Lavdet e mëngjesit
29 shtator, Shën Mihaeli (Mhilli), Gabrieli dhe Rafaeli, kryeengjëj
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin së bashku me engjëjt e tij.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Pason himni i përshtatshëm.
Himni
Ty, o Krisht, shkëlqimi i Atit,
jetë, virtyt i zemrave,
ne me kushtu e zë këndojmë
në praninë e engjëjve;
me radhë duke brohoritur,
këngë u japim zërave.
Lavdërojmë duke nderuar
Kryengjëjt e shquar,
n’veçanti atë më kryesorin
e ushtrisë së qiejve.
Mikaelin me trimëri
që dërrmoi Shejtanin.
Me atë mbrojtës larg dëbo,
mbreti Krisht hyjnori,
gjitha prapësitë e armikut;
t’pastër n’trup e zemër
na ço në parajsën tënde
vetëm nga mirësia.
Lavdi Atit t’i thërrasim
me zë t’melodishëm,
lavdinë Krishtit t’i këndojmë,
lavdinë Ngushllimtarit,
Zot n’tre vetë dhe një i vetëm
qëndron para shekujve. Amen.
Ose Angelum Pacis sikurse në Lutjet e mbrëmjes ose një himn tjetër apo këngë e përshtatshme e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Ta lavdërojmë Zotin. Bashkë me engjëj, kerubinët dhe serafinët brohorasin: Shenjt, shenjt, shenjt!
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Ta lavdërojmë Zotin. Bashkë me engjëj, kerubinët dhe serafinët brohorasin: Shenjt, shenjt, shenjt!
Ant. 2 Engjëjt e Zotit, bekojeni Zotin në amshim.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Engjëjt e Zotit, bekojeni Zotin në amshim.
Ant. 3 Le të lavdërojnë engjëjt në lartësitë e qiellit, le të brohorasin njëzëri: Është e drejtë t’i këndohet emrit tënd, o Zot.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Le të lavdërojnë engjëjt në lartësitë e qiellit, le të brohorasin njëzëri: Është e drejtë t’i këndohet emrit tënd, o Zot.
Leximi i shkurtër Zan 28, 12-13a
Jakobi pa një ëndërr: Pa një shkallë që fundin e kishte në tokë e maja i prekte qiellin. Engjëjt e Hyjit ngriheshin dhe zbritnin nëpër të. Pa edhe Zotin të mbështetur në shkallë që po i thoshte: “Unë jam Zoti, Hyji i Abrahamit, atit tënd, dhe Hyji i Isakut.”
Përgjigjja e shkurtër
C Një engjëll u shfaq * përbri lterit të tempullit.
Një engjëll u shfaq përbri lterit të tempullit.
D Në dorë mbante një kemore ari
përbri lterit të tempullit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Një engjëll u shfaq përbri lterit të tempullit.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.
Lutjet e besimtarëve
T’i klithim Zotit, të cilit i shërbejnë morí engjëjsh që njëzëri këndojnë, dhe me gëzim të themi:
Ty të bekojmë, o Zot, me engjëjt e tu.
O Zot ti u urdhërove engjëjve të tu që të na ruajnë në të gjitha rrugët tona
— na udhëheq sot nëpër rrugët e tua.
O Atë, fytyrën tënde gjithmonë në qiell e shohin engjëjt tanë
— bëj që ta kërkojmë fytyrën tënde pa pushim.
O Zot, bijtë e tu do të jenë sikur engjëjt e qiellit
— na jep pastërtinë e zemrës dhe të trupit.
O Zot, dërgoja popullit tënd në ndihmë Mihaelin, udhëheqësin e madh
— që ta mbrojë në luftë kundër djallit dhe engjëjve të tij.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Në dijen tënde të mrekullueshme, o Zot, ti u përcakton detyrat përkatëse engjëjve dhe njerëzve: bëj të jemi të mbrojtur këtu mbi tokë prej atyre, që vazhdimisht në qiell shërbejnë para fytyrës sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.