Lavdet e mëngjesit
23 shtator, Shën Piu nga Pietralçina, meshtar
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në përkujtimin e shën Piut nga Pjetërlqina ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Jezus, kurorë më e larta
dhe e vërtetë më e epra,
që shërbëtorit t’njohur
i jep çmim të përhershëm.
Jepu lutësve t’ mbledhur
nga urata e këtij qiellori,
t’u shlyhen faje e krime
duke u këputur prangat.
Asgjë të kotë pa dashur
i ushtroi punët toksore,
dhe me gjithë shpirt i ndezur
veç ty si me t’pëlqye.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejtë,
pandarë botërisht të shpallte,
me forcë shkeli armikun,
madhështorin e kryekëcyerin.
I shquar me fe e virtyte,
në ligjërim i zellshëm,
e me gjymtyrë të urta
zë vend në gosti qiellore.
Hyjit Atë i qoftë lavdia,
dhe ty të vetmit Bir
bashkë me Shpirtin Shenjtë
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
Psalmi 36 /35/ (2-13) Fajësia e njeriut e mirësia e Hyjit
Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës (Gjn 8, 12).
Paudhësia pëshpërit mu në zemër të bakeqit, *
frika e Hyjit s’është para syve të tij.
Vetë mëkatari ia mbyll sytë vetvetes, *
të mos e shohë paudhësinë e të mos e urrejë.
Fjalët e gojës së tij janë paudhësi e dhelpëri, *
për urtësi e vepra të mira nuk e vret veshin.
Në shtrojën e vet sendërton paudhësinë, †
ecën vazhdimisht udhës së keqe, *
djallëzinë nuk e urren.
Mirësia jote, o Zot, deri në qiell, *
bujaria jote deri në majë të reve!
Drejtësia jote si malet, më të lartat, †
gjyqet e tua porsi Humnera e madhe: *
njerëz e kafshë ti, o Zot, i shpëton.
Sa e çmueshme është mëshira jote, o Hyj! *
Njerëzit strehohen nën hijen e krahëve të tu.
Ngihen me begatinë e Shtëpisë sate, *
u shuan etjen nga përroi i kënaqësisë sate.
Sepse te ti është burimi i jetës, *
në dritën tënde ne shohim dritën.
Shtrije mëshirën tënde mbi ata që të njohin, *
drejtësinë tënde mbi ata që zemrën e kanë të pastër.
Mos më shkeltë këmba e madhështorit, *
mos më grahtë dora e mëkatarit.
Këtu u thyen bakëqijtë, *
ranë e më s’mund u ngritën!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në dritën tënde, o Zot, ne e shohim dritën.
Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.
Kënga Jt 16, 1-2. 13-15 Zoti, krijuesi i botës, e mbron popullin e vet
Këndonin një këngë të re (Zb 5, 9).
Lëvdojeni Hyjin tim me zë tupanash, *
këndoni Zotit tim me tinguj cimbalesh,
psalme e këngë të jehojnë në nder të tij: *
lartësojeni dhe thirreni Emrin e tij!
Ti je Hyji luftërashqimës, †
fushimin ti e vendose në mes të popullit tënd *
për të më shpëtuar nga armiqtë e mi.
Hyjit tim dua t'i këndoj një këngë të re: †
Je i madh e i madhërishëm, o Zot, *
i mrekullueshëm, në fuqi i pakalueshëm!
Të shërbeftë krijesa jote *
pse ti the e ato u bënë,
çove frymën tënde e ato u formuan. *
Askush s'i qëndron përballë fjalës sate!
Malet me themelet e veta dhe ujërat do të tunden, *
qetat para teje si dylli do të shkrihen,
por për ata që ty të druan *
gjithnjë i mëshirshëm do të jesh.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti je i madh, o Zot, i mrekullueshëm në fuqi dhe i pathyeshëm.
Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Psalmi 47 /46/ (2-10) Hyji mbreti i mbarë botës
Rri në të djathtën e Atit dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
Duartrokitni, o popuj të gjithë, *
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, *
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.
Popujt i vuri nën sundimin tonë, *
paganët nën këmbët tona.
Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, *
nderin e Jakobit, të dashurit të vet.
Ngjitet Hyji me brohori, *
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni, *
këndoni mbretit tonë, këndoni!
Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: *
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, *
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.
Princat e popujve paganë bashkohen *
me popullin e Hyjit të Abrahamit,
sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, *
Ai është i lartësuar mbi të gjithë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Leximi i shkurtër Krh. Rom 12, 1-2
Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit ‑ porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos ju përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.
Përgjigjja e shkurtër
C Zemra e shenjtërve, * në ligjin e Zotit.
Zemra e shenjtërve, në ligjin e Zotit.
D E drejtë dhe e sigurt është ecja e tyre,
në ligjin e Zotit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Zemra e shenjtërve, në ligjin e Zotit.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Çdonjëri që kryen vullnetin e Atit tim, është për mua vëlla, motër dhe nënë, thotë Zoti.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. Çdonjëri që kryen vullnetin e Atit tim, është për mua vëlla, motër dhe nënë, thotë Zoti.
Lutjet e besimtarëve
Të bashkuar në liturgjinë e lavdit, ta thërrasim Krishtin Zot, që të na ndihmojë t’i shërbejmë në shenjtëri e drejtësi për çdo ditë të jetës sonë:
Shenjtëroje popullin tënd, o Zot.
Ti u sprovove në çdo gjë për t’u bërë i ngjashëm me ne në çdo gjë përpos në mëkat,
— o Zot Jezus, ki mëshirë për popullin tënd.
Ti i thërret të gjithë në dashuri të përsosur,
— o Zot Jezus, shenjtëroje popullin tënd.
Ti deshe që nxënësit e tu të jenë kripa e tokës dhe drita e botës,
— o Zot Jezus, shndrite popullin tënd.
Ti erdhe jo për të qenë shërbyer por për të shërbyer,
— o Zot Jezus, na mëso të shërbejmë në vëllezërit tanë.
Ti je shkëlqimi i lavdisë së Atit dhe vula e qenies së tij,
— o Zot Jezus, bëj që në fund të jetës të mund ta kundrojmë fytyrën tënde së bashku me shenjtërit e tu.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, me anë të një hiri të veçantë ti bëre që meshtari shën Pio (nga Pietralçina) të merrte pjesë në kryqin e Birit tënd, dhe nëpërmjet shërbesës së tij i përtërive mrekullitë e mëshirës sate; nëpërmjet ndërmjetësisë së tij, na e dhuro edhe neve, të bashkuar vazhdimisht me vuajtjet e Krishtit, që të arrijmë të lumtur në lavdinë e ringjalljes. Nëpër Zotin tonë.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.