Lavdet e mëngjesit

Java e dymbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E hënë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Dhurues bujar i dritës,

   që me ndriçim të kthjellët

   pas ikjes s’orëve t’natës

   dita e rikthyer hapet,

 

   Ti dielli i saktë i botës,

   jo ai i yllit t’vogël

   lajmëtar i dritës s’ardhshme

   që shndrit me ndriçim t’pakët,

 

   por më i qartë se dielli i plotë,

   është drita vetë dhe dita,

   që ndrit zonën e brendshme

   të zemrës n’parzmen tonë.

 

   Na mbro, krijuesi i sendeve,

   lavdia e dritës atërore,

   se nga hiri të shmangura

   dridhen gjymtyrët tona.

 

   O Krisht, mbret tërë i drejti,

   Ty e Atit qoftë lavdia

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   ndër shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në mëngjes na ngin mëshira jote, o Zot, Hyji ynë.

 

   Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne

 

   Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2Pjt 3, 8).

 

O Zot, ti u bëre strehimi ynë *

   nga breznia në brezni.

 

Para se të lindnin malet, †

   para se të bëhej toka dhe rruzulli, *

   prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

 

Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *

   »Kthehuni, bijtë e Adamit!«

 

Sepse mijëra vjet për sy të tu †

   janë si dita e djeshme që kaloi, *

   porsi ndërresa e rojës së natës!

 

Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *

   që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *

   në mbrëmje korret edhe vyshket!

 

Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *

   na tmerroi furia e zemërimit tënd.

Para vetes i vure fajet tona, *

   të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

 

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *

   si një ofshamë mbaruan vitet tona.

 

Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *

   po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,

por shumica me mundim e dhembje, *

   kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.

 

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *

   felgrimin tënd siç e lyp frika jote?

 

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *

   që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

 

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *

   Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *

   e do të gëzohemi e do të galdojmë

   të gjitha ditët e jetës sonë.

 

Gëzona për ditët që na mundove, *

   për vjetët që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *

   shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

 

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †

   bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *

   të përparojë vepra e duarve tona.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në mëngjes na ngin mëshira jote, o Zot, Hyji ynë.

 

Ant. 2 Mbarë toka le ta lavdërojë Zotin.

 

   Kënga Is 42, 10-16 Himn Zotit fitimtar dhe shpëtimtar

 

   Këndonin një këngë të re para fronit të qengjit (Krh. Zb 14, 3).

 

Këndoni Zotit një këngë të re, *

   lavdinë e tij prej skajeve të tokës,

le ta lavdërojë deti me gjithçka që mban brenda, *

   ishujt me banorët e tyre!

 

Le ta lartësojë zërin shkretëtira dhe qytetet e saja, *

   le të galdojnë fshatrat ku banojnë cedarët,

 

le të brohorisin banorët e Qetës, *

   le të klithin nga kreshtat e bjeshkëve!

Le t'i japin nder Zotit, *

   lavdinë e tij ta shpallin nëpër ishuj!

 

Marshon Zoti porsi trim mbi trima, *

   si luftëtar trim flakë e ndez zemërimin,

me britma lufte ushton zëri i tij, *

   ngadhënjyes del mbi armiqtë e vet.

 

»Për një kohë të gjatë unë heshta, shujta, *

   qeshë i durueshëm,

tashti do të bërtas si lindësja, *

   do të gjëmoj, njëherësh do të turfulloj!

 

Shkretëtirë do të bëj male e kodra, *

   do të përvëloj çdo blerim të tyre,

ishuj lumenjtë do t'i bëj, *

   kurse kënetat do t'i përthaj!

 

Do të bëj të verbëtit të ecin udhës që s'e njohin, *

   shtigjeve që s'i njohin t'i bëj të kalojnë,

errësirën para tyre në dritë unë do ta kthej, *

   udhët e shtrembra do t'i bëj të drejta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Mbarë toka le ta lavdërojë Zotin.

 

Ant. 3 Lëvdojeni Emrin e Zotit, ju që qëndroni në Shtëpinë e Hyjit tonë.

 

   Psalmi 135 /134/ I (1-12) Lavdërojeni Zotin që bën mrekulli

 

   Popull që Hyji e fitoi për vete, shpalli veprat e madhërueshme të Atij që të thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme (Krh. 1 Pjt 2, 9).

 

Lëvdojeni Emrin e Zotit, *

   lëvdojeni ju, o shërbëtorët e Zotit,

që qëndroni në Shtëpinë e Zotit, *

   në oborret e Shtëpisë së Hyjit tonë!

 

Lavdëroni Zotin sepse i mirë është Zoti, *

   këndoni Emrit të tij sepse është i ëmbël!

Sepse Zoti e zgjodhi Jakobin për vete, *

   Izraelin për pronën e vet.

 

Unë e di mirë se i madh është Zoti, *

   Hyji ynë është mbi gjithë hyjtë.

 

Gjithçka do Zoti bën në qiell e në tokë, *

   në det e në të gjitha humnerat.

 

Bën të mblidhen retë prej skajeve të tokës, †

   me vetëtima e prodhon shiun, *

   erën e nxjerr nga vendet e strehimit.

 

Ai Egjiptit ia mbyti të parëlindurit *

   si të njerëzve ashtu edhe të bagëtive.

Bëri shenja e mrekulli midis teje, o Egjipt, *

   kundër faraonit e të gjithë shërbëtorëve të tij.

 

Shfarosi një numër të madh paganësh, *

   vrau sa mbretër të fortë:

   Sehonin, mbretin e amorrenjve

e Ogun, mbretin e Basanit, *

   i rroposi të gjitha mbretëritë e Kanaanit,

 

e tokën, pronën e tyre, *

   ia dha Izraelit, popullit të vet, për trashëgim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lëvdojeni Emrin e Zotit, ju që qëndroni në Shtëpinë e Hyjit tonë.

 

   Leximi i shkurtër Jt 8, 26-27a

 

   Le t’ju bjerë ndër mend se si Hyji i vuri në provë etërit tuaj. Mos e harroni se sa prova të mëdha i bëri Abrahamit, Izakut e sa prova të mëdha i bëri Jakobit. Ata i përshkoi nëpër zjarrin e provave për t’ua njohur zemrën.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Galdoni, o të drejtë, në Zotin,

   * shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.

   Galdoni, o të drejtë, në Zotin,

   shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.

   D Këndoni Zotit një këngë të re,

   shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Galdoni, o të drejtë, në Zotin,

   shenjtërve u ka hije lavdërimi i tij.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Qoftë bekuar Zoti! Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Qoftë bekuar Zoti! Ai e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i lutemi Krishtit, i cili i dëgjon dhe i shpëton ata që në të kanë shpresë dhe t’i brohorasim:

 

   O Krisht, ty të lavdërojmë, në ty shpresojmë!

 

Të falënderojmë, o Krisht, i pasur me mëshirë:

me dashuri të madhe na ke dashur.

Ti që vepron vazhdimisht me Atin në historinë tonë:

eja dhe çdo gjë bëje të re me fuqinë e Shpirtit Shenjt.

Hapi sytë tanë dhe sytë e vëllezërve tanë:

t’i shohim veprat e tua të mrekullueshme:

Ti sot na thërret që Ty të të shërbejmë:

na bëj shërbëtorë të mëshirshëm të vëllezërve tanë.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, burimi i çdo të mire, na frymëzo mendime të drejta dhe na ndihmo t’i vëmë në veprim në nder të emrit tënd. Nëpër Zotin tonë.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.