Lavdet e mëngjesit

27 korrik, Shën Joakimi e Shën Ana, prindërit e shën Marisë Virgjër

 

Lavdet e mëngjesit

 

FTESA

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: lavdia e tij shkëlqen në shenjtër.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)

 

      Himni

 

      Pas natës vjen ylli i dritës,

      që shpejt e ndjek agimi,

      lajmërues i lindjes s’diellit

      që shndrit me rreze botën.

 

      Dielli i drejtësisë është Krishti,

      agimi Nëna e hirit,

      që, o Anë, prin duke lëkuqur

      dhe dëbon terrin e ligjit.

 

      O Anë, rrënjë shumë frytdhënëse,

      dhe pemë shumë e shëndetshme

      që prodhon degë t’lulëzueshme,

      që ne na solli Krishtin.

 

      O lindse e nënës s’Krishtit

      e ti prind krejt i shenjtë,

      me hir e ndihmë të bijës

      për ne kërkoni falje.

 

      Ty t’qoftë lavdia, o Jezus,

      që u linde nga Nënë Virgjër,

      me Atin dhe me Shpirtin

      jetëdhënës në amshim. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Që në mëngjes, o Zot, dëgjoje zërin tim!

 

   Psalmi 5 (2-10. 12-13) Urata e mëngjesit

 

   Ata që e pranuan Fjalën dhe bëhen banesa e tij do të galdojnë përgjithmonë.

 

Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia, *

   kuptoje dënesën time!

Dëgjoje zërin e britmës sime, *

   Mbreti im e Hyji im!

 

Sepse ty ta drejtoj uratën time, o Zot, †

   qysh në mëngjes e dëgjon zërin tim: *

   që në mëngjes dal para teje e pres.

 

Sepse ti nuk je Hyj që i pëlqen padrejtësia, †

   pranë teje nuk ka vend bakeqi, *

   bakëqijtë nuk mund të qëndrojnë përpara syve të tu.

 

Ti i urren të gjithë ata që bëjnë keq, †

   i zhbin të gjithë ata që flasin rrena; *

   Të neverit gjakësori e tradhtari.

 

E unë në saje të dashurisë sate të madhe †

   do të hyj në Shtëpinë tënde, *

   do të bie përmbys me nderim

   në Tempullin tënd të shenjtë.

 

O Zot, më prij udhës së drejtësisë sate,

   për shkak të armiqve të mi, *

   rrafsho para meje udhën tënde.

 

Jo, s’ka çiltëri në gojën e tyre, *

   humnerë është zemra e tyre,

gurmazi i tyre varr i hapur *

   e me gjuhë përkëdhelin.

 

Le të gëzohen ata që mbështeten në ty, *

   le të galdojnë përherë e në amshim!

Mbroji dhe le të gëzohen në ty *

   të gjithë ata që e duan Emrin tënd!

 

Sepse ti, o Zot, e bekon të drejtin, *

   si shqyt e mbron dashamirësia jote.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Që në mëngjes, o Zot, dëgjoje zërin tim!

 

Ant. 2 E lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë, o Zot, Hyji ynë.

 

   Kënga 1 Kro 29, 10-13. Vetëm Hyjit i qoftë nderi dhe lavdia

 

   Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit (Ef 1, 3).

 

I bekuar je, o Zot,

   Hyji i Izraelit, atit tonë, *

   prej amshimit e në amshim!

 

Ty, o Zot, të përket madhëria e pushteti, †

   lavdia, shkëlqimi dhe lartmadhëria! *

   Sepse gjithçka në qiell e në tokë, janë të tuat!

 

Ty, o Zot, të përket mbretëria, *

   ti lartësohesh si kryet përmbi çdo gjë!

Prej teje vjen pasuria dhe lavdia, *

   ti zotëron me gjithçka!

 

Në dorën tënde fuqia dhe pushteti, *

   Ti mund të bësh gjithçka

   të madhërishme e të qëndrueshme!

