Lavdet e mëngjesit
Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë
Java III e Psalterit
E shtunë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, e tij është toka dhe çdo krijesë.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Agimi i vishet qiellit,
dita i përshkohet rruzullit,
jehon shigjeta e dritës;
çahet çdo tokë rrëshqitëse.
Të bjerë fantazma e natës,
të shembet mëkati i mendjes,
të shuhet çdo tmerr që solli
n’errësirë nata fajtore.
Në mëngjes ajo e fundit,
që shtrirë për dhe e presim,
për ne në dritë të zhduket,
derisa me këngë bën zhurmë.
Atit Hyj i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm
me Shpirtin Ngushëllimtar,
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti je afër, o Zot, dhe besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Psalmi 119 /118/ XIX (145-152) Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit
Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t'i zbatojmë urdhërimet e tija (1 Gjn 5, 3).
Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *
dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.
Klitha drejt teje, më shpëto, *
që t’i ruaj dëshmitë e tua.
Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *
shpresoj në fjalën tënde.
Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *
për të përsiatur fjalët e tua.
Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *
e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.
U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *
janë larg nga Ligji yt.
Por ti, o Zot, je afër, *
besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Që moti di për urdhërimet e tua, *
se i themelove për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti je afër, o Zot, dhe besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.
Ant. 2 Qoftë me mua, o Zot, urtia jote, ajo më ndihmoftë në vështirësitë e mia.
Kënga Urt 9, 1-6. 9-11 O Zot, më jep urtinë
Unë do t'ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën askush s'do të mund ta kundërshtojë (Lk 21, 15).
O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, *
ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin,
që njeriun e krijove me anë të urtisë sate *
për të sunduar krijesat që ti i përftove,
për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi *
dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë:
ma jep urtinë që rri në fron pranë teje *
dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu,
sepse jam shërbëtori yt, biri i skllaves sate, †
njeri i vogël e jetëshkurtër, *
i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj.
Sepse, edhe po t'u gjente ndër bijtë e njerëzve
ndokush i përsosur, †
por, në qoftë se i mungon urtia jote, *
do të vlerësohej për asgjë.
Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, *
që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin,
dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu *
dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua.
Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë, *
çoje prej selisë së madhërisë sate,
që të jetë me mua e të mundohet
krah për krah me mua, *
që të di çka është e pëlqyeshme para teje.
Sepse ajo di dhe gjithçka kupton, †
të më përcjellë me maturi në veprat e mia *
e të më mbrojë me lavdinë e vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Qoftë me mua, o Zot, urtia jote, ajo më ndihmoftë në vështirësitë e mia.
Ant. 3 Besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
Psalmi 117 /116/ (1-2) Grishje për të lavdëruar Zotin për dashurinë e tij
Këtë them unë: Paganët e lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij (Krh. Rom 15, 8. 9).
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *
besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
Leximi i shkurtër Fil 2, 14-15
Bëni gjithçka pa murmurim e pa vonesë, që të jeni pa të meta dhe të pastër, fëmijë të panjollë të Hyjit në midis të kësaj breznie të prishur e dinake, në të cilën ndriçoni porsi pishtarë në botë,
Përgjigjja e shkurtër
C E thërras Zotin: * Ti je strehimi im.
E thërras Zotin: Ti je strehimi im.
D E mira ime në tokën e të gjallëve,
Ti je strehimi im.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
E thërras Zotin: Ti je strehimi im.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Shndriti, o Zot, ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Shndriti, o Zot, ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes.
Lutjet e besimtarëve
Zoti ka dashur që Maria, nëna e Krishtit, të jetë e ngritur mbi të gjitha krijesat qiellore dhe tokësore. T’i lutemi:
Shikoje Nënën e Birit tënd dhe dëgjoje lutjen tonë!
Atë i mirë, të falënderojmë sepse Marinë na e ke dhënë për nënë dhe shembull:
— me ndërmjetësinë e saj na shenjtëro.
Marinë e bëre të dëgjueshme ndaj fjalës sate dhe shërbëtore besnike:
— me ndërmjetësinë e saj na bëj nxënës dhe shërbëtorë të Birit tënd.
Marinë e forcove nën kryq dhe me ringjalljen e Birit tënd e mbushe me gëzim:
— me ndërmjetësinë e saj na i lehtëso mundimet dhe na e forco shpresën.
Ti, që Marisë ia ke dhënë privilegjin që të bëhet nënë për virtyt të Shpirtit Shenjt:
— me ndërmjetësinë e saj, na jep frytet e Shpirtit tënd të Shenjtë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Bëj, o Hyji i gjithëpushtetshëm, që ta shpallim fuqinë e Zotit të ringjallur, kështu që, sikurse e morëm pengun e dhuratës, të mund t’i fitojmë nëpër të dhuratat qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.