Lavdet e mëngjesit

22 gusht, Shën Maria Virgjër, Mbretëreshë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V Hyj, më eja në ndihmë!

P O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   O me sa dritë t’lavdishme ti shkëlqen

   filiz mbretror i trungut të Davidit,

   Virgjër Mari, tërë madhëri e ngritur

   përmbi të gjithë qiellorët e parajsës.

 

   Ti, me nderimin virgjëror o nënë,

   Hyjit të qiejve e dlirë i bëre gati

   në mitrën shenjte tremen e krahrorit;

   nga ku me trup u lind Krishti i Hyjnueshëm:

 

   Që me përulje e adhuron tërë rruzulli,

   dhe atij si duhet të gjithë i gjunjëzohen,

   nga i cili ty, duke na i flakë errsirat,

   gëzimet e dritës me na i sjellë të lutemi.

 

   Këto dhurona, o Ati i çdo ndriçimi,

   nëpër tënd Bir, me Shpirtin e Shenjtruar,

   që me Ty rron në qiellin e shkëlqyer

   që mbretëron dhe udhëheq gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër apo këngë e përshtatshme e miratuar nga autoriteti kishtar.

 

Ant. 1 Është punë e mirë ta lavdërojmë Zotin, ta shpallim dashurinë e tij në mëngjes.

 

   Psalmi 92 /91/ (2-16) Lavdi Zotit Krijues

 

   Kremtohen lavdet për mrekullitë e të Njëlindurit (Shën Atanazi).

 

Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *

   ti këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

 

Të shpallim dashurinë në mëngjes *

   e gjatë natës besnikërinë tënde,

me harpë dhjetëkordash e me lirë, *

   me këngë përcjellë me cetër.

 

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *

   kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *

   sa të thella mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk i di, *

   dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

 

Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *

   e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,

janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *

   vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

 

Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †

   sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *

   do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

 

Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *

   më shugurove me më të pastrin vaj.

 

Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *

   veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

 

I drejti lulëzon si palma, *

   rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *

   lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri, *

   janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë: *

   Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Është punë e mirë ta lavdërojmë Zotin, ta shpallim dashurinë e tij në mëngjes.

 

Ant. 2 Na e jep, o Zot, një zemër të re, vendose në ne Shpirtin tënd të Shenjtë.

 

   Kënga Ez 36, 24-28 Hyji do ta përtërijë popullin e vet

 

   Ata do të jenë populli i tij, kurse Ai do të jetë me ta Hyji i tyre (Zb 21, 3).

 

Do t'ju heq prej paganëve

   e do t'ju bashkoj nga të gjitha vendet *

   dhe do t'ju sjell në vendin tuaj.

 

Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër

   dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. *

   Do t'ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!

Unë do t'ju jap një zemër të re, *

   një shpirt të ri do ta fus në ju,

do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë *

   e do t'ju jap një zemër mishi.

 

Shpirtin tim do ta fus në ju

   e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia *

   e t'i zbatoni e t'i shtini në veprim gjyqet e mia.

 

Do të banoni në tokën

   që ua dhurova etërve tuaj: *

   ju do të jeni populli im

   e unë do të jem Hyji juaj.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Na e jep, o Zot, një zemër të re, vendose në ne Shpirtin tënd të Shenjtë.

 

Ant. 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave, ngritet lavdi yt, o Zot.

 

   Psalmi 8 (2-10) Madhëria e Zotit dhe dinjiteti i njeriut

 

   Çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës (Ef 1, 22).

 

O Zot, Zoti ynë, †

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *

   Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

 

Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †

   lavdinë e bëre gati kundër armiqve *

   që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

 

Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *

   hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *

   biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *

   e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *

   Gjithçka vure nën këmbët e tij:

delet e kafshët të gjitha, *

   për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *

   të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

O Zot, Zoti ynë, *

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave, ngritet lavdi yt, o Zot.

 

   Leximi i shkurtër Krh. Is 61, 10

 

   Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me argjendari e stolisur.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Të falemi Mari, hirplote * Zoti me ty.

   Të falemi Mari, hirplote Zoti me ty.

   D Je më e bekuar se të gjitha gratë

   dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd,

   Zoti me ty.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Të falemi Mari, hirplote Zoti me ty.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Mbretëreshë shumë fisnike e botës, Mari gjithmonë virgjër, ti e linde Krishtin Shpëtimtar.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Mbretëreshë shumë fisnike e botës, Mari gjithmonë virgjër, ti e linde Krishtin Shpëtimtar.

 

Lutjet e besimtarëve

 

Ta lëvdojmë Shëlbuesin tonë, i cili u denjua të lindë prej Virgjërës Mari, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   Për Marinë, hirplote, dëgjoje lutjen tonë.

 

Fjalë e Amshuar, Marinë e zgjodhe që të jetë arka e pashkatërrueshme e pranisë sate në mesin tonë

lirona nga shkatërrueshmëria dhe njollosja e mëkatit.

Shëlbuesi ynë, që Marinë Virgjër e bëre tempull të denjë të Shpirti Shenjt,

na bëj edhe ne tempull të gjallë të Shpirtit tënd.

Mbret i mbretërve, deshe që nëna jote, të ngjitet në qiell me trup dhe shpirt

drejtoji edhe dëshirat tona kah Jerusalemi qiellor.

Zotërues i qiellit dhe i tokës, Marinë e caktove si mbretëreshë në të djathtën tënde

na bëj edhe ne pjesëmarrës në trashëgimin e shenjtërve.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na dhe Nënën e Birit tënd për Nënë e Mbretëreshë tonën: bëj që, me ndërmjetësinë e saj, të fitojmë në qiell lumturinë që ua premtove bijve e bijave të tu. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.