Lavdet e mëngjesit
15 korrik, Shën Bonaventura, ipeshkëv dhe mësues i Kishës
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Lavdet e mëngjesit
Himni
Drejtues i ndritur babë dhe urtësi,
i bëjmë nderim ngadhënjimit tij të shquar,
ai dëshmitar i gëzueshëm pa mbarim
mbretëron ndër yje.
Ai që për njerëz mori përsipër barrën
e shenjtë t’meshtarit, prijsit dhe mësuesit,
udhëheqës e i dijshëm bëri dhuntitë gati
përjetë të lume.
Tash ne të gjithë me shpirt atij t’i lypim
me përkushti të shlyejë fajet tona,
me lutje t’veta të na prijë ndër t’lartat
kulme të qiellit.
Lavdi e pushteti i qoftë vetëm Zotit,
për jetë nderimi e në lartësi lumnia
që me drejtësi sundon me ligje t’veta
mbarë rruzullimin. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, o Zot, te ti e lartësoj shpirtin tim.
Psalmi 86 /85/ (1-17) Urata në vështirësi
Qoftë bekuar Hyj që jep çdo ngushëllim (2Kor 1, 3. 4).
Ma vër veshin, o Zot, e më dëgjo, *
sepse jam i mjerë e skamnor.
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt, *
Hyji im, shpëtoje shërbëtorin tënd që shpreson në ty.
Ki mëshirë për mua, o Zot, *
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, *
sepse te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
Sepse ti, o Zot, je i ëmbël e i butë, *
plot mëshirë për ata që të thërrasin në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, uratën time, *
vështroje zërin e lutjes sime.
Në ditë të vështirë klitha te ti *
pse e di se ti më dëgjon.
Nuk ka hyjni që të përngjet ty, o Zot, *
asgjë s’mund të matet me veprat e tua.
Të gjithë paganët prej teje të krijuar, †
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, *
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, *
ti je i vetmi Hyj.
Ma mëso, o Zot, udhën tënde, †
që të eci sipas drejtësisë sate, *
mësoje zemrën time ta nderojë Emrin tënd.
Do të të falënderoj, o Zot, Hyji im,
me gjithë zemrën time, *
për amshim do ta madhëroj Emrin tënd.
Sepse e madhe është mëshira jote mbi mua, *
ti e nxore shpirtin tim nga thellësia e Nëntokës.
O Hyj, krenarët u çuan peshë kundër meje, †
një grumbull të marrësh ma helmuan jetën *
e për ty nuk kanë kujdes.
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, *
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua, †
jepi fuqi shërbëtorit tënd *
dhe shpëtoje birin e shërbëtores sate.
Bëj për mua një shenjë mirësie, †
që të shohin urryesit e mi e të turpërohen *
se ti, o Zot, më ndihmon e më ngushëllon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Gëzoje shpirtin e shërbëtorit tënd, o Zot, te ti e lartësoj shpirtin tim.
Ant. 2 Lum ai që ecën në drejtësi dhe flet me çiltërsi.
Kënga Is 33, 13-16 Hyji do të gjykojë me drejtësi
Ky premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata që janë larg (Vap 2, 39).
»Ju që larg jeni, dëgjoni çka bëra, *
njiheni, ju të afërm, fuqinë që unë kam!«
U tmerruan në Sion mëkatarët, *
tmerri i pushtoi të paudhët:
»Kush prej jush mund të banojë me zjarr përpirës? *
Kush prej jush do të banojë me flakë të përhershme?«
Ai që ecën me drejtësi, *
ai që flet çka është e drejtë,
që s'kërkon fitim në cubëni, *
që shkund duart të mos marrë ryshfet,
që mbyll veshët të mos dëgjojë vrasje, *
që mbyll sytë të mos shikojë të keqen,
i tilli do të banojë në lartësi, †
strehimi i tij në qytezë të pathyeshme, *
bukë ka mjaft, ujët s'i mungon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Lum ai që ecën në drejtësi dhe flet me çiltërsi.
Ant. 3 Brohoritni Zotit, Hyjit tonë.
Psalmi 98 /97/ (1-9) Ngadhënjimi i Zotit në ardhjen e tij të dytë
Me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve (Lk 2, 30. 31).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet, *
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet, *
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet *
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë *
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë Toka le t’i brohorasë Zotit, *
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
Këndoni Zotit me harpë, *
me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt, *
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
Le të buçasë deti me ç’ka në të, *
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin †
e malet le të gërthasin me hare, *
para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi *
e popujt me maturi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Brohoritni Zotit, Hyjit tonë.
Leximi i shkurtër Krh. Heb 13, 7-9a
Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre! Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim. Mos lejoni të gënjeheni me mësime të ndryshme të huaja!
Përgjigjja e shkurtër
C I vure si roje, * që të kujdesen për Kishën tënde.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
D Natë e ditë e shpallin emrin tënd,
që të kujdesen për Kishën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Të urtët do të shndrisin porsi kupa e qiellit: mësuesit e urtisë do të jenë porsi yjet e qiellit.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Të urtët do të shndrisin porsi kupa e qiellit: mësuesit e urtisë do të jenë porsi yjet e qiellit.
Lutjet e besimtarëve
Krishtit, bariut të mirë, që e dha jetën për delet e veta, t’ia lartësojmë plot me shpresë lutjen tonë:
Udhëhiqe, o Zot, popullin tënd në kullotat e jetës së pasosur.
O Krisht, ti që në shën Bonaventurën na e dhe një shëmbëllesë të gjallë të dashurisë sate të mëshirshme,
— bëj që në ata që na udhëheqin ta provojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate.
Ti, që në zëvendësit e tu e vazhdon misionin tënd si mësues dhe barí,
— na udhëheq gjithmonë nëpërmjet mbarështuesve të tu.
Ti, që në barinjtë e shenjtë, të vërë në shërbim të popullit tënd, u bëre mjek i shpirtrave dhe i trupave,
— bëj që mos të na mungojë kurrë prania jote nëpërmjet mbarështuesve të shenjtë dhe shenjtërues.
Ti që besimtarët i nxite me urtinë dhe dashurinë e shën Bonaventurës,
— bëj që predikuesit e Ungjillit të na ndihmojnë të të njohim dhe të të duam sikurse dëshiron ti.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, na shiko me mirësi ne që po kremtojmë ditëlindjen për në qiell të shën Bonaventurës ipeshkëv e, bëj të përfitojmë nga mësimi i tij i shquar e nga dashuria e tij e flaktë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.