Lavdet e mëngjesit
Java e Nëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
E martë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Agimi i këndshëm botës
i lajmëron shigjetat e diellit,
me ngjyrë duke i veshur sendet
i jep shkëlqim çdo gjëje.
O Krisht, për jetë bën diellin
të shkëlqejë për ne dritëplotë,
kah ti duke kënduar sillemi,
me shpirt me ty të gëzohemi.
Ti je tërë dija e Atit
dhe Fjala nga çdo gjë
shndrit me rend të mahnitshëm,
dhe tërheq mendjet tona.
Bëj që ne bijtë e dritës,
kështu të ecim të shkathët,
që deri në hir të Atit
të shprehin zakone e vepra.
Të thjeshta bëji të rrjedhin
nga goja jonë paprerë,
të nxitemi nga gëzimet
e ëmbla të së vërtetës.
Të qoftë, o Krisht, mbret krejt i shenjtë,
lavdia ty e Atit
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush do të ngjitet në malin e Zotit? Ai që i ka duart e pafajshme dhe zemrën e pastër.
Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e tij
Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbret i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbret i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush do të ngjitet në malin e Zotit? Ai që i ka duart e pafajshme dhe zemrën e pastër.
Ant. 2 Bekojeni Zotin, ecni me drejtësi para tij.
Kënga Tob 13, 2-8 Hyji ndëshkon dhe shpëton
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në një jetë të re (Krh. 1 Pjt 1, 3).
Qoftë bekuar Hyji që jeton gjithmonë *
dhe mbretëria e tij!
Ai ndëshkon e mëshiron, *
çon deri në fund të Nëndheut
dhe me madhërinë e vet nxjerr nga bjerrja: *
askush s'i shpëton dorës së tij!
Lëvdojeni ndër sy të paganëve, ju, bijtë e Izraelit! †
Ai njëmend ju shpërndau në mes tyre, *
por edhe atje ua dëftoi madhërinë e vet.
Madhërojeni ndër sytë e të gjithë të gjallëve: †
ai është Zoti ynë, Ati ynë, *
ai është Hyji ynë në shekuj të shekujve!
Ai do t'ju ndëshkojë për shkak të këqijave tuaja, *
por ai do të ketë mëshirë për të gjithë ju:
do t'ju mbledhë prej të gjitha kombeve *
kudo që do të jeni të tretur!
Kur të ktheheni tek Ai
për ta zbatuar para tij të vërtetën *
me gjithë mend e zemër,
atëherë ai do të kthehet te ju, *
më fytyrën prej jush s'do ta fshehë.
Vëreni si veproi me ju *
falënderojeni me zë të lartë!
Lëvdojeni Zotin e drejtësisë, *
lartësojeni Mbretin e shekujve!
Unë e lëvdoj në dheun e mërgimit tim, *
fuqinë e madhërinë e tij
unë ia shpall popullit të mëkatarëve.
Kthehuni kah ai, mëkatarë, *
para tij drejtësinë zbatojeni!
Kush e di? Prapë ndoshta ju do *
e për ju ai ka mëshirë.
Sa për mua, do ta lëvdoj Hyjin, *
shpirti im gëzim do të ketë
në Mbretin e madhërueshëm të qiellit *
të gjitha ditët e jetës sime!
Të gjithë ju të zgjedhurit bekojeni Zotin, *
të gjithë lëvdojeni madhërinë e tij!
Gëzohuni dhe atë lëvdojeni!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Bekojeni Zotin, ecni me drejtësi para tij.
Ant. 3 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi. †
Psalmi 33 /32/ (1-22) Himn Provanisë së Hyjit
Çdo gjë u bë nëpërmjet tij (Gjn 1, 3).
Galdoni, o të drejtë në Zotin, *
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
† Lavdërojeni Zotin me kitarë, *
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
Këndoni atij një këngë të re, *
përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
Sepse e drejtë është fjala e Zotit *
e të gjitha veprat e tij me besë.
E do drejtësinë e gjyqin, *
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, *
prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, *
oqeanet i qet në ujëmbledhës.
Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, *
të gjithë banorët e rruzullit le të druajnë para tij!
Sepse ai foli - gjithçka u bë, *
ai urdhëroi - gjithçka u përftua!
Zoti i shpartallon synimet e popujve, *
i pështjellon qëllimet e kombeve.
Synimi i Zotit qëndron për amshim, *
mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, *
populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
Zoti shikon nga qielli *
e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
Prej vendit të vet të shenjtë *
i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat *
e i kupton të gjitha veprat e tyre.
Nuk shpëton mbreti në saje të ushtrisë së madhe, *
as vigani në saje të fuqisë së madhe.
Kot e pret fitoren nga kali, *
fuqia e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, *
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja *
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
Shpirti ynë shpreson në Zotin, *
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Zemra jonë në të e ka shpresën, *
shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse ne shpresojmë në ty.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi.
Leximi i shkurtër Rom 13, 11b-13a
Tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t'i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën.
Përgjigjja e shkurtër
C O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,
* në ty e vë shpresën time.
O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,
në ty e vë shpresën time.
D Shqyti im dhe mburoja ime,
në ty e vë shpresën time.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,
në ty e vë shpresën time.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. E ngriti Shpëtimtarin tonë, sikurse premtoi prej kohësh me gojë të profetëve të tij.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. E ngriti Shpëtimtarin tonë, sikurse premtoi prej kohësh me gojë të profetëve të tij.
Lutjet e besimtarëve
Jezu Krishti, Kryeprifti i fesë sonë, na bëri pjesëtarë të thirrjes qiellore. Prandaj ta lavdërojmë duke thënë së bashku:
O Zot, Hyji ynë dhe Shëlbuesi ynë!
O Mbret i gjithëpushtetshëm, me anë të pagëzimit ti na bëre meshtari mbretërore,
— bëj që ta kushtojmë gjithmonë flinë e lavdisë.
Bëj t’i zbatojmë urdhërimet e tua,
— dhe me hirin tënd të qëndrojmë në ty dhe ti në ne.
Jepna urtinë tënde të amshuar,
— le të na përcjellë ajo sot dhe të na prijë në punën tonë.
Mos lejo të shkandullojmë sot askënd,
— por bëj që t’u sjellim gëzim të gjithë atyre që do t’i takojmë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Prano me mirësi, o Zot, lutjen e popullit tënd dhe ndriço me dashurinë tënde thellësinë e shpirtit tonë, që ata që i thirre në shkëlqimin e dritës sate të jenë të lirë prej ngashënjimeve të së keqes. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.