Lavdet e mëngjesit

30 shtator, Shën Jeronimi, meshtar dhe Mësues i Kishës

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Pason himni i përshtatshëm.

 

   Himni

 

   Me lavd gazmor i këndojmë Hieronimit,

   t’na rrezatojë si ylli i përmendur

   për meritë dije e njëkohësisht për vepra

   jete të fortë e t’ashpër.

 

   Duke rrëmuar fjalët e fesë e dogmat

   e shenjta u orvat t’i shtrijë sa më të qarta,

   ja armiqtë, si luan i vrullshëm, i nxitur

   t’i mposhtë me zë të mprehtë.

 

   Plot gjallëri i dërsitur lëroi fushat

   e blerta t’Shkrimit shenjt zbritur prej qiellit,

   prej këtyre i pasur u zbuloi të gjithëve

   ushqime t’ëmbla hirit.

 

   Duke lakmuar heshtjen e këndshme të shkretisë,

   te djepi i Hyjit qëndroi gjithnjë zgjuar,

   duke munduar trupin me ngulm t’i kushtohej

   Atit dhuratë e fli.

 

   Zot shumë i mirë, t’kërkojmë me shpirt nga lutjet

   e dijetarit t’madh drejtona e ngrohna,

   që ne të mundim lavdet e gëzueshme

   t’këndojmë ty n’gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 E shenjtë është udha jote: cili hyj është i madh si ti, o Zot?

 

   Psalmi 77 /76/ (2-21) Hyji i ripërtërin mrekullitë e dashurisë së vet

 

   Nga çdo anë jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë (2Kor 4, 8. 14).

 

Drejt Zotit e ngrita zërin tim, *

   drejt Hyjit e çova zërin: Ai më dëgjon.

 

Në ditët e vështira unë e kërkoja Hyjin, †

   natën drejt tij i lartësoj duart e mia

   e nuk lodhem, *

   por shpirti im nuk gjen ngushëllim,

 

më bie në mend Hyji dhe fshaj, *

   e kujtoj e më paket fryma.

Hapur m’i mban qepallat e syve të mi, *

   i tronditur jam e nuk mund të flas.

 

Mendoj ditët e kaluara, *

   më bien në mend vitet e lashta.

Mendoj natën në zemrën time, *

   përsiat dhe shpirti im shqyrton:

Vallë, për amshim Hyji ka hequr dorë, *

   dhe kurrë, thua, më s’do të ketë mëshirë?

A thua përgjithmonë u zhduk mëshira e tij, *

   premtimi i tij mbaroi, vallë, përgjithmonë?

 

Ndoshta harroi Hyji të ketë dhembje, *

   i zemëruar thua cak i vuri mëshirës së vet?

Dhe thashë: »Ja, plaga ime: *

   është shndërruar e djathta e Tejetlartit.«

 

Në mend me bien veprat e Zotit, *

   i kujtoj mrekullitë e tua qysh prej fillimit.

Me mend i përbluaj të gjitha veprat e tua, *

   meditoj mbi veprat e tua të larta.

 

O Hyj, të shenjta janë udhët e tua, *

   cili hyj është i madh si Hyji ynë?

Vetëm ti je Hyji që bën mrekulli, *

   mbi popujt ti e tregove fuqinë tënde.

 

Me të djathtën tënde ti e shpërbleve popullin tënd, *

   bijtë e Jakobit e të Jozefit.

 

Të panë ujërat, o Hyj, †

   të panë ujërat e u zmbrapsën, *

   u trazuan deri edhe humnerat!

 

Riguan retë ujëra, †

   dhanë retë gjëmat e veta *

   shigjetat e tua fluturuan!

 

Bubullima jote jehoi në stuhi, †

   vetëtimat shndritën rruzullin e Tokës, *

   u tund Toka dhe u trand!

 

Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha, *

   gjurmët e tua askush nuk i njeh.

 

Porsi grigjës i prive popullit tënd, *

   me dorë të Moisiut e të Aronit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E shenjtë është udha jote: cili hyj është i madh si ti, o Zot?

 

Ant. 2 Shpirti im brohoret në Zotin: është ai që përul dhe ngre.

 

   Kënga 1 Sam 2, 1-10 Gëzimi dhe shpresa e të përvuajturve është në Zotin

 

   I rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë (Lk 1, 52-53).

 

Zemra ime kërcen nga gëzimi në saje të Zotit *

   m'u trash krahu në saje të Hyjit tim;

hapur e kam gojën kundër armiqve të mi, *

   sepse më gëzove me bamirësinë tënde.

