Lavdet e mëngjesit
Java e njëzetegjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E shtunë
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Kur drita t’i kthejë ditës,
me zë gazmor e t’këndshëm
të këndojmë lavdinë e Zotit,
të rrëfejmë hirin e Krishtit,
me anë t’tij krijuesi i t’gjithave
përftoi ditën e natën,
vendosë me ligj t’përjetshëm
të ndjekë përherë pas njera tjetrën.
Ti për besnikë drita e vërtetë,
që s’e njeh ligji i vjetër,
as nga nata nuk shuhet,
shkëlqen me dritë t’amshuar.
Bëj, Atë i pakrijuar,
paprerë ta çojmë tërë ditën
përherë duke i pëlqyer Krishtit
t’mbushur me Shpirtin Shenjtë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Dashurinë tënde e shpallim në mëngjes, e gjatë natës besnikërinë tënde.
Psalmi 92 /91/ (2-16) Lavdi Hyjit krijues
Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s'mund të bëni asgjë (Gjn 15, 5).
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
ti këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
e gjatë natës bësnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
me këngë përcjellë me cetër.
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
kënaqem për veprat e duarve të tua.
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
më shugurove me më të pastrin vaj.
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
I drejti lulëzon si palma, *
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
Japin fruta edhe në pleqëri, *
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Dashurinë tënde e shpallim në mëngjes, e gjatë natës besnikërinë tënde.
Ant. 2 Dua ta shpall Emrin e Zotit: lavdërojeni Hyjin tonë!
Kënga Lp 32, 1-12 Mirësitë e Hyjit për popullin e tij
Sa herë desha t'i bashkoj fëmijët e tu sikurse klloçka i bashkon zogjtë e vet nën krahë (Mt 23, 37).
Dëgjo, qiell, se dua të flas, *
dëgjo, tokë, fjalët e gojës sime!
Mësimi im le të rrjedhë si shiu, *
si vesa të më rigojë biseda:
si pikërrina përmbi bar, *
si shtrëngata mbi livadh!
Të Zotit Emrin do të lëvdoj: *
lartësoni Hyjin tonë!
I qetë është Ai, në vepra i përsosur, *
udhët e tij janë drejtësi:
Hyj besnik, pa asnjë të keqe, *
krejt i drejtë e i patëmetë.
Kundër Tij mëkatuan të poshtrit, *
bami i mbrapshtë e plot marrëzirë.
A kështu po ia kthen Zotit, *
komb i marrë e i pakripë?
A s'është Ai, vallë, baba yt, *
që të dha jetë e në jetë të mban?
Të të bien në mend kohërat e lashta, *
të të bien në mend breznitë e shkuara!
Pyete babain tënd e do të të tregojë, *
të parët e tu e do të të kallëzojnë!
Kur Zoti popujt i ndau, *
kur i ndau bijtë e Adamit:
kufijtë popujve ua caktoi *
sipas numrit të izraelitëve:
pronë e Zotit u bë populli i tij, *
pjesë për vete mor Zoti Jakobin.
Gjetur e kish në një vend të shkretë, *
në vend tmerrimi, ulërimi bishash.
E rrethoi, e përkujdesi, *
e ruajti si bebën e syrit.
Si shqiponja që bën gjira *
kur do zogjtë t'i mësojë të fluturojnë,
mbi ta i hap e i palon krahët: *
ashtu e mori Izraelin,
e mbarti mbi flatrat e veta.
Zoti vetëm e udhëhoqi, *
tjetër zot nuk qe me Të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dua ta shpall Emrin e Zotit: lavdërojeni Hyjin tonë!
Ant. 3 O Zot, Hyji ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! †
Psalmi 8 (2-10) Madhëria e Zotit dhe dinjiteti i njeriut
Çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës (Ef 1, 22).
O Zot, Hyji ynë, †
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *
† Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!
Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †
lavdinë e bëre gati kundër armiqve *
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.
Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *
hënën e yjet që ti i vendose,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *
Gjithçka vure nën këmbët e tij:
delet e kafshët të gjitha, *
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!
O Zot, Hyji ynë, *
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 O Zot, Hyji ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Leximi i shkurtër Rom 12, 14-16a
Bekoni salvuesit tuaj! Bekoni e mos i nëmni! Gëzohuni me ata që gëzojnë, qani me ata që qajnë! Jini në përkim me njëri-tjetrin! Mos dëshironi ndere të larta, përkundrazi t’ju tërheqin ato të përvujtat!
Përgjigjja e shkurtër
C Galdojnë buzët e mia * duke kënduar lavdinë tënde.
Galdojnë buzët e mia duke kënduar lavdinë tënde.
D Gjuha ime e shpall drejtësinë tënde,
duke kënduar lavdinë tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Galdojnë buzët e mia duke kënduar lavdinë tënde.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. Udhëhiqi hapat tanë, o Zot, në udhën e paqes.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Udhëhiqi hapat tanë, o Zot, në udhën e paqes.
Lutjet e besimtarëve
Ta lavdërojmë urtinë dhe mirësinë e Krishtit. Ai na urdhëroi të vazhdojmë ta duam atë në vëllezërit tanë, sidomos në ata që vuajnë. T’i thërrasim me lutje:
O Zot, na përsos në dashuri!
Që në mëngjes ne e përkujtojmë ringjalljen tënde:
— bëj t’i marrim frytet e shëlbimit, të cilat aq fort i dëshirojmë.
Jepna, o Zot, të dëshmojmë sot para njerëzve për ty:
— dhe të jemi të denjë të bashkohemi me kushtimin e flisë sate
Bëj që në vëllezërit tanë ta shohim fytyrën tënde:
— dhe të të shërbejmë Ty në çdo njeri.
O Krisht, hardhi e vërtetë, shermendet e të cilës jemi ne:
— bëj që të qëndrojmë në ty e të sjellim fryt të begatshëm në nder të Hyjit Atë.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Të lavdërofshin, o Zot, zërat dhe shpirtrat tanë, e pasi qenia jonë është dhuratë e dashurisë sate, krejt jeta jonë le të shndërrohet në një lavd të përhershëm. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.