Lavdet e mëngjesit
8 shtator, Lindja e shën Marisë Virgjër
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në ditëlindjen e Virgjrës Mari, ta lavdërojmë Krishtin, Birin e saj.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
O zonja e shenjtë e botës,
mbretresha e famshme e qiellit,
o i ndritshmi yll i detit,
virgjër nëna e mahnitshme.
Shfaqu, o bija e ëmbël,
shkëlqe tash, virgjëreshë,
do mbajsh lulen fisnike,
Krishtin Zot e njeri.
Ja t’bardhën festë vjetore
kremtojmë të lindjes tënde,
që nga fis shumë i zgjedhur
shkëlqeve e lindur botës.
Të lindur nga dheu jemi,
tash nga ti t’lindur n’qiell,
paqësorë me paqë fisnike,
në mënyrë të jashtëzakonshme.
Trinisë i qoftë lavdia
ndër shekujt e gjithë shekujve,
për hir të cilës quhesh
e lumja nënë e Kishës. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Lindi e lavdërueshmja Virgjëra Mari, pasardhëse e Abrahamit, prej fisit të Judës, prej fisit mbretëror të Davidit.
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Lindi e lavdërueshmja Virgjëra Mari, pasardhëse e Abrahamit, prej fisit të Judës, prej fisit mbretëror të Davidit.
Ant. 2 U ndez një dritë në botë në lindjen e Virgjrës: i lumtur është fisi, e shenjtë rrënja dhe i bekuar fryti i saj.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 U ndez një dritë në botë në lindjen e Virgjrës: i lumtur është fisi, e shenjtë rrënja dhe i bekuar fryti i saj.
Ant. 3 Me gëzim e kremtojmë lindjen tënde, o Mari; lute për ne Jezusin Zot.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Me gëzim e kremtojmë lindjen tënde, o Mari; lute për ne Jezusin Zot.
Leximi i shkurtër Is 11, 1-3a
Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.
Përgjigjja e shkurtër
C Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.
Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.
D Bëri që të banosh nën tendën e vet,
dhe të parapëlqeu.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.
Kënga ungjillore (Benedictus)
Ant. Lindja jote, o Virgjër Nëna e Zotit, i shpalli gëzimin mbarë botës: prej teje lindi dielli i drejtësisë, Krishti Hyji ynë: ai hoqi dënimin dhe solli hirin, e mundi vdekjen dhe na dhuroi jetën.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Lindja jote, o Virgjër Nëna e Zotit, i shpalli gëzimin mbarë botës: prej teje lindi dielli i drejtësisë, Krishti Hyji ynë: ai hoqi dënimin dhe solli hirin, e mundi vdekjen dhe na dhuroi jetën.
Lutjet e besimtarëve
Ta lëvdojmë Shëlbuesin tonë, i cili u denjua të lindë prej Virgjërës Mari, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:
Për Marinë, hirplote, dëgjoje lutjen tonë.
Fjalë e Amshuar, Marinë e zgjodhe që të jetë arka e pashkatërrueshme e pranisë sate në mesin tonë
— lirona nga shkatërrueshmëria dhe njollosja e mëkatit.
Shëlbuesi ynë, që Marinë Virgjër e bëre tempull të denjë të Shpirti Shenjt,
— na bëj edhe ne tempull të gjallë të Shpirtit tënd.
Mbret i mbretërve, deshe që nëna jote, të ngjitet në qiell me trup dhe shpirt
— drejtoji edhe dëshirat tona kah Jerusalemi qiellor.
Zotërues i qiellit dhe i tokës, Marinë e caktove si mbretëreshë në të djathtën tënde
— na bëj edhe ne pjesëmarrës në trashëgimin e shenjtërve.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Na dhuro, o Zot, visarin e hirit tënd: pasi amësia e shën Marisë qe për ne fillimi i shëlbimit, bëj që festa e ditëlindjes së saj të na sjellë paqen e vërtetë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.