Lavdet e mëngjesit

20 gusht, Shën Bernardi, abat dhe mësues i Kishës

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

      Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Bernard, inxhi prej qiellit,

   lavdet, që ne të thurim,

   ktheji në gëzimet tona

   shpëtimi e në dhurata.

 

   Ty Krishti ndezi n’plagën

   e brendshme t’dashurisë,

   e me kujdes ty zgjodhi

   mburojë, shtyllë, llambë e Kishës.

 

   Shpirti jetëdhënës të fali

   gojë t’rrjedhshme të vërtetës,

   duke të folë për mjaltët

   e fshehtë n’kullota t’Engjëjve.

 

   Me hov dashnie t’pastër

   ty Nëna Virgjër mbushi,

   që askush s’e ligjëroi

   më thellë më lart se ti.

 

   Ty të kërkuan gjykatës

   mbretër, mësues, prelatër,

   dhe adhurues vetmie

   me famë e mbushe botën.

 

   Trinisë i qoftë lavdia,

   që duke lënë të shfaqet,

   na dhëntë të shijojmë t’mirat

   me ty n’gëzim t’përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Që në mëngjes, bëj që ta ndiejmë mëshirën tënde, o Zot.

 

   Psalmi 143 /142/ (1-11) Lutja në vuajtje

 

   Nuk jemi shfajësuar në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin (Gal 2, 16).

 

O Zot, dëgjoje lutjen time, †

   vëri vesh sipas besnikërisë sate lutjes sime, *

   më dëgjo në saje të drejtësisë sate.

 

Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, *

   se asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje.

 

Armiku e salvon shpirtin tim, *

   përdhe e shtroi jetën time,

më ka lidhur në errësirë *

   porsi të vdekurit e kahershëm,

shpirti im po rënkon në mua, *

   të mpitë e kam zemrën në kraharor.

 

Më kujtohen ditët e shkuara, †

   i kujtoj të gjitha veprat e tua, *

   i peshoj veprat që ti i kreve.

 

I ngre drejt teje duart e mia, *

   shpirti im si toka pa ujë ka etje për ty.

Mu përgjigj pa vonesë, o Zot, *

   se mbeta pa frymë,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej meje *

   të mos bëhem si ata që zbresin në varr.

Bëj ta dëgjoj mëshirën tënde në mëngjes, *

   sepse shpresën e kam vënë në ty.

 

Ma mëso udhën së cilës duhet të eci, *

   sepse tek ti e kam lartësuar shpirtin.

Më shpëto prej armiqve të mi, *

   o Zot, jam ndore tënde!

 

Më mëso ta kryej vullnetin tënd, †

   sepse ti je Hyji im. *

   Shpirti yt i mirë le të më prijë në vend të drejtë,

më përtërij në jetë, o Zot, pashë Emrin tënd. *

   Pashë drejtësinë tënde nxirre shpirtin tim nga shtrëngimi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Që në mëngjes, bëj që ta ndiejmë mëshirën tënde, o Zot.

 

Ant. 2 Zoti do të bëjë të rrjedhë mbi Jerusalem një lum paqeje dhe shëlbimi.

 

   Kënga Is 66, 10-14a Ngushëllim dhe gëzim në qytetin e Hyjit

 

   Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).

 

Gëzohuni me Jerusalemin, *

   galdoni për të ju që e doni!

Galdoni me të, galdoni, *

   të gjithë ju që qatë mbi të,

 

që të thithni qumësht e të ngiheni *

   prej parzmave të ngushëllimit të tij,

që të dërgoni e të kënaqeni *

   në parzmat e lavdisë së tij!

 

Sepse Zoti kështu po thotë:

   »Ja, unë po bëj të arrijë në të

   paqja porsi lumë, *

   porsi përrua vërshues pasuria e popujve.

 

Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, *

   përmbi gjunjë do t'ju përkëdhelin.

 

Porsi nëna që ngushëllon të birin,

   ashtu unë do t'ju ngushëlloj; *

   në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.

 

Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, *

   si bari i njomë do t'ju përtërihen eshtrat«.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti do të bëjë të rrjedhë mbi Jerusalem një lum paqeje dhe shëlbimi.

