Lavdet e mëngjesit

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E enjte

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani drejt Zotit me këngë gëzimi.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani që leu ylli i dritës,

   me shpirt Zotit t’i lutemi,

   që ndër vepra t’përditshme

   t’na ruajë nga të damshmit.

 

   Nën fre të na mbajë gjuhën,

   mos t’ushtojë tmerri i grindjes;

   t’na ruajë duke mbrojtë fytyrën,

   që mos të pësojë nga sqimat.

 

   T’jenë t’pastër shpirti e zemra,

   edhe larg qoftë tërbimi;

   përmbajtja e haes dhe e pijes

   ta ulë kreninë e mishit.

 

   Që, kur të kalojë dita

   dhe fati të kthejë natën,

   ne me anë të agjërimit

   t’këndojmë lavdinë e botës.

 

   Hyjit Atë qoftë lavdia

   dhe Birit tij të vetëm

   me Shpirtin Ngushllimtar,

   ndër shekujt e amshuar. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zgjoje, o Zot, pushtetin tënd, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo.

 

   Psalmi 80 /79/ (2-20) Vizitoje, o Zot, vreshtin tënd

 

   Eja, o Zot, Jezus! (Zb 22, 20).

 

Dëgjo ti, o Bariu i Izraelit, *

   ti që i prin Jozefit si grigjës,

ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe *

   para Efraimit, Beniaminit e Manaseut:

 

zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë *

   për të na shpëtuar!

 

O Hyj, deh, na përtërij, *

   kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!

 

O Zot, Hyji i ushtrive, deri kur do të hidhërohesh *

   në lutjen e popullit tënd?

 

Deri kur do të na ushqesh me bukë lotësh, *

   e do të na japësh të pimë ujë lotësh me shumicë?

Na bëre shkak grindjeje për fqinjët tanë *

   e armiqtë tanë po qeshen me ne.

O Hyj i ushtrive, deh, na përtërij, *

   kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo!

 

Vreshtin nga Egjipti e nxore *

   e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove.

Tokën ia përgatite, *

   lëshoi rrënjë dhe e mbushi tokën.

 

U mbuluan malet me hijen e tij, *

   me gema të hardhisë u mbushën cedrat e Hyjit,

pinjollët e tij arritën deri në det, *

   shermendet i qiti deri në Lumë.

 

Gardhin pse ia theve *

   që ta vjelë çdo kalimtar?

E dëmtoi derri i egër, *

   e kulloti çdo egërsirë.

 

Kthehu, Hyji i ushtrive, †

   shikoje nga qielli e shihe, *

   eja, shihe këtë vresht,

dili zot se ti vetë e mbolle: *

   djalit që për vete e rrite.

 

Ata që e dogjën dhe e prenë *

   le të sharrojnë prej kërcënimit të fytyrës sate.

 

Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, *

   mbi birin e njeriut që për vete e rrite.

 

Kurrë më nuk do të largohemi prej teje: *

   na përtërij e do ta thërrasim Emrin tënd.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij, *

   kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zgjoje, o Zot, pushtetin tënd, kthjelle fytyrën tënde e na shëlbo.

 

Ant. 2 Punë të mëdha bëri Zoti, mbarë popujt le t’i njohin veprat e tija.

 

   Kënga Is 12, 1-6 Brohoritja e popullit të shëlbuar

 

   Kush ka etje le të vijë tek unë! (Gjn 7, 37).

 

»Të falënderoj, o Zot,

   se, megjithëse ishe zemëruar kundër meje, *

   u qetësua hidhërimi yt e ti më ngushëllove.

 

Qe, Hyji Shëlbuesi im, *

   kam besim e nuk kam frikë,

sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti, *

   Ai është shpëtimi im.«

 

Me galdim do të merrni ujë *

   nga burimet e shëlbimit.

 

Edhe thoni atë ditë: *

   »Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,

shpallni ndër popuj veprat e tija, *

   kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!

