Lavdet e mëngjesit
E kremtja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit
Lavdet e mëngjesit
FTESA
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen!
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Duke u shfaqur Fjala e epërme
pa u ndarë nga e djathta e Atit,
në veprën e vet doli
dhe vjen në perëndim të jetës.
Në vdekje nga një nxënës
tradhtuar në mes të shokëve,
më parë për ushqim jete
veten ua dha dishepujve.
Këtyre në dy trajtat
u dha mishin e gjakun,
që me të dyja gjërat
t’ushqente çdo njeri.
Duke lindur u bë vëlla,
me shujtë duke i ushqyer,
duke vdekur jepet çmim
sundues u bë shpërblimi.
O fli shpëtimtare,
që hap derën e qiellit,
armiqësitë luftëra fshehin:
jep forcën, sille ndihmën.
Hyjit një në tre Vetë
i qoftë lavdi e përjetshme,
që jetën pa kufij
të na japë n’atdhe të qiellit. Amen.
Ant. 1 E ushqeve popullin tënd me ushqimin e engjëjve, i dhe bukën prej qiellit, aleluja.
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E ushqeve popullin tënd me ushqimin e engjëjve, i dhe bukën prej qiellit, aleluja.
Ant. 2 Meshtarët e shenjtë do t’i kushtojnë Hyjit kem dhe bukë, aleluja.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
net e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Meshtarët e shenjtë do t’i kushtojnë Hyjit kem dhe bukë, aleluja.
Ant. 3 Fituesit do t’i japë manën e fshehtë dhe një emër të ri, aleluja.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fituesit do t’i japë manën e fshehtë dhe një emër të ri, aleluja.
Leximi i shkurtër Mal 1, 11
Prej ku lind dielli e deri ku perëndon i madhërueshëm është Emri im ndër popuj, e në çdo vend i digjet kem dhe i kushtohet fli e pastër Emrit tim, sepse është i madhërishëm Emri im ndër popuj - thotë Zoti i Ushtrive.
Përgjigjja e shkurtër
C Na e dhe bukën, frytin e tokës. * Aleluja, aleluja.
Na e dhe bukën, frytin e tokës. Aleluja, aleluja.
D Dhe verën që e gëzon zemrën tonë.
Aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Na e dhe bukën, frytin e tokës. Aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Jezu Krishtit, bukës së jetës, dhe hareshëm t’i klithim:
Lum ata që do të hanë bukën në mbretërinë tënde, o Zot.
O Krisht, meshtar i besëlidhjes së re dhe të amshuar, në kryq ia paraqite Atit flinë e përkryer
— na mëso edhe ne që ta kushtojmë denjësisht bashkë me Ty.
O Krisht, mbret paqeje dhe drejtësie, që në shenjë të bukës dhe të verës na e dhe përkujtimin e flisë sate në kryq,
— bëj që edhe ne së bashku me ty të lartësohemi në dhuratë kushtimi.
O Krisht, adhurues i Atit, flinë tënde të pastër Kisha e paraqet prej lindjes deri në perëndim
— në trupin tënd bashkoji të gjithë ata që ushqehen me të njëjtën bukë.
O Krisht, Kishën tënde e ushqen me trupin tënd dhe me gjakun tënd,
— bëj që të forcuar nga ky ushqim, ta arrijmë malin tënd të shenjtë.
Krisht, shtegtar i padukshëm i tryezës sonë, që qëndron para derës dhe troket
— eja te ne dhe merr pjesë në tryezën tonë, që edhe ne të marrim pjesë në tryezën tënde.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, që në sakramentin e mrekullueshëm të Eukaristisë na e le përkujtimin e Pashkës sate, bëj që ta adhurojmë me fe të gjallë misterin e shenjtë të Trupit dhe të Gjakut tënd, që përherë t’i sprovojmë të mirat e Shëlbimit. Ti që jeton.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.