dashamirësia jote.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Që në mëngjes, o Zot, dëgjoje zërin tim!
Ant. 2 E lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë, o Zot, Hyji ynë.
Kënga 1 Kro 29, 10-13. Vetëm Hyjit i qoftë nderi dhe lavdia
Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit (Ef 1, 3).
I bekuar je, o Zot,
Hyji i Izraelit, atit tonë, *
prej amshimit e në amshim!
Ty, o Zot, të përket madhëria e pushteti, †
lavdia, shkëlqimi dhe lartmadhëria! *
Sepse gjithçka në qiell e në tokë, janë të tuat!
Ty, o Zot, të përket mbretëria, *
ti lartësohesh si kryet përmbi çdo gjë!
Prej teje vjen pasuria dhe lavdia, *
ti zotëron me gjithçka!
Në dorën tënde fuqia dhe pushteti, *
Ti mund të bësh gjithçka
të madhërishme e të qëndrueshme!
Prandaj, o Hyji ynë, po të madhërojmë *
e po e lavdërojmë Emrin tënd të madhërishëm!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë, o Zot, Hyji ynë.
Ant. 3 Lavdi Zotit në tempullin e tij: ai mbretëron përgjithmonë.
Psalmi 29 /28/ (1-8. 10-11. 9c) Zoti e shpall me madhështi fjalën e vet.
Dhe ja, një zë që vinte nga qielli, tha: »Ky është Biri im i dashur« (Mt 3, 17).
Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit, *
jepni Zotit lavdinë e fuqinë!
Jepni Zotit nderin e Emrit të tij, *
adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë!
Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra, †
Hyji i madhërishëm gjëmon, *
Zoti bubullin mbi ujëra të mëdha!
Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm, *
Zoti gjëmon me madhëri!
Ja, zëri i Zotit i copëton cedrat, *
Zoti i thërrmon cedrat e Libanit!
E bën të kërcejë si viç Libanin, *
Sarionin si kotorr bizoni!
Ja, zëri i Zotit - përhap flakë zjarri, †
ja, zëri i Zotit e godet shkretëtirën, *
e godet Zoti shkretëtirën Kades!
Zoti e ka fronin përmbi përmbytje, *
Zoti mbretëron përgjithmonë e jetës!
Zoti i jep fuqi popullit të vet, *
Zoti e bekon popullin e vet me paqe.
Ndërkaq në Tempullin e tij *
të gjithë thonë: »Lavdi!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdi Zotit në tempullin e tij: ai mbretëron përgjithmonë.
Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 3-5
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.
Përgjigjja e shkurtër
C Fuqia ime, * kënga ime është Zoti.
Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
D Ai është shpëtimi im:
kënga ime është Zoti.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Fuqia ime, kënga ime është Zoti.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Çdo herë që pësojmë për shkak të tij, e lavdërojmë Krijuesin e gjithësisë nëpër Krishtin, Birin e tij, dhe Shpirtin Shenjt, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Çdo herë që pësojmë për shkak të tij, e lavdërojmë Krijuesin e gjithësisë nëpër Krishtin, Birin e tij, dhe Shpirtin Shenjt, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Në bashkim me martirët e shenjtë të vrarë për shkak të Ungjillit, ta kremtojmë dhe ta thërrasim Shëlbuesin tonë, dëshmitarin besnik të Hyjit Atë:
Ti na shëlbove me gjakun tënd, o Zot.
Për hir të martirëve të tu, të cilët e përqafuan vdekjen si dëshmi të fesë,
— na e jep lirinë e vërtetë të shpirtit.
Për hir të martirëve të tu, që e dëshmuan fenë deri në derdhjen e gjakut,
— na e jep një fe të pastër dhe të vërtetë.
Për hir të martirëve të tu, që ecën gjurmëve të tua në udhën e kryqit,
— bëj që me qëndresë t’u bëjmë ballë vështirësive të jetës.
Për hir të martirëve të tu, të cilët i lanë petkat e veta në gjakun e Qengjit,
— bëj që t’i mposhtim ngashënjimet e mishit dhe të botës.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti i mësove shën Justinit, dëshmorit tënd, me anën e marrëzisë së Kryqit, më të lartën dije, Jezu Krishtin. Bëj që, me ndërmjetësinë e tij, të largohemi nga gabimet që na rrethojnë e të jemi të qëndrueshëm në fe. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.