 

Ant. 3 Është bukur t’i këndojmë Hyjit tonë, është kënaqësi ta lavdërojmë atë.

 

   Psalmi 147 /146/ (1-11) Pushteti dhe mirësia e Zotit

 

   Shpirti im e madhëron Zotin, sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm (Lk 1, 46. 49).

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është mirë, †

   është bukur t’i këndosh Hyjit tonë, *

   është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!

 

Zoti e rindërton Jerusalemin, *

   i bashkon izraelitët e mërguar!

Ai i shëron zemrat e copëtuara, *

   i lidh plagët e tyre!

 

Ai e njeh numrin e yjeve *

   dhe e thërret secilin me emër.

 

I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm, *

   e pakufishme është dija e tij.

Zoti i lartëson të përvujtët, *

   kurse përdhe i shtron keqbërësit.

 

Këndojani Zotit këngën e falënderjes, *

   bini harpës për nder të Hyjit tonë!

Ai me re e mbulon qiellin *

   dhe ia përgatit dheut shiun.

 

Bën të rritet maleve bari *

   edhe bimë për të mirën e njeriut.

 

Ai u jep ushqime bagëtive, *

   deri edhe zogjve të korbave kur ia kërkojnë.

S’i jep rëndësi fuqisë së kalit, *

   s’i merr parasysh kërçikët e trimit:

 

Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë, *

   ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Është bukur t’i këndojmë Hyjit tonë, është kënaqësi ta lavdërojmë atë.

 

         Leximi i shkurtër Krh. Urt 7, 13-14

 

      Çka mësova pa dredhi e dhuroj pa smirë, nuk e fsheh pasurinë e saj. Sepse ajo është për njerëzit thesar i pashtershëm; kush e fiton, fiton miqësinë e Hyjit, të porositur nga dhuratat e mësimit të saj.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Kisha jote, o Zot, * i këndon urtisë së shenjtërve.

      Kisha jote, o Zot, i këndon urtisë së shenjtërve.

      D Kuvendi e shpall lavdinë e tyre,

      i këndon urtisë së shenjtërve.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Kisha jote, o Zot, i këndon urtisë së shenjtërve.

 

      Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

      Ant. Të urtët do të shndrisin sikurse kupa e qiellit: mësuesit e urtisë do të jenë sikurse yjet e qiellit.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

      që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

      në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

      me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

      dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

      e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

      se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

      në shenjtëri e drejtësi para tij

      për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

      sepse do të shkosh përpara Zotit

      për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

      se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

      që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

      dhe në hijen e vdekjes, *

      për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

      Ant. Të urtët do të shndrisin sikurse kupa e qiellit: mësuesit e urtisë do të jenë sikurse yjet e qiellit.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Krishtit, bariut të mirë, që e dha jetën për delet e veta, t’ia lartësojmë plot me shpresë lutjen tonë:

 

      Udhëhiqe, o Zot, popullin tënd në kullotat e jetës së pasosur.

 

O Krisht, ti që në shën Bernardin na e dhe një shëmbëllesë të gjallë të dashurisë sate të mëshirshme,

    bëj që në ata që na udhëheqin ta provojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate.

Ti, që në zëvendësit e tu e vazhdon misionin tënd si mësues dhe barí,

    na udhëheq gjithmonë në mbarështuesit e tu.

Ti, që në barinjtë e shenjtë, të vërë në shërbim të popullit tënd, u bëre mjek i shpirtrave dhe i trupave,

    bëj që mos të na mungojë kurrë prania jote nëpërmjet mbarështuesve të shenjtë dhe shenjtërues.

Ti që besimtarët i nxite me urtinë dhe dashurinë e shën Bernardit mësuesit të shenjt,

    bëj që predikuesit e Ungjillit të na ndihmojnë të të njohim dhe të të duam sikurse dëshiron ti.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

   Lutja

 

   O Hyj, ti deshe që shën Bernardi abat, përplot me dashuri për Kishën tënde, të jetë në shtëpinë tënde llambë që digjet e ndriçon; na jep edhe neve atë zell shpirtëror që të jetojmë porsi bij e bija të vërtetë të dritës. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.