Lavdet e mëngjesit
6 gusht - Shndërrimi i Zotit
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin Zot, Mbretin e lavdisë.
6 gusht - Shndërrimi i Zotit
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kujtimi i Jezusit t’ëmbël,
që zemrës jep gëzime të vërteta,
përmbi çdo gjë e mbi mjaltin
prania e tij e ëmbël.
Asgjë më këndshëm nuk këndohet,
asgjë më gëzueshëm nuk dëgjohet,
asgjë më ëmbël nuk mendohet,
se Jezus Biri i Hyjit.
Jezus, ti ëmbëlsia e zemrave,
gurra e s’vërtetës, drita e mendjeve,
ti shquhesh mbi çdo gëzim
dhe përmbi çdo dëshirë.
Kur zemrën tonë vjen t’shohësh,
shkëlqen në ty e vërteta,
bie vlera e kotsisë s’botës
dhe brenda zien dashnia.
Shpirtgjerë na jep ti faljen,
me begati dashnie;
na jep me praninë tënde
të shohim lavdinë tënde.
Ne ty të thurim lavdet,
që je Biri i dashur,
që e Atit dhe e Shpirtit
zbulon shkëlqimi i ndritur. Amen.
Ant. 1 Përmbi mal, e shkëlqyer porsi dielli ishte fytyra e tij, të bardha porsi bora petkat e tija.
63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Përmbi mal, e shkëlqyer porsi dielli ishte fytyra e tij, të bardha porsi bora petkat e tija.
Ant. 2 Të rrethuar me lavdi, Moisiu dhe Elia po bisedonin me Jezusin për kalimin e tij nga kjo jetë. Prej së larti jehonte zëri i Atit.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Të rrethuar me lavdi, Moisiu dhe Elia po bisedonin me Jezusin për kalimin e tij nga kjo jetë. Prej së larti jehonte zëri i Atit.
Ant. 3 Të shndritur prej Krishtit, në bisedë me të përmbi mal, qëndronin Moisiu dhe Elia, ligji dhe profetët.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Të shndritur prej Krishtit, në bisedë me të përmbi mal, qëndronin Moisiu dhe Elia, ligji dhe profetët.
Leximi i shkurtër Zb 21, 10. 23
Engjëlli më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit!
Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.
Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
* Aleluja, aleluja.
O Zot, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
Aleluja, aleluja.
D E lartësove përballë gjithësisë.
Aleluja, aleluja.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
Aleluja, aleluja.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Prej resë u dëgjua një zë: Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni, aleluja.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Prej resë u dëgjua një zë: Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni, aleluja.
Lutjet e besimtarëve
T’i lutemi Hyjit Atë, në emër të Krishtit, i cili në mal ua zbuloi nxënësve hyjninë e vet:
Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
Atë i mirë, në malin Tabor na e tregove Krishtin si Mësuesin dhe Shpërblyesin tonë,
— bëj që besnikërisht ta dëgjojmë fjalën e tij.
O Hyj, të zgjedhurit e tu me begati i ushqeve nga Shtëpia jote, dhe nga lumenjtë e tu të ëmbël ua shove etjen
— bëj që në Krishtin ta gjejmë burimin e ujit që rrjedh për jetën e pasosur.
O Hyj, ti bëre që lavdia jote të shkëlqejë në fytyrën e Jezu Krishtit,
— nxite në ne dëshirën që përherë të sodisim Birin tënd.
O Hyj, në Birin tënd të mishëruar e zbulove planin e shëlbimit,
— nëpërmjet Ungjillit tregoju njerëzve jetën e pashkatërrueshme.
Atë i mirë, në dashurinë tënde deshe që të quhemi dhe të jemi bij të tu,
— kur të shfaqet Krishti, bëj që të jemi të ngjashëm me të.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, në shndërrimin e lavdishëm të Njëlindurit Birit tënd e përforcove me dëshmimin e Moisiut e të Elisë të vërtetën e fesë dhe mrekullisht e parashënove bijësinë tonë hyjnore: bëj ta dëgjojmë zërin e Birit tënd që të bëhemi pjesëtarë në jetën e tij të pavdekshme. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.