Lavdet e mëngjesit

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. T’i këndojmë lavdisë së Zotit, para fytyrës së tij.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Hiri i lavdisë atërore,

   që nxjerr dritën nga drita,

   dritë drite e gurrë ndriçimi,

   ditë që i jep ndriçim ditës.

 

   Diell i vërtetë, paprerë

   zbrit me ndriçim shkëlqyes,

   dhe zbraz ndër shqisat tona

   dritën e Shpirtit Shenjt.

 

   Atit me kushte i lutemi,

   Atit të lavdisë s’amshuar,

   Atit që jep hir të fuqishëm,

   të shporrë fajet e rreme.

 

   Të bëjë veprime të shkathta,

   t’ia çmprehë dhëmbin smirëziut,

   të përkrahë në raste të vështira

   t’i japë për të kryer ndere.

 

   Të drejtojë mendje e të sillet

   me trup besnik të pastër;

   të shkëlqejë me ngrohtësi feja,

   të mos njohë helme mashtrimi.

 

   Ushqimi ynë të jetë Krishti,

   dhe pija jonë të jetë Feja;

   të gëzueshëm të pimë t’urtën

   dehje të Shpirtit Shenjt.

 

   Kjo ditë të kalojë e këndshme;

   si ag drite qoftë

   pastria të jetë si agimi, feja si mesi i ditës,

   errësirë të mos dijë mendja.

 

   Agimi udhëheq udhëtimet:

   Agimi të priftë përpara,

   në Atin i tërë Biri,

   dhe Ati i tërë në Fjalën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Lum ai që banon në Shtëpinë tënde, o Zot!

 

   Psalmi 84 /83/ (2-13) Dëshira për tempullin e Zotit

 

   Nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë të ardhshmin (Heb 13, 14).

 

Sa të dashura janë banesat e tua, *

   o Zoti i Rruzullimit!

Shpirti im shkrihet e meket *

   për pallatet e Zotit.

 

Zemra ime e trupi im *

   i brohoritin Hyjit të gjallë.

 

Edhe trumcaku e gjen bunin e vet *

   edhe turtulli çerdhen e vet

   ku i vë zogjtë e vet:

e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive, *

   Mbreti im e Hyji im!

 

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde: *

   do të të lavdërojnë për amshim.

Lum ai që në ty gjen forcën *

   dhe vendos për shtegtim të shenjtë.

 

Kur kalojnë nëpër luginën e thatë †

   e shndërrojnë në burim uji të gjallë, *

   sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.

 

Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë *

   derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo uratën time, *

   më vështro, o Hyji i Jakobit.

Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë, *

   shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!

 

Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde *

   se të tjera me mijëra!

Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim, *

   më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.

 

Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj, *

   ai dhuron hirin e nderin.

Zoti nuk ua mohon të mirat *

   atyre që jetojnë të pafajshëm.

 

O Zot Sabaot, *

   lum njeriu që shpreson në ty!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Lum ai që banon në Shtëpinë tënde, o Zot!

 

Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!

 

   Kënga Is 2, 2-5 Qyteti i ri i Hyjit, qendra e mbarë njerëzimit

 

   Të gjitha kombet do të vijnë dhe do të përmbysen para Teje (Zb 15, 4).

 

Do të ndodhë në kohën e ardhshme:

   mali i Shtëpisë së Zotit *

   do të vendoset mbi majën e maleve,

 

e do të ngallitë përmbi kreshta *

   dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.

 

Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë:

   »Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, *

   në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit

 

që të na i mësojë udhët e tija *

   e të ecim shtigjeve të tija,«

sepse nga Sioni do të dalë Ligji *

   dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.

 

Ai do të jetë gjykatësi i popujve *

   dhe do t'i gjykojë fiset e shumta,

shpatat e veta do t'i kthejnë në plorë *

   e heshtat në drapërinj.

 

Një popull nuk do të ngritë shpatën

   kundër një populli tjetër *

   dhe më s'do të ushtrohen për luftë.

Eja, o shtëpia e Jakobit, *

   të ecim në dritën e Zotit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ejani të ngjitemi në malin e Zotit!

 

Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni Emrin e tij.

 

   Psalmi 96 /95/ (1-13) Zoti mbret dhe gjykatës i gjithësisë

 

   Këndonin një këngë të re para fronit të Qengjit (Krh. Zb 14, 3).

 

Këndoni Zotit një këngë të re! *

   Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!

Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij, *

   shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!

 

Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, *

   ndër mbarë popujt mrekullitë e tij!

Sepse i madh është Zoti,

   - tejet i denjë për t’u lavdëruar, *

   më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!

 

Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve, *

   kurse Zoti e ka krijuar qiellin.

Para tij është shkëlqimi e lavdia, *

   në Shenjtëroren e tij pushteti e bukuria!

 

Jepni Zotit, familjet e popujve, †

   jepni Zotit nder e fuqi, *

   jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!

 

Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij, *

   adhuroni Zotin në stoli të shenjtë!

Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! *

   Shpallni ndër paganë: »Mbret është Zoti!«

 

Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; *

   i gjykon popujt me drejtësi.

 

Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë! †

   Le të buçasë deti me ç’ka në të, *

   le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,

le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve, †

   para fytyrës së Zotit, sepse Ai po vjen, *

   sepse po vjen për të gjykuar tokën!

 

Do ta gjykojë botën me drejtësi, *

   do t’i gjykojë popujt me të vërtetën e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit dhe bekojeni Emrin e tij.

 

   Leximi i shkurtër Jak 2, 12-13

 

   Flitni e veproni si ata që do të gjykohen me ligjin e lirisë! Sepse, gjyqi nuk ka mëshirë për atë që nuk është i mëshirshëm; mëshira ngadhënjen mbi gjyqin.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Që nga fillimi e deri në amshim,

   * qoftë bekuar Zoti!

   Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!

   D Vetëm ai bëri mrekulli:

   qoftë bekuar Zoti!

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Që nga fillimi e deri në amshim, qoftë bekuar Zoti!

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji ynë!

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Zotit, i cili i krijoi njerëzit, që ata së bashku të veprojnë në nder e lavdi të Emrit të tij, dhe përzemërsisht t’i themi:

 

   Bëj, o Zot, që të të lavdërojmë

 

Bekuar qofsh, Krijues i botës,

të falënderojmë për të gjitha të mirat dhe për jetën që na jep.

Shikona ne, që nëpërmjet punës së përditshme, marrim pjesë në veprën tënde,

bëj që të kryejmë gjithçka sipas vullnetit tënd.

Le të jetë puna e ditës së sotme në dobi të vëllezërve tanë,

që me ta dhe për ta, të ndërtojmë një botë të re që të të pëlqejë ty.

Na jep gëzim dhe paqe,

neve dhe të gjithë atyre që sot do t’i takojmë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Ndiko në ne, o Zot, Shpirtin e kuptimit dhe të dijes, që me zemër të çiltër të njohim çka të pëlqen ty, dhe ta zbatojmë me përpikëri. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.