Lavdet e mëngjesit
2 tetor, Engjëjt rojtarë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Bashkë me engjëj, shërbëtorë të Zotit, t’i këndojmë lavdisë së tij.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
O autori i lartë i rruzullit,
çkado që ti krijove
të mëdha me dorë, ti i mban
me urti jo më të vogël.
Ji pranë atyre që të luten
për turmën e fajtorëve,
e pranë agut të dritës
dritë të re jepu mendjeve.
Për ne engjëlli yt,
caktuar për t’na ruajtur,
t’jetë pranë për të na mbrojtur
dhe nga molepsia e krimeve.
Të na largojnë nga shpifjet
e dragoit kundërshtar,
që rrjeta e mashtrimit
mos t’lidhë zemra t’shkujdesura.
Të dëbojë frikën e armiqve
larg prej kufijve tanë;
t’përkrahë paqen mes njerëzve
dhe t’ua largojë murtajën.
Hyjit Atë qoftë lavdia,
dhe ata që shpërbleu Biri,
dhe Shpirti Shenjt mirosi,
me anë t’engjëjve i ruajtë. Amen.
Ose Angelum Pacis sikurse në Lutjet e mbrëmjes ose një himn tjetër apo këngë e përshtatshme e miratuar nga autoriteti kishtar.
Ant. 1 Zemrën e thërrmuar e të penduar mos e përbuz, o Zot.
Psalmi 51 /50/ (3-21) Ki mëshirë për mua, o Zot
Përtërihuni në shpirtin e mendjes tuaj dhe vishuni me njeriun e ri (Krh. Ef 4, 23-24).
Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *
e më pastro prej fajit tim!
Sepse e pranoj paudhësinë time: *
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *
dhe i paanshëm në dënimin tënd.
Ja, mëkatar unë leva, *
madje në mëkate nëna ime më ngjizi,
por ti që e do çiltërinë e zemrës, *
m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.
Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *
më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.
Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *
dhe do të gëzohen eshtrat e thërmuara.
Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *
e resiti të gjitha fajet e mia.
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate, *
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *
e fajtorët do të kthehen tek ti.
Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *
dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.
Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *
e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.
Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar!
Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *
ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.
Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †
flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *
atëherë do të mund të kushtohen
mëzetër mbi lterin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zemrën e thërrmuar e të penduar mos e përbuz, o Zot.
Ant. 2 Në zemërimin tënd, o Zot, mos e harro mëshirën tënde.
Kënga Hab 3, 2-4. 13a. 15-19 Hyji shfaqet për gjyq
Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 27. 28).
Dëgjova, o Zot ç'thuhet për ty, *
tmerr, o Zot, më shtjen vepra jote!
Përsërite në ditët tona, *
në ditët tona qite në pah!
Kur të zemërohesh, *
mos harro i mëshirshëm të jesh!
Prej Temanit do të vijë Hyji, *
Shenjti prej malit Paran.
Madhëria e tij e mbulon qiellin, *
plot është toka me Lavdinë e tij!
Shkëlqimi i tij është porsi drita, †
qesin rreze duart e tija: *
aty fshihet fuqia e tij!
Dole popullin tënd të shpëtosh, *
ta shpëtosh të shuguruarin tënd.
Kuajve të tu n'për det ua hape udhën *
nëpër baltë të ujërave të mëdha.
Dëgjova e m'u dridh zemra, *
në atë zë m'u dridhën buzët.
Kalbësira në eshtra më përshkohet, *
për nën mua më dridhen këmbët.
Do të pushoj kur dita e zezë *
t'i vijë popullit që më pushton!
Fiku më nuk do të lulëzojë, †
fryt në hardhi më nuk do të ketë, *
nuk do të japë fruta ulliri,
nuk do të japin ushqim arat, †
zbrazët do të mbesë vatha pa dhen, *
në katua gjedhi nuk do të pëllasë!
Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë, *
do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!
Zoti Hyj është forca ime, †
do të m'i bëjë këmbët si të kaprollit *
e do të më çojë në malet e larta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Në zemërimin tënd, o Zot, mos e harro mëshirën tënde.
Ant. 3 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, madhëroje, o Sion, Hyjin tënd. †
Psalmi 147 (1-9) Jerusalemi i përtërirë
Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Nusen e Qengjit (Zb 21, 9).
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, *
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
† Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua, *
i bekoi bijtë e tu në ty!
Ai ua siguron kufijve të tu paqen, *
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë, *
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
E hedh borën porsi lesh, *
e derdh brymën porsi hi.
E lëshon breshrin porsi kafshatë, *
kush mund të qëndrojë para të ftohtit të tij?
E dërgon fjalën e vet e ato shkrihen, *
çon erën e vet e ujërat rrjedhin.
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, *
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: *
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, madhëroje, o Sion, Hyjin tënd.
Leximi i shkurtër Krh. Dal 23, 20-22
Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë gjatë udhëtimit e të të shtjerë në vend që kam përgatitur. Ki nderim për të dhe dëgjoje. Mos i kundërshto, sepse nuk do të falë në qoftë se mëkatoni, sepse në të është Emri im. Nëse do ta dëgjosh zërin e tij e nëse do të bësh gjithçka them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.
Përgjigjja e shkurtër
C Para engjëjve * këndoj për ty, o Hyj.
Para engjëjve këndoj për ty, o Hyj.
D E falënderoj emrin tënd,
këndoj për ty, o Hyj.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Para engjëjve këndoj për ty, o Hyj.
Kënga ungjillore (Benedictus)
Ant. Qoftë bekuar Zoti! Ai i dërgon shërbëtorët e vet për t’i shërbyer çdo njeriu të thirrur në shëlbim.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Qoftë bekuar Zoti! Ai i dërgon shërbëtorët e vet për t’i shërbyer çdo njeriu të thirrur në shëlbim.
Lutjet e besimtarëve
T’i klithim Zotit, të cilin e adhurojnë aradhet e panumërta engjëjsh dhe së bashku me ta të themi:
Ty të bekojmë, o Zot, me engjëjt e tu.
O Zot, ti u urdhërove engjëjve të tu që të na ruajnë në të gjitha rrugët tona
— na udhëheq sot nëpër rrugët e tua.
O Atë, fytyrën tënde gjithmonë në qiell e shohin engjëjt tanë
— bëj që ta kërkojmë fytyrën tënde pa pushim.
O Zot, bijtë e tu do të jenë sikur engjëjt e qiellit
— na jep pastërtinë e zemrës dhe të trupit.
O Zot, dërgoja popullit tënd në ndihmë Mihaelin, udhëheqësin e madh
— që ta mbrojë në luftë kundër djallit dhe engjëjve të tij.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj, ti në provaninë tënde të patregueshme na jep engjëjt për rojtarë: bëj të na ruajnë vazhdimisht me mbrojtjen e tyre që të gëzojmë një ditë, në shoqëri me ta, jetën e pasosur. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.