Lavdet e mëngjesit

Java e njëmbdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java III e Psalterit

 

E martë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Agimi i këndshëm botës

   i lajmëron shigjetat e diellit,

   me ngjyrë duke i veshur sendet

   i jep shkëlqim çdo gjëje.

 

   O Krisht, për jetë bën diellin

   të shkëlqejë për ne dritëplotë,

   kah ti duke kënduar sillemi,

   me shpirt me ty të gëzohemi.

 

   Ti je tërë dija e Atit

   dhe Fjala nga çdo gjë

   shndrit me rend të mahnitshëm,

   dhe tërheq mendjet tona.

 

   Bëj që ne bijtë e dritës,

   kështu të ecim të shkathët,

   që deri në hir të Atit

   të shprehin zakone e vepra.

 

   Të thjeshta bëji të rrjedhin

   nga goja jonë paprerë,

   të nxitemi nga gëzimet

   e ëmbla të së vërtetës.

 

   Të qoftë, o Krisht, mbret krejt i shenjtë,

   lavdia ty e Atit

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   ndër shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ke qenë i mirë me ne, o Zot: ia fale fajet popullit tënd.

 

   Psalmi 85 /84/ (2-14) Shpëtimi ynë është afër

 

   Krishti Jezus u bë për ne dije, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim (1 Kor 1, 30).

 

Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde, *

   i riatdhesove të treturit e Jakobit.

Ia fale fajet popullit tënd, *

   mbulove të gjitha mëkatet e tyre.

 

I vure cak felgrimit tënd të madh, *

   zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd.

 

Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë, *

   largoje zemërimin tënd prej nesh.

A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne *

   e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni?

 

Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë *

   që populli yt të gëzohet në ty?

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde *

   e na jep shëlbimin tënd!

 

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, †

   ai premton paqe për popullin e vet, *

   për të dashurit e vet

   e për ata që me gjithë zemër kthehen.

 

Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë, *

   lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

 

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, *

   drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka *

   e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

 

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë *

   edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara *

   dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ke qenë i mirë me ne, o Zot: ia fale fajet popullit tënd.

 

Ant. 2 Natën ty të dëshiron shpirti im, ty të kërkon në mëngjes.

 

   Kënga Is 26, 1-4. 7-9. 12 Himni pas fitores

 

   Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele (Krh. Zb 21, 14).

 

Qytezën e kemi të fortë, *

   na e ndërtoi Ai për shpëtim,

   ndërtoi mure e paramure.

Hapni dyert: *

   le të hyjë populli i drejtë që e mban besën.

 

Shpirti i të cilit s'ka luhatje;

   ruaja paqen, *

   sepse në ty e ka vënë shpresën.

 

Kini shpresë në Zotin gjithherë, *

   sepse Zoti është Qeta e amshueshme;

 

Udha e të drejtit është e drejtë, *

   të drejtit ti ia rrafshon shtegun,

 

Udhës që endin gjyqet e tua, *

   ne, o Zot, në ty shpresojmë;

Emri yt e kujtimi yt *

   është dëshira e shpirtit tonë.

 

Shpirti im të dëshiron natën, *

   me mend të mia, në veten time të kërkoj.

Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, *

   banorët e botës e mësojnë drejtësinë.

 

Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen, *

   pasi ti të mbarën ua jep

   të gjithave që ne ndërmarrim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Natën ty të dëshiron shpirti im, ty të kërkon në mëngjes.

 

Ant. 3 Fytyra jote, o Zot, ndriçoftë mbi ne.

 

   Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (Hyrja fq. I).

 

   Psalmi 67 /66/ (2-8) Mbarë popujt le ta lavdërojnë Zotin

 

   Ta dini të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve paganë (Vap 28, 28).

 

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *

   bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij, *

   në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

 

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *

   mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

 

Le të galdojnë e le brohorasin popujt, †

   sepse popujt i gjykon me drejtësi, *

   sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

 

Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *

   mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

 

Toka e dha frytin e vet: *

   na bekoftë Hyji, Hyji ynë!

Na bekoftë Hyji! *

   Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fytyra jote, o Zot, ndriçoftë mbi ne.

 

   Leximi i shkurtër 1 Gjn 4, 14-15

 

   Ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për Shëlbues të botës. Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të edhe ai në Hyjin.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,

   * në ty e vë shpresën time.

   O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,

   në ty e vë shpresën time.

   D Shqyti im dhe mburoja ime,

   në ty e vë shpresën time.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   O Hyj, shkëmbi i shpëtimit tim,

   në ty e vë shpresën time.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. E ngriti Shpëtimtarin tonë, sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. E ngriti Shpëtimtarin tonë, sikurse premtoi kaherëme gojë të profetëve të tij.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta adhurojmë Krishtin, i cili me gjakun e vet fitoi për vete një popull të ri, dhe përzemërsisht t’i lutemi:

 

   Le të të bjerë në mend, o Zot, për popullin tënd!

 

O Krisht, Mbreti dhe Shëlbuesi ynë, dëgjoje lavdin që ta kushton Kisha jote në fillim të kësaj dite:

mësoje që ta lavdërojë Emrin tënd.

Shqyti ynë dhe fuqia jonë, në ty është krejt shpresa jonë:

mos lejo kurrë që të turpërohemi dhe të dëshpërohemi.

Shikoji dobësitë tona dhe na eja në ndihmë:

pa ndihmën tënde asgjë nuk mundemi.

Kujtoji të varfrit dhe të braktisurit:

kjo ditë që ka filluar mos t’u bëhet e rëndë, por t’u sjellë ngushëllim dhe gëzim.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Shndriti zemrat tona, o Zot, me shkëlqimin e lumturisë sate dhe përherë na i ndiz në dashuri, që gjithnjë e më tepër ta njohim Shëlbuesin tonë dhe të bashkohemi me të. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.