Lavdet e mëngjesit
15 shtator , Shën Maria Virgjër e Dhimbshme
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. .
Ant. Në kujtim të Marisë, të bashkuar në mundim me të Birin, ta adhurojmë Krishtin Zot.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Hajde, nanë, burim dashnie,
bëj të ndiej forcën e dhimbjes
bashkë me ty të qaj.
Bëj të ndizet zemra ime
duke dashur Krishtin Hyj,
t’i pëlqej atij.
Nënë e shenjtë, vepro të lutem,
nguli plagët e t’Kryqzuarit
thellë në zemrën time.
Dhe të Birit tënd t’plagosur,
që u denjua t’vuajë për mua
vuajtjet ndaj me mua.
Bëj të qaj me ty si duhet,
të vuaj rëndë me të Kryqzuarin
derisa të jem gjallë.
Afër kryqit t’jem pranë teje
edhe ty të të shoqëroj
në vajtim dëshiroj.
E kur trupi të më vdesë,
bëj që shpirtin tim ta presë
lumnia e parrizit. Amen.
Ant. 1 Në ty mbështetet shpirti im, o Zot Jezus.
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në ty mbështetet shpirti im, o Zot Jezus.
Ant. 2 Galdoni, ju që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit.
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
net e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Galdoni, ju që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit.
Ant. 3 Në gjakun e Krishtit Hyji pajton me veten çdo gjë.
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Në gjakun e Krishtit Hyji pajton me veten çdo gjë.
Leximi i shkurtër Kol 1, 24-25
Vetë iu gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij ‑ Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj, që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit.
Përgjigjja e shkurtër
C Ndërmjetëso për shëlbimin tonë, * o Virgjër Mari.
Ndërmjetëso për shëlbimin tonë, o Virgjër Mari.
D Nëpër mundimin e Krishtit, Birit tënd,
o Virgjër Mari.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Ndërmjetëso për shëlbimin tonë, o Virgjër Mari.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Ti luftove dhe vuajte, Nënë e dhimbjeve: tash shkëlqen në lavdi së bashku me Krishtin Birin tënd.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ti luftove dhe vuajte, Nënë e dhimbjeve: tash shkëlqen në lavdi së bashku me Krishtin Birin tënd.
Lutjet e besimtarëve
Ta lëvdojmë Shëlbuesin tonë, i cili u denjua të lindë prej Virgjërës Mari, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:
Për Marinë, hirplote, dëgjoje lutjen tonë.
Fjalë e Amshuar, Marinë e zgjodhe që të jetë arka e pashkatërrueshme e pranisë sate në mesin tonë
— lirona nga shkatërrueshmëria dhe njollosja e mëkatit.
Shëlbuesi ynë, që Marinë Virgjër e bëre tempull të denjë të Shpirti Shenjt,
— na bëj edhe ne tempull të gjallë të Shpirtit tënd.
Mbret i mbretërve, deshe që nëna jote, të ngjitet në qiell me trup dhe shpirt
— drejtoji edhe dëshirat tona kah Jerusalemi qiellor.
Zotërues i qiellit dhe i tokës, Marinë e caktove si mbretëreshë në të djathtën tënde
— na bëj edhe ne pjesëmarrës në trashëgimin e shenjtërve.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti deshe që Birit tënd të gozhduar në kryq t’i rrinte pranë Nëna e tij e të vuante bashkë me të: bëj që edhe Kisha jote të bashkohet me mundimet e Krishtit që të ketë pjesë në ngjalljen e tij. Nëpër Zotin
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.