Lavdet e mëngjesit

3 korrik, Shën Toma, apostull

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

V. O Zot, hapi buzët e mia!

P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin mbretin dhe zotërinë e apostujve.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V.    Hyj, më eja në ndihmë!

P.    O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V.    Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P.    si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Himni

 

      Ti që shkëlqen me dritën më të madhen

      e radhës së Apostujve,

      prano, o Thoma, mirëdashës

      lavdet që ty të thurim.

 

      Ty në selitë e ndritshme

      vendos dashnia e Krishtit,

      ti i gatshëm prej dashnie

      lakmon me vdekë për Mësuesin.

 

      Ty të mundon dëshira

      kur të tregojnë vëllezrit,

      për siguri don t’shohësh

      duke prekë n’plagë Jezusin.

 

      Me sa gëzim të zemrës

      atë e shikon me dhimbje,

      e thua se i beson Hyjit,

      që e adhuron me valë të shpirtit.

 

      Për ne që nuk e shohim

      më e mprehtë n’ty bëhet feja,

      e zjarrtë dhe më e fuqishme

      ku ne kërkojmë dashninë e Krishtit.

 

      Krishtit i qoftë e tërë lumnia,

      që ne me lutjet tua

      t’na japë n’fé duke ecur

      parreshtur atë të shohim. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zotëri, ne s’dimë kah po shkon,  si, pra, mund ta dimë udhën? Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

 

      Psalmi 63 /62/ (2-9)

 

Shpirti i etshëm për Hyjin

 

      Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).

 

O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *

      Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron mishi im, *

      si toka e shkretë, e thatë, e paujë,

 

kështu erdha në Shenjtëroren tënde *

      për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *

      buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Kështu do të të bekoj në jetën time *

      e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *

      me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

 

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *

      në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime, *

      prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!

 

Shpirti im u mbështet në ty, *

      e djathta jote më merr për dore.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 Zotëri, ne s’dimë kah po shkon, si, pra, mund ta dimë udhën? Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

 

Ant. 2 Kur erdhi Jezusi, Toma nuk ndodhej me apostujt e tjerë. I thanë nxënësit e tjerë: E pamë Zotërinë, aleluja.

 

Kënga Dan 3, 57-88. 56

 

      Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin

 

      Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).

 

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *

      lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *

      bekojeni, o qiej, Zotin.

 

Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *

      të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.

Diell e hënë, bekojeni Zotin, *

      yjet e qiellit, bekojeni Zotin.

 

Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *

      të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.

Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *

      acar e vapë, bekojeni Zotin.

 

Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *

      akull e cegëm, bekojeni Zotin.

Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *

      netë e ditë, bekojeni Zotin.

 

Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *

      vetëtima e re, bekojeni Zotin.

Toka e bekoftë Zotin, *

      lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *

      bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.

Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *

      bekojeni, burime, Zotin.

 

Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,

      bekojeni Zotin, *

      të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.

Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *

      bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.

 

Bekoje, o Izrael, Zotin, *

      lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *

      shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.

 

Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *

      shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.

Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *

      lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *

      ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj

I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *

      i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

 

      Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.

 

Ant. 2 Kur erdhi Jezusi, Toma nuk ndodhej me apostujt e tjerë. I thanë nxënësit e tjerë: E pamë Zotërinë, aleluja.

 

Ant. 3 Shtjere gishtin tënd në shenjat e gozhdëve: mos ji njeri që s’beson, por besimtar, aleluja.

 

Psalmi 149 (1-9)

 

Festa e miqve të Zotit

 

      Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).

 

Këndoni Zotit një këngë të re, *

      këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!

Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *

      bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!

 

Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *

      le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,

sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *

      të përvujtët i nderon me shëlbim.

 

Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *

      le të brohorasin nga shtrojat e veta!

E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *

      e shpatën dytehëshe në dorë!

 

Për të marrë shpagim mbi paganë, *

      për t’u dhënë popujve ndëshkim,

për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *

      princat e tyre në zinxhirë të hekurt,

 

për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *

      - ky është nder për të gjithë besnikët e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 Shtjere gishtin tënd në shenjat e gozhdëve: mos ji njeri që s’beson, por besimtar, aleluja.

 

      Leximi i shkurtërEf 2, 19-22

 

      Nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C I vure si udhëheqës * në mes të popullit tënd.

      I vure si udhëheqës në mes të popullit tënd.

      D Do të bëjnë që të kujtohet emri yt, o Zot,

      në mes të popullit tënd.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      I vure si udhëheqës në mes të popullit tënd.

 

    Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Ti po më sheh, e po beson, Tomë, lum ata që nuk panë e besojnë, aleluja.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

      që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

      në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

      me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

      dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

      e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

      se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

      në shenjtëri e drejtësi para tij

      për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

      sepse do të shkosh përpara Zotit

      për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

      se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

      që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

      dhe në hijen e vdekjes, *

      për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ti po më sheh, e po beson, Tomë, lum ata që nuk panë e besojnë, aleluja.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Ne e kemi trashëgimin qiellor prej apostujve. Të falënderojmë Atin tonë për të gjitha dhuratat e tija dhe t'i brohorasim:

 

      Ty, o Zot, të lavdëron kori i apostujve.

 

Të falënderojmë, o Zot, për tryezën e Korpit dhe Gjakut të cilën na e dhurove nëpërmjet apostujve

    ajo na forcon dhe na jep jetë.

Për tryezën e fjalës sate që apostujt na e përgatitën

    e në të cilën ti na e jep dritën dhe gëzimin.

Për Kishën tënde të shenjtë, të ndërtuar mbi apostujt

    në të cilën të gjithë ne bëhemi një trup i vetëm.

Për pagëzimin tonë të cilin ua besove apostujve

    dhe i cili ne na pastron prej të gjitha mëkateve.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ta kremtojmë me gëzim festën e shën Tomës apostull, që, me ndërmjetësinë e tij, e në saje të fesë, të kemi jetën në emër të Krishtit, të cilin ai e dëshmoi për Zot e Hyj të tij. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.