Prandaj, o Hyji ynë, po të madhërojmë *

   e po e lavdërojmë Emrin tënd të madhërishëm!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë, o Zot, Hyji ynë.

 

Ant. 3 Lavdi Zotit në tempullin e tij: ai mbretëron përgjithmonë.

 

   Psalmi 29 /28/ (1-8. 10-11. 9c) Zoti e shpall me madhështi fjalën e vet.

 

   Dhe ja, një zë që vinte nga qielli, tha: »Ky është Biri im i dashur« (Mt 3, 17).

 

Jepni Zotit, o bijtë e Hyjit, *

   jepni Zotit lavdinë e fuqinë!

Jepni Zotit nderin e Emrit të tij, *

   adhurojeni Zotin në shkëlqimin e shenjtë!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon mbi ujëra, †

   Hyji i madhërishëm gjëmon, *

   Zoti bubullin mbi ujëra të mëdha!

 

Dëgjo! Zoti gjëmon fuqishëm, *

   Zoti gjëmon me madhëri!

Ja, zëri i Zotit i copëton cedrat, *

   Zoti i thërrmon cedrat e Libanit!

 

E bën të kërcejë si viç Libanin, *

   Sarionin si kotorr bizoni!

 

Ja, zëri i Zotit - përhap flakë zjarri, †

   ja, zëri i Zotit e godet shkretëtirën, *

   e godet Zoti shkretëtirën Kades!

 

Zoti e ka fronin përmbi përmbytje, *

   Zoti mbretëron përgjithmonë e jetës!

Zoti i jep fuqi popullit të vet, *

   Zoti e bekon popullin e vet me paqe.

 

Ndërkaq në Tempullin e tij *

   të gjithë thonë: »Lavdi!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdi Zotit në tempullin e tij: ai mbretëron përgjithmonë.

 

      Leximi i shkurtër Is 55, 3

 

      Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Në dashurinë e vet të madhe, * Zoti na vizitoi.

      Në dashurinë e vet të madhe, Zoti na vizitoi.

      D Prej fisit të Davidit, Zoti e nxori Krishtin Shëlbues:

      Zoti na vizitoi.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Në dashurinë e vet të madhe, Zoti na vizitoi.

 

      Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit: në shtëpinë e Davidit u ngrit shpëtimtari ynë.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

      që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

      në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

      me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

      dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

      e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

      se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

      në shenjtëri e drejtësi para tij

      për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

      sepse do të shkosh përpara Zotit

      për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

      se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

      që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

      dhe në hijen e vdekjes, *

      për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit: në shtëpinë e Davidit u ngrit shpëtimtari ynë.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Të bashkuar në liturgjinë e lavdit, ta thërrasim Krishtin Zot, që të na ndihmojë t’i shërbejmë në shenjtëri e drejtësi për çdo ditë të jetës sonë:

 

      Shenjtëroje popullin tënd, o Zot.

 

Ti u sprovove në çdo gjë për t’u bërë i ngjashëm me ne në çdo gjë përpos në mëkat,

    o Zot Jezus, ki mëshirë për popullin tënd.

Ti i thërret të gjithë në dashuri të përsosur,

    o Zot Jezus, shenjtëroje popullin tënd.

Ti deshe që nxënësit e tu të jenë kripa e tokës dhe drita e botës,

    o Zot Jezus, shndrite popullin tënd.

Ti erdhe jo për të qenë shërbyer por për të shërbyer,

    o Zot Jezus, na mëso të shërbejmë në vëllezërit tanë.

Ti je shkëlqimi i lavdisë së Atit dhe vula e qenies së tij,

    o Zot Jezus, bëj që në fund të jetës të mund ta kundrojmë fytyrën tënde së bashku me shenjtërit e tu.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Zot, Hyji i etërve tanë, ti shën Joakimit dhe Anës u dhe hirin të jenë prindërit e Nënës së Birit tënd të mishëruar, bëj që, me ndërmjetësinë e tyre, të fitojmë shëlbimin që ia premtove popullit tënd. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.