Lavdet e mëngjesit

Java e dhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E mërkurë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Autor i qiellit shkëlqimplotë,

   që ndriçon hanën netëve,

   diellin n’udhëtim të ditëve

   krijove n’shtigje të sigurta.

 

   Tani nata e zezë dëbohet,

   rilind shkëlqimi i botës,

   fuqia e re e mendjes

   ngrihet n’vepra tërheqëse.

 

   Me këndue lavdet tua

   dita i nxit tregimet,

   më e këndshme pamja e qiellit

   i kthjellon zemrat tona.

 

   Të shmangim çdo lloj gënjeshtre

   t’ulet prapësia e shpirtit,

   ngjarjet mos ta njollosin jetën,

   gjuha me fajin mos të plekset.

 

   Por, sa dielli sjell ditën,

   besimi i thellë të ziejë,

   shpresa të nxisë premtime,

   Krishtit t’i mbështetet dashuria.

 

   Bëj, o Atë, tërë i drejti,

   dhe, o Bir baras me Atin,

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   sundues ndër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 E shenjtë është udha jote: cili hyj është i madh si ti, o Zot?

 

   Psalmi 77 /76/ (2-21) Hyji i ripërtërin mrekullitë e dashurisë së vet

 

   Nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë (2Kor 4, 8. 14).

 

Drejt Zotit e ngrita zërin tim, *

   drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon.

 

Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin, †

   natën drejt tij i lartësoj duart e mia

   e nuk lodhem, *

   por shpirti im nuk gjen ngushëllim,

 

më bie në mend Hyji dhe fshaj, *

   e kujtoj e më paket fryma.

Hapur m’i mban qepallat e syve të mi, *

   i tronditur jam e nuk mund të flas.

 

Mendoj ditët e kaluara, *

   më bien në mend vitet e lashta.

Mendoj natën në zemrën time, *

   përsiat dhe shpirti im shqyrton:

Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë, *

   dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë?

A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij, *

   premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë?

 

Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje, *

   i zemëruar thua cak i vuri mëshirës së vet?

Dhe thashë: »Ja, plaga ime: *

   është shndërruar e djathta e Tejetlartit.«

 

Në mend me bien veprat e Zotit, *

   i kujtoj mrekullitë e tua qysh prej fillimit.

Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua, *

   meditoj mbi veprat e tua të larta.

 

O Hyj, të shenjta janë udhët e tua, *

   cili hyj është i madh si Hyji ynë?

Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli, *

   mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde.

 

Me të djathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd, *

   bijtë e Jakobit e të Jozefit.

 

Të panë ujërat, o Hyj, †

   të panë ujërat e u zmbrapsën, *

   u trazuan deri edhe humnerat!

 

Riguan retë ujëra, †

   dhanë retë gjëmat e veta *

   shigjetat e tua fluturuan!

 

Bubullima jote jehoi në stuhi, †

   vetëtimat shndritën rruzullin e Tokës, *

   u tund Toka dhe u trand!

 

Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha, *

   gjurmët e tua askush nuk i njeh.

 

Porsi grigjës i prive popullit tënd, *

   me dorë të Moisiut e të Aronit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E shenjtë është udha jote: cili hyj është i madh si ti, o Zot?

 

Ant. 2 Shpirti im brohoret në Zotin: është ai që përul dhe ngre.

 

   Kënga 1 Sam 2, 1-10 Gëzimi dhe shpresa e të përvuajturve është në Zotin

 

   I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë (Lk 1, 52-53).

 

Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit *

   m'u trash krahu në saje të Hyjit tim;

hapur e kam gojën kundër armiqve të mi, *

   sepse më gëzove me bamirësinë tënde.

 

Askush s'është i shenjtë krahas me Zotin,

   sepse përveç teje tjetër s'ka! *

   Nuk ka të fortë porsi Hyji ynë!

 

Oh, mos flisni fjalë të mëdha krenie, *

   larg gojës suaj fjalët me madhështi:

sepse Hyji është Zoti që di gjithçka *

   e prej tij peshohen veprimet!

 

Harku i të fortëve u thye, *

   kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!

 

Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje, *

   kurse të uriturit më s'sprovojnë skamje.

Beronja lindi fëmijë me shumicë, *

   kurse ajo që pati shumë u shua.

 

Zoti bën që të vdiset e të jetohet, *

   plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.

Zoti bën skamnor e të pasur, *

   përul edhe lartëson;

 

prej pluhuri e ngre varfanjakun, *

   prej llomit e lartëson skamnorin,

që të rrijë me princa, *

   që ta zërë vendin e nderit.

 

Sepse të Zotit janë shtyllat e tokës *

   mbi to e vendosi botën.

Ai i ruan hapat e besnikut të vet,

   në errësirë do të zhduken keqbërësit, *

   s'është forca që burrin e bën burrë!

 

Zoti do t'i ndrydhë kundërshtarët e vet, *

   prej qiellit mbi ta thekshëm do të bubullijë!

 

Zoti do ta gjykojë mbarë botën,

   sundimin do t'ia japë mbretit të vet, *

   Ai do t'ia ngrejë ballin Mesisë së vet!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shpirti im brohoret në Zotin: është ai që përul dhe ngre.

 

Ant. 3 Zoti mbretëron, le të galdojë toka.

 

   Psalmi 97 /96/ (1-12) Lavdia e Zotit në gjykim

 

   Ky psalëm bën fjalë për shëlbimin dhe për fenë e të gjithë popujve në Krishtin (Shën Atanazi).

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

   e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

   dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tij e shndritin botën, *

   sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

   para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

   të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

   të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

   Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

 

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

   galduan bijat e Judës. *

   për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

Sepse ti je, o Zot,

   i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

   ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

   Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

   i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

   e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

   nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti mbretëron, le të galdojë toka.

 

   Leximi i shkurtër Rom 8, 35. 37

 

   Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? Në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Do ta bekoj Zotin * në çdo kohë.

   Do ta bekoj Zotin në çdo kohë.

   D Në gojën time gjithmonë lavdi i tij,

   në çdo kohë.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Do ta bekoj Zotin në çdo kohë.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Në shenjtëri e drejtësi në çdo ditë të jetës sonë t’i shërbejmë Zotit.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Në shenjtëri e drejtësi në çdo ditë të jetës sonë t’i shërbejmë Zotit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Shëlbuesit tonë, i cili premtoi se do të qëndrojë me Kishën e vet deri në mbarimin e botës, t’i japim lavdi dhe t’i lutemi:

 

   Rri me ne, o Zot!

 

Rri me ne, o Zot, gjatë tërë kësaj dite:

le të na shndrisë pa pushim drita e mëshirës sate.

Këtë ditë po ta kushtojmë porsi dhuratë:

mos lejo të na rrëmbejë e keqja.

O Zot, bëj që dhurata e shndritjes sate ta përshkojë tërë këtë ditë:

që të jemi kripa e tokës dhe drita e botës.

Shpirti Shenjt le t’i drejtojë mendimet dhe fjalët tona:

që të mbetemi në dashurinë tënde dhe vazhdimisht të të lavdërojmë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e Ligjit tënd të shenjtë në urdhërimin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit, bëj që, duke ecur udhës së urdhërimeve të tua, t’ia arrijmë jetës së amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.