 

Askush s'është i shenjtë krahas me Zotin, †

   sepse përveç teje tjetër s'ka! *

   Nuk ka të fortë porsi Hyji ynë!

 

Oh, mos flisni fjalë të mëdha krenie, *

   larg gojës suaj fjalët me madhështi:

sepse Hyji është Zoti që di gjithçka *

   e prej tij peshohen veprimet!

 

Harku i të fortëve u thye, *

   kurse të ligshtit u ngjeshën me fuqi!

 

Të ngopurit rrogëtarë u lidhën për bukë goje, *

   kurse të uriturit më s'sprovojnë skamje.

Beronja lindi fëmijë me shumicë, *

   kurse ajo që pati shumë u shua.

 

Zoti bën që të vdiset e të jetohet, *

   plandos në Nëntokë dhe andej nxjerr.

Zoti bën skamnor e të pasur, *

   përul edhe lartëson;

 

prej pluhuri e ngre varfanjakun, *

   prej llomit e lartëson skamnorin,

që të rrijë me princa, *

   që ta zërë vendin e nderit.

 

Sepse të Zotit janë shtyllat e tokës *

   mbi to e vendosi botën.

Ai i ruan hapat e besnikut të vet, †

   në errësirë do të zhduken keqbërësit, *

   s'është forca që burrin e bën burrë!

 

Zoti do t'i ndrydhë kundërshtarët e vet, *

   prej qiellit mbi ta thekshëm do të bubullijë!

 

Zoti do ta gjykojë mbarë botën, †

   sundimin do t'ia japë mbretit të vet, *

   Ai do t'ia ngrejë ballin Mesisë së vet!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shpirti im brohoret në Zotin: është ai që përul dhe ngre.

 

Ant. 3 Zoti mbretëron, le të galdojë toka. †

 

   Psalmi 97 /96/ (1-12) Lavdia e Zotit në gjykim

 

   Ky psalëm bën fjalë për shëlbimin dhe për fenë e të gjithë popujve në Krishtin (Shën Atanazi).

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

† le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

   e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

   dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tij e shndritin botën, *

   sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

   para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

   të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

   të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

   Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

 

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

   galduan bijat e Judës. *

   për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

Sepse ti je, o Zot,

   i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

   ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

   Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

   i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

   e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

   nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti mbretëron, le të galdojë toka.

 

 

   Leximi i shkurtër Krh. Urt 7, 13-14

 

   Çka mësova pa dredhi e dhuroj pa smirë, nuk e fsheh pasurinë e saj. Sepse ajo është për njerëzit thesar i pashtershëm; kush e fiton, fiton miqësinë e Hyjit, të porositur nga dhuratat e mësimit të saj.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Kisha jote, o Zot, * i këndon urtisë së shenjtërve.

   Kisha jote, o Zot, i këndon urtisë së shenjtërve.

   D Kuvendi e shpall lavdinë e tyre,

   i këndon urtisë së shenjtërve.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Kisha jote, o Zot, i këndon urtisë së shenjtërve.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

Ant. Të urtët do të shndrisin porsi kupa e qiellit: mësuesit e urtisë do të jenë porsi yjet e qiellit.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Të urtët do të shndrisin porsi kupa e qiellit: mësuesit e urtisë do të jenë porsi yjet e qiellit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Ta falënderojmë Jezu Krishtin, Fjalën e Atit, që u bë njeri dhe foli me gjuhë njerëzore. Atij t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   Drejtoje, o Zot, popullin tënd.

 

O Jezu Krisht ti u bëre njeri dhe të gjithë ne na grishe që ta shpallim lajmin tënd të gëzueshëm

— bëj që njerëzit e të gjitha kohëve të marrin prej fjalëve të tua frymëzim për t’i kryer veprat e mira dhe për ta dëshmuar Ungjillin.

Ti deshe që njerëzit të bashkohen dhe ta dëgjojnë fjalën tënde,

— bëj që takimet liturgjike në popullin tënd të jenë burim jete.

Ti me dashuri e udhëhoqe popullin tënd

— bëj që gjithmonë të të mbetet besnik Ty.

Ti i thirre të gjithë njerëzit në kthim të gjithkohshëm

— bëj që edhe ne në dritën e Shkrimit të shenjtë, dhe besnikë ndaj shenjave të kohës, gjithmonë t’i kërkojmë rrugët e reja se si ta ndërtojmë mbretërinë tënde.

 

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti i dhurove shën Jeronimit meshtar një njohje të thellë depërtuese të Shkrimit të shenjtë: bëj që populli yt të ushqehet përherë me fjalën tënde dhe ta gjejë në të gurrën e jetës. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë