Lavdet e mëngjesit

17 tetor, Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv dhe martir

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   O burrë i lum, me apostuj

   pjestar plot zell i punëve

   përkrahës dhe i shërbesës,

   prano lavdet e lutjet.

 

   Me ata lajmëtarë të Krishtit

   linden shumë të hareshëm

   shekujt e së vërtetës

   të paqes dhe gëzimit.

 

   Dhe ti i pëlqyer nga qielli

   pjesëmarrës n’shumë detyra,

   baras dhëndrit n’lavdi

   dhe në pushtet je ngritur.

 

   Ti, mbjellës i ndriçimit,

   me diell gjallërues të Krishtit

   bëj kudo t’lulëzojnë mugujt

   për të mbushë hambarët e qiellit.

 

   Së bashku me kryesorët

   t’jesh pranë Gjykatësit t’epër,

   bëj t’zgjidhen fajet tona,

   na bëj me hir të ngrohemi.

 

   Trinisë i qoftë lavdia,

   që në çdo kohë t’na japë

   të gëzojmë bashkë me ty

   çmimet e tij qiellore. Amen.

 

Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Është punë e mirë ta lavdërojmë Zotin, ta shpallim dashurinë e tij në mëngjes.

 

   Psalmi 92 /91/ (2-16) Lavdi Zotit Krijues

 

   Kremtohen lavdet për mrekullitë e të Njëlindurit (Shën Atanazi).

 

Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *

   ti këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

 

Të shpallim dashurinë në mëngjes *

   e gjatë natës besnikërinë tënde,

me harpë dhjetëkordash e me lirë, *

   me këngë përcjellë me cetër.

 

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *

   kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *

   sa të thella mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk i di, *

   dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

 

Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *

   e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,

janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *

   vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

 

Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †

   sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *

   do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

 

Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *

   më shugurove me më të pastrin vaj.

 

Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *

   veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

 

I drejti lulëzon si palma, *

   rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *

   lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri, *

   janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë: *

   Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Është punë e mirë ta lavdërojmë Zotin, ta shpallim dashurinë e tij në mëngjes.

 

Ant. 2 Na e jep, o Zot, një zemër të re, vendose në ne Shpirtin tënd të Shenjtë.

 

   Kënga Ez 36, 24-28 Hyji do ta përtërijë popullin e vet

 

   Ata do të jenë populli i tij, kurse Ai do të jetë me ta Hyji i tyre (Zb 21, 3).

 

Do t'ju heq prej paganëve †

   e do t'ju bashkoj nga të gjitha vendet *

   dhe do t'ju sjell në vendin tuaj.

 

Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër †

   dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. *

   Do t'ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!

Unë do t'ju jap një zemër të re, *

   një shpirt të ri do ta fus në ju,

do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë *

   e do t'ju jap një zemër mishi.

 

Shpirtin tim do ta fus në ju †

   e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia *

   e t'i zbatoni e t'i shtini në veprim gjyqet e mia.

 

Do të banoni në tokën

   që ua dhurova etërve tuaj: *

   ju do të jeni populli im

   e unë do të jem Hyji juaj.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Na e jep, o Zot, një zemër të re, vendose në ne Shpirtin tënd të Shenjtë.

 

Ant. 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave, ngritet lavdi yt, o Zot.

 

   Psalmi 8 (2-10) Madhëria e Zotit dhe dinjiteti i njeriut

 

   Çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës (Ef 1, 22).

 

O Zot, Zoti ynë, †

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! *

   Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

 

Prej gojës së ferishteve e të foshnjave †

   lavdinë e bëre gati kundër armiqve *

   që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

 

Kur e sodis qiellin - veprën e gishtave të tu, *

   hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, *

   biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

 

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, *

   e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. *

   Gjithçka vure nën këmbët e tij:

delet e kafshët të gjitha, *

   për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpendët e ajrit dhe peshqit e detit, *

   të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

 

O Zot, Zoti ynë, *

   sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Prej gojës së ferishteve e të foshnjave, ngritet lavdi yt, o Zot.

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 3-5

 

   Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Fuqia ime, * kënga ime është Zoti.

   Fuqia ime, kënga ime është Zoti.

   D Ai është shpëtimi im:

   kënga ime është Zoti.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Fuqia ime, kënga ime është Zoti.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Krishti, i vdekur për mua, Krishti, i ringjallur për mua: është ai që unë kërkoj dhe dëshiroj.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Krishti, i vdekur për mua, Krishti, i ringjallur për mua: është ai që unë kërkoj dhe dëshiroj.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Në bashkim me martirët e shenjtë të vrarë për shkak të Ungjillit, ta kremtojmë dhe ta thërrasim Shëlbuesin tonë, dëshmitarin besnik të Hyjit Atë:

 

   Ti na shëlbove me gjakun tënd, o Zot.

 

Për hir të martirëve të tu, të cilët e përqafuan vdekjen si dëshmi të fesë,

— na e jep lirinë e vërtetë të shpirtit.

Për hir të martirëve të tu, që e dëshmuan fenë deri në derdhjen e gjakut,

— na e jep një fe të pastër dhe të vërtetë.

Për hir të martirëve të tu, që ecën gjurmëve të tua në udhën e kryqit,

— bëj që me qëndresë t’u bëjmë ballë vështirësive të jetës.

Për hir të martirëve të tu, të cilët i lanë petkat e veta në gjakun e Qengjit,

— bëj që t’i mposhtim ngashënjimet e mishit dhe të botës.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti e stolis Kishën, trupin mistik të Krishtit, me dëshminë e martirëve të shenjtë, bëj që mundimi i lavdishëm, i cili i meritoi shën Injacit kurorën e pavdekësisë, të jetë edhe për ne burim qëndrese në fe. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.