 

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli, *

   le ta marrë vesh bota mbarë!

 

Brohoritni e këndoni lavde, ju banorët e Sionit, *

   sepse i madhërishëm është në mesin tuaj

   Shenjti i Izraelit!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Punë të mëdha bëri Zoti, mbarë popujt le t’i njohin veprat e tija.

 

Ant. 3 Duartrokitini Hyjit, ndihmëtarit tonë.

 

   Psalmi 81 /80/ (2-17) Përtëritja madhështore e Besëlidhjes

 

   Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe e të pafe (Heb 3, 12).

 

Duartrokitni Hyjit, ndihmëtarit tonë, *

brohoritni Hyjit të Jakobit!

Le të tingëllojë cetra, të ushtojë tupani, *

   harpa e këndshme e cetra të jehojnë!

 

Le të ushtojë boria e hënës së re, *

   në hënën e plotë, ditën e së kremtës sonë!

Sepse kjo është ligj për Izraelin, *

   urdhëresë e dhënë prej Hyjit të Jakobit,

urdhër që iu dha Jozefit, *

   kur doli prej tokës së Egjiptit.

 

Dëgjova një zë që s’e njihja: †

   »Nga barra krahët ia çlirova, *

   nga duart ia hoqa shportën.

 

Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova, †

   të jam përgjigjur i fshehur në stuhi, *

   të vura në provë tek uji i Meribës.

 

Dëgjo, populli im, dua të të qortoj: *

   oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael!

Pranë teje tjetër zot të mos kesh, *

   zot të huaj mos adhuro!

 

Sepse unë Zoti jam Hyji yt, †

   unë që të nxora nga dheu i Egjiptit, *

   hape gojën tënde se dua ta mbush!

 

Por populli im s’e dëgjoi zërin tim, *

   Izraeli nuk pati kujdes për mua.

Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre, *

   le të jetojnë si u pëlqen atyre.

 

Po, sikur të më dëgjonte mua populli im, *

   sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,

po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij, *

   do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.

 

Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë, *

   fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim.

Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë, *

   do t’i ngija me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Duartrokitini Hyjit, ndihmëtarit tonë.

 

   Leximi i shkurtër Rom 14, 17-19

 

   Mbretëria e Hyjit nuk është çështje gjelle e pijeje, por është drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt. Kush, vërtet, i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Hyjit dhe njerëzit e nderojnë. Prandaj, të mundohemi të bëjmë të përparojë paqja e t'i japim njëri‑tjetrit shembull të mirë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Që nga agimi * e kujtoj, o Zot, emrin tënd.

   Që nga agimi e kujtoj, o Zot, emrin tënd.

   D Ti je ndihma ime:

   e kujtoj, o Zot, emrin tënd.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Që nga agimi e kujtoj, o Zot, emrin tënd.

 

Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Jepja popullit tënd, o Zot, njohjen e shëlbimit dhe faljen e mëkateve.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Jepja popullit tënd, o Zot, njohjen e shëlbimit dhe faljen e mëkateve.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Bekuar qoftë Hyji, Ati ynë, i cili i ruan fëmijët e vet dhe nuk i përbuz lutjet e tyre. T’i drejtohemi me lutjen e përvuajtur:

 

   Shndriti, o Zot, sytë tanë!

 

Po të falënderojmë, sepse na ke shndritur me Shpirtin Shenjt nëpër Birin tënd,

le ta gëzojmë dritën e tij gjatë tërë ditës së sotme.

Le të na drejtojë urtia jote,

që të ecim udhës së jetës.

Na ndihmo që t’i përballojmë burrërisht kundërshtimet

dhe të të shërbejmë ty me zemërgjerësi.

Na i frymëzo mendimet dhe veprimet,

që t’i nënshtrohemi udhëheqjes sate atërore.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që me hirin tënd na pasuron me çdo bekim, bëj të shndërrohemi rrënjësisht në krijesa të reja që të bëhemi gati për lumturinë e mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.