Lavdet e mëngjesit

11 gusht, Shën Klara, virgjër

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

   Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ta adhurojmë Krishtin, Mbretin dhe Dhëndrin e virgjërave.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Me zë të qartë le t’i këndojmë shërbëtores

   fisnike t’Krishtit, që ia kanë zili

   lavdinë e gruas së fortë, dhe kënga e shenjtë

   i thur meritat.

 

   Ndaj feja e gjallë, shpresa e fortë, dashnia

   e flaktë në Zotin, janë rrënja prodhimtare

   veprash së mira e dashnia vllazërore

   buron më tepër.

 

   Shtyrë nga meritat e asaj, o Jezus,

   çdo lloj mbrapshtie na shlyej ne fajtorëve,

   që ty me zemër t’pastër t’brohorasim

   lavdet e drejta.

 

   Të Lartit Atë i qoftë nderi e virtyti,

   ty Birit lavdi e hyjnderimi i madh,

   Shpirit Shenjt pushteti i barabartë,

   tash e në amshim. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Ke qenë i mirë me ne, o Zot: ia fale fajet popullit tënd.

 

   Psalmi 85 /84/ (2-14) Shpëtimi ynë është afër

 

   Krishti Jezus u bë për ne dije, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim (1 Kor 1, 30).

 

Përsëri e pëlqeve, o Zot, tokën tënde, *

   i riatdhesove të treturit e Jakobit.

Ia fale fajet popullit tënd, *

   mbulove të gjitha mëkatet e tyre.

 

I vure cak felgrimit tënd të madh, *

   zure vend nga shfrimi i zemërimit tënd.

 

Na përtërij, o Hyj, Shëlbuesi ynë, *

   largoje zemërimin tënd prej nesh.

A thua gjithmonë do të jesh i hidhëruar me ne *

   e do ta shtrish hidhërimin tënd nga breznia në brezni?

 

Pse a s’do të kthehesh për të na përtërirë në jetë *

   që populli yt të gëzohet në ty?

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde *

   e na jep shëlbimin tënd!

 

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj, †

   ai premton paqe për popullin e vet, *

   për të dashurit e vet

   e për ata që me gjithë zemër kthehen.

 

Shpëtimi i tij është ngjat atyre që e druajnë, *

   lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

 

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, *

   drejtësia e paqja do të merren ngrykë.

E vërteta do të mbijë nga toka *

   e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

 

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë *

   edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.

Drejtësia do t’i shkojë përpara *

   dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Ke qenë i mirë me ne, o Zot: ia fale fajet popullit tënd.

 

Ant. 2 Natën ty të dëshiron shpirti im, ty të kërkon në mëngjes.

 

   Kënga Is 26, 1-4. 7-9. 12 Himni pas fitores

 

   Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele (Krh. Zb 21, 14).

 

Qytezën e kemi të fortë, *

   na e ndërtoi Ai për shpëtim,

   ndërtoi mure e paramure.

Hapni dyert: *

   le të hyjë populli i drejtë që e mban besën.

 

Shpirti i të cilit s'ka luhatje;

   ruaja paqen, *

   sepse në ty e ka vënë shpresën.

 

Kini shpresë në Zotin gjithherë, *

   sepse Zoti është Qeta e amshueshme;

 

Udha e të drejtit është e drejtë, *

   të drejtit ti ia rrafshon shtegun,

 

Udhës që endin gjyqet e tua, *

   ne, o Zot, në ty shpresojmë;

Emri yt e kujtimi yt *

   është dëshira e shpirtit tonë.

 

Shpirti im të dëshiron natën, *

   me mend të mia, në veten time të kërkoj.

Kur zbatohen vendimet e tua në tokë, *

   banorët e botës e mësojnë drejtësinë.

 

Ti, o Zot, do të na e dhurosh paqen, *

   pasi ti të mbarën ua jep

   të gjithave që ne ndërmarrim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Natën ty të dëshiron shpirti im, ty të kërkon në mëngjes.

 

Ant. 3 Fytyra jote, o Zot, ndriçoftë mbi ne.

 

   Kur psalmi që vijon është lutur në Ftesë, atëherë në vend të tij lutet psalmi 94 /93/ (Hyrja fq. I).

 

   Psalmi 67 /66/ (2-8) Mbarë popujt le ta lavdërojnë Zotin

 

   Ta dini të gjithë: Shëlbimi i Hyjit u është dërguar popujve paganë (Vap 28, 28).

 

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë, *

   bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij, *

   në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

 

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj, *

   mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

 

Le të galdojnë e le brohorasin popujt, †

   sepse popujt i gjykon me drejtësi, *

   sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

 

Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, *

   mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

 

Toka e dha frytin e vet: *

   na bekoftë Hyji, Hyji ynë!

Na bekoftë Hyji! *

   Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Fytyra jote, o Zot, ndriçoftë mbi ne.

 

   Leximi i shkurtër Kk 8, 7

 

   Ujërat e mëdha dashurinë nuk mund ta ndalin, nuk e fikin as lumenjtë! Kush do të jepte gjithçka ka në shtëpinë e vet me qëllim të blejë dashurinë, do të përbuzej prej gjithkujt.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Për ty tha zemra ime: * Fytyrën tënde unë kërkoj.

   Për ty tha zemra ime: Fytyrën tënde unë kërkoj.

   D Mos u fsheh para syve të mi, o Zot:

   Fytyrën tënde unë kërkoj.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Për ty tha zemra ime: Fytyrën tënde unë kërkoj.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Zemrën tënde ia dhe Krishtit, virgjër e mençur: tani jeton me të, e shkëlqyeshme si dielli në kuvendin e shenjtërve.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Zemrën tënde ia dhe Krishtit, virgjër e mençur: tani jeton me të, e shkëlqyeshme si dielli në kuvendin e shenjtërve.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Krishtit, dhëndrit dhe kurorës së virgjërave, t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   O Jezus, shpërblimi dhe kurora e virgjërave, dëgjoje lutjen tonë.

 

O Krisht, i vetmi dhëndër i virgjërave të shenjta,

bëj që askurrë asgjë të mos na ndajë prej miqësisë sate.

Ti, që e bëre Marinë, nënën tënde, mbretëreshë të virgjërave,

nëpër ndërmjetësinë e saj bëj që të shërbejmë me besnikëri dhe me pastërti të zemrës.

Për hir të virgjërave që t’u kushtuan me zemër të plotë dhe të pandarë që të jenë të shenjta në trup dhe në shpirt,

bëj që asgjë në botë të mos i shmangë prej rrugës që shpie tek ti.

O Zot Jezus, i pritur prej virgjërave të urta,

bëj që gjithmonë të jemi të kujdesshëm e të zgjuar në pritjen e ardhjes sate.

Nëpër ndërmjetësinë e shën E., që e bëre të shkëlqejë në shenjtëri dhe në urti,

na jep urtinë e ungjillit dhe pafajësinë e jetës.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë

mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Në mëshirën tënde, o Zot, ti e frymëzove shën Klarën me dashuri ndaj varfërisë ungjillore, bëj që, me ndërmjetësinë e saj, t’i përngjajmë Krishtit, të varfër dhe të përvujtë, që një ditë të sodisin ty në gëzimin e përsosur të Mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.