Lavdet e mëngjesit

Java e katërmbëdhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E premte

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Zot, ndriçimi i qiellit

   dhe autori i dritës, ti që rruzullin

   me krah atëror të mbajtur

   e sjell me dorë shkëlqyese,

 

   tashmë Agimi i mbulon yjet

   vorbull të kuqe duke ngritur,

   e duke njomur tokën

   me vesë të ritë e avuj.

 

   Tash hija e natës daret,

   e braktis mjegulla rruzullin,

   figura e Krishtit ndriçimplote

   ngjall dritën e përgjumur.

 

   Ti, o Zot, je dita e ditëve,

   ndriçimi i dritës ti vetë je,

   Një me pushtet për të gjitha,

   në Një me pushtet Trinia.

 

   Ty tash, Shëlbues, të lutemi,

   dhe ty në gjunj të përulemi,

   Atin me Shpirtin Shenjt

   lavdërojmë me të gjitha zërat. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Zemrën e thërrmuar e të penduar mos e përbuz, o Zot.

 

   Psalmi 51 /50/ (3-21) Ki mëshirë për mua, o Zot

 

   Përtërihuni në shpirtin e mendjes tuaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *

   pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

 

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *

   e më pastro prej fajit tim!

Sepse e pranoj paudhësinë time: *

   mëkatin tim përherë e kam para sysh.

 

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *

   dhe kam bërë ç’është keq para teje,

prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *

   dhe i paanshëm në dënimin tënd.

 

Ja, mëkatar unë leva, *

   madje në mëkate nëna ime më ngjizi,

por ti që e do çiltërinë e zemrës, *

   m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.

 

Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *

   më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.

Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *

   dhe do të gëzohen eshtrat e thërmuara.

 

Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *

   e resiti të gjitha fajet e mia.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *

   përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

Mos më flak larg fytyrës sate, *

   mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *

   dhe më forco me shpirt të gatshëm.

 

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *

   e fajtorët do të kthehen tek ti.

Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *

   dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.

 

Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *

   dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *

   e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

 

Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *

   ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!

 

Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *

   ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

 

Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †

   flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *

   atëherë do të mund të kushtohen

   mëzetër mbi lterin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zemrën e thërrmuar e të penduar mos e përbuz, o Zot.

 

Ant. 2 Në zemërimin tënd, o Zot, mos e harro mëshirën tënde.

 

   Kënga Hab 3, 2-4. 13a. 15-19 Hyji shfaqet për gjyq

 

   Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 27. 28).

 

Dëgjova, o Zot ç'thuhet për ty, *

   tmerr, o Zot, më shtjen vepra jote!

Përsërite në ditët tona, *

   në ditët tona qite në pah!

 

Kur të zemërohesh, *

   mos harro i mëshirshëm të jesh!

 

Prej Temanit do të vijë Hyji, *

   Shenjti prej malit Paran.

Madhëria e tij e mbulon qiellin, *

   plot është toka me Lavdinë e tij!

 

Shkëlqimi i tij është porsi drita,

   qesin rreze duart e tija: *

   aty fshihet fuqia e tij!

 

Dole popullin tënd të shpëtosh, *

   ta shpëtosh të shuguruarin tënd.

Kuajve të tu n'për det ua hape udhën *

   nëpër baltë të ujërave të mëdha.

 

Dëgjova e m'u dridh zemra, *

   në atë zë m'u dridhën buzët.

Kalbësira në eshtra më përshkohet, *

   për nën mua më dridhen këmbët.

 

Do të pushoj kur dita e zezë *

   t'i vijë popullit që më pushton!

 

Fiku më nuk do të lulëzojë,

   fryt në hardhi më nuk do të ketë, *

   nuk do të japë fruta ulliri,

 

nuk do të japin ushqim arat,

   zbrazët do të mbesë vatha pa dhen, *

   në katua gjedhi nuk do të pëllasë!

 

Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë, *

   do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!

 

Zoti Hyj është forca ime,

   do të m'i bëjë këmbët si të kaprollit *

   e do të më çojë në malet e larta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në zemërimin tënd, o Zot, mos e harro mëshirën tënde.

 

Ant. 3 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, madhëroje, o Sion, Hyjin tënd.

 

   Psalmi 147 (1-9) Jerusalemi i përtërirë

 

   Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Nusen e Qengjit (Zb 21, 9).

 

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *

   madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *

   i bekoi bijtë e tu në ty!

 

Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *

   ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *

   lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

 

E hedh borën porsi lesh, *

   e derdh brymën porsi hi.

E lëshon breshrin porsi kafshatë, *

   kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?

 

E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *

   çon erën e vet e ujërat rrjedhin.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *

   drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

 

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *

   asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, madhëroje, o Sion, Hyjin tënd.

 

   Leximi i shkurtër Ef 2, 13-16

 

   Tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit 'larg' erdhët 'ngjat' ‑ në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës d.m.th. armiqësinë ‑ në trupin e vet. Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, të dy t'i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Do ta thërras të Tejetlartin:

   * prej tij më vjen çdo e mirë.

   Do ta thërras të Tejetlartin: prej tij më vjen çdo e mirë.

   D Do ta dërgojë nga qielli shpëtimin e tij,

   prej tij më vjen çdo e mirë.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Do ta thërras të Tejetlartin: prej tij më vjen çdo e mirë.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Në saje të zemrës së tij të dashur, Hyji ynë na vizitoi sikurse Dielli prej qiellit.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Në saje të zemrës së tij të dashur, Hyji ynë na vizitoi sikurse Dielli prej qiellit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta adhurojmë Krishtin, i cili flijoi vetveten që të na e pastrojë ndërgjegjen tonë prej veprave të vdekura. T’i drejtohemi me përvujtëri:

 

   O Zot, në vullnetin tënd është paqja jonë.

 

O Zot, në fillim të kësaj dite, që na e dhuroi mirësia jote:

bëj të jetojmë sipas jetës së re që na dhé në pagëzim.

Ti krijove gjithçka dhe ti mban gjithësinë me provaninë tënde:

bëj ta zbulojmë praninë tënde në krijesat e tua.

Me gjakun tënd Ti ke bërë Besëlidhjen e re dhe të amshuar:

na ndihmo të plotësojmë çka urdhëron dhe kështu t’i qëndrojmë besnikë Besëlidhjes sate.

Ndërsa ishe varur në kryq, prej kraharorit tënd rrodhi bashkë me ujë edhe gjak:

në këtë lumë shëlbimprurës laji mëkatet tona dhe gëzoje qytetin e Hyjit.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që me përvujtërimin e Birit tënd e ngrite botën që ra poshtë, jepu besimtarëve të tu gëzimin e shenjtë, dhe pasi i lirove prej robërisë së mëkatit, bëj t’i shijojnë gëzimet e amshuara. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.