Lavdet e mëngjesit
29 qershor Shën Pjetri e Pali, apostuj
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Mundimet e Apostujve
shenjtëruan ditën e shekullit,
ngadhënjimin fisnik të Pjetrit,
duke i vënë kurorë Palit.
Bashkoi burra të qëndrueshëm
gjaku ngadhënjyes i vdekjes;
ithtarët e prijësit Hy
i kurorëzoi feja e Krishtit.
Pjetri, i pari Apostull;
dhe Pali me hir baras,
visar i zgjedhjes shenjte
barazoi fenë e Pjetrit.
Kokëposhtë në dru të kryqit
Simoni i varur hipi
duke i dhënë nder Hyjit
siç e tha profecia.
Prandaj Roma fisnike
në kulmin e flijimit
ndërtuar mbi gjak të tillë
profet këtë lart e ngriti.
Në këtë botë kush mendon të shkojë
të ndeshet me pleb të qiellit:
e zgjedhur kryet e kombeve,
seli e mësuesit të kombeve.
Prandaj, Shëlbues, të lypim
në shoqëri me këta princa
të bashkosh skllevërit e rinj të luten
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 E di kujt i kam besuar: ai, gjyqtari i drejtë, do të më shpërblejë në ditën e fundit me frytin e mundimeve të mia.
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E di kujt i kam besuar: ai, gjyqtari i drejtë, do të më shpërblejë në ditën e fundit me frytin e mundimeve të mia.
Ant. 2 Hiri i Zotit në mua nuk qe i kotë; hiri i Zotit nuk më braktis.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Hiri i Zotit në mua nuk qe i kotë; hiri i Zotit nuk më braktis.
Ant. 3 E bëra luftën e mirë, e përfundova vrapimin dhe e ruajta fenë.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
3 E bëra luftën e mirë, e përfundova vrapimin dhe e ruajta fenë.
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Fort të dashur, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
Përgjigjja e shkurtër
C E dhanë jetën * për Krishtin Zot.
E dhanë jetën për Krishtin Zot.
D Ishin të gëzuar kur i fyenin
për Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
E dhanë jetën për Krishtin Zot.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Te kush të shkojmë, o Zot? Ti i ke fjalët e jetës së pasosur; e ne besuam dhe e dimë se ti je Biri i Hyjit, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Te kush të shkojmë, o Zot? Ti i ke fjalët e jetës së pasosur; e ne besuam dhe e dimë se ti je Biri i Hyjit, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
Krishti e ndërtoi Kishën e vet mbi themelin e apostujve dhe profetëve. Atij me besnikëri t’ia drejtojmë lutjen:
Bekoje Kishën tënde, o Zot.
Për Pjetrin u lute të mos lëkundet feja e tij
— forcoje fenë e Kishës sate.
Pas ringjalljes iu duke Simon Pjetrit dhe Saulit iu shfaqe
— shndriti mendjet tona që të të shpallim ty, të Gjallin.
Palin e zgjodhe për apostull që në emrin tënd t’ua kumtojë paganëve Ungjillin
— na bëj kumtues të vërtetë të Ungjillit tënd.
Mohimin e Pjetrit mëshirshëm e fale
— fali edhe fajet tona.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Zot, ti na gëzon me të kremten e nderuar të shën Pjetrit e shën Palit, apostuj: jepi Kishës sate një besnikëri të përsosur ndaj mësimit të tyre, pasi prej tyre ajo mori lajmin e parë të fesë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.