Lavdet e mëngjesit
21 gusht, Shën Piu X, papë
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Drejtues i ndritur atë dhe urtësi,
i bëjmë nderim ngadhënjimit tij të shquar,
ai dëshmitar i gëzueshëm pa mbarim
mbretëron ndër yje.
Ai që rri në selinë e lartë të Pjetrit
mësues e udhëheqës i grigjës së pamasë,
me çelësa të Zotit hap me shumë pushtet
mbretëritë qiellore.
Tash ne të gjithë me shpirt atij t’i lypim
me përkushtim të shlyejë fajet tona,
me lutje të veta të na prijë ndër të lartat
kulme të qiellit.
Lavdi e pushteti i qoftë vetëm Zotit,
për jetë nderimi e në lartësi lumnia
që me drejtësi sundon me ligje të veta
mbarë rruzullimin. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Psalmi 51 /50/ (3-21) Ki mëshirë për mua, o Zot
Përtërihuni në shpirtin e mendjes tuaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
dhe i paanshëm në dënimin tënd.
Ja, mëkatar unë leva, *
madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate, *
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
atëherë do të mund të kushtohen mëzetër mbi lterin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Ant. 2 Gëzohu, o Jerusalem, sepse në ty do të bashkohen popujt dhe do ta bekojnë Zotin.
Kënga Tob 13, 8-13. 15. 16 Falënderim për lirimin e popullit
Ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin... shkëlqente nga Lavdia e Hyjit (Zb 21, 10-11).
Të gjithë ju të zgjedhurit bekojeni Zotin, *
të gjithë lëvdojeni madhërinë e tij!
Jerusalem, qytet i shenjtë, *
të shkallmoi Zoti për faje të tua!
Me vepra të mira madhëro Zotin, *
beko Mbretin e amshueshëm!
Në ty përsëri ai vetë me gëzim *
Tempullin tënd ai do ta ndërtojë
që të gëzojnë në ty të gjithë të treturit, *
brez pas brezi deri në amshim!
Dritë e ndritshme do të shkëlqejë
anë e kënd skajet e dheut, *
prej kahmos te ti do të vijnë;
kombe të ndryshme edhe të shumta *
që i përmban rrumbullaku i dheut
tek i shenjti Emri yt! *
ngarkuar duart me dhurata
për t'ia dhënë Mbretit të qiellit!
Jerusalem, në ty do të gëzohen *
breznitë e të gjitha breznive
i 'Zgjedhur' ti do të quhesh *
në jetë të jetës për amshim!
Atëherë gëzo edhe galdo *
për bijtë e të drejtëve,
se të gjithë do të bashkohen *
e për amshim do të bekojnë Zotin.
Shpirti im, gëzohu në Zotin, *
në të Madhin Mbret,
sepse në qytet të Jerusalemit
do të ndërtohet Shtëpia e tij *
e paepur në shekuj të shekujve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Gëzohu, o Jerusalem, sepse në ty do të bashkohen popujt dhe do ta bekojnë Zotin.
Ant. 3 Qytet i Zotit, lavdëroje Zotin, ai e dërgon fjalën e vet te ti.
Psalmi 147 (1-9) Jerusalemi i rindërtuar
Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Nusen e Qengjit (Zb 21, 9).
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *
i bekoi bijtë e tu në ty!
Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
E hedh borën porsi lesh, *
e derdh brymën porsi hi.
E lëshon breshrin porsi kafshatë, *
kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?
E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *
çon erën e vet e ujërat rrjedhin.
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qytet i Zotit, lavdëroje Zotin, ai e dërgon fjalën e vet te ti.
Leximi i shkurtër Krh. Heb 13, 7-9a
Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre! Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim. Mos lejoni të gënjeheni me mësime të ndryshme të huaja!
Përgjigjja e shkurtër
C I vure si roje, * që të kujdesen për Kishën tënde.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
D Natë e ditë e shpallin emrin tënd,
që të kujdesen për Kishën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Nuk jeni ju që do të flisni, por në ju do të flasë Shpirti i Atit.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Nuk jeni ju që do të flisni, por në ju do të flasë Shpirti i Atit.
Lutjet e besimtarëve
Krishtit, bariut të mirë, që e dha jetën për delet e veta, t’ia lartësojmë plot me shpresë lutjen tonë:
Udhëhiqe, o Zot, popullin tënd në kullotat e jetës së pasosur.
O Krisht, ti që në bariun e shenjtë në shën Piut, Papë na e dhe një shëmbëllesë të gjallë të dashurisë sate të mëshirshme,
— bëj që në ata që na udhëheqin ta provojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate.
Ti, që në zëvendësit e tu e vazhdon misionin tënd si mësues dhe barí,
— na udhëheq gjithmonë nëpërmjet mbarështuesve të tu.
Ti, që në barinjtë e shenjtë, të vërë në shërbim të popullit tënd, u bëre mjek i shpirtrave dhe i trupave,
— bëj që mos të na mungojë kurrë prania jote nëpërmjet mbarështuesve të shenjtë dhe shenjtërues.
Ti që besimtarët i nxite me urtinë dhe dashurinë e Shën Piut, Papë,
— bëj që predikuesit e Ungjillit të na ndihmojnë të të njohim dhe të të duam sikurse dëshiron ti.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti e mbushe shën Piun papë me dije qiellore e me guxim apostolik për të mbrojtur fenë katolike e për të ripërtërirë gjithçka në Krishtin, bëj që t’i ndjekim rregulloret e shembujt e tij e të fitojmë jetën e pasosur. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.