Lavdet e mëngjesit

2 Nëntor, Shërbesa e të ndjerëve

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

   Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

   Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Zotin: sepse për të të gjithë jetojnë.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë

 

Himni

 

   Krisht, shpresa e faljes sonë,

   ti jeta je e ringjallja;

   tek ti sytë kemi e zemrat

   kur sulmon dhuna e vdekjes.

 

   Ti vetë merzitë e vdekjes

   t’egrat tortura i vuajte,

   para Atit i përvuajtur

   e i butë dhe t’ ëmblin shpirt.

 

   Duke marrë brengat tona,

   o ti bari mëshirues,

   ne dhe me ty t’bashkëvuajmë,

   n’gji t’Atit të bashkëvdesim.

 

   I varur me krahë t’hapur,

   n’gjoks të shporuar qasi

   kur t’ vdesin të rënduar

   nga sëmundja e dhembja e hidhur.

 

   Duke thyer dyert e ferrit

   fitues hape qielloret,

   ngre tash ne të ngashruarët

   pas vdekjes na gjallëro.

 

   Dhe këta vëllezër me trupin

   tash pushojnë n’paqen tënde,

   në lumni me ty t’rrinë zgjuar

   t’falënderojnë ty me lavde. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Do të brohorasin në Zotin, trupat e përvuajtur në vdekje.

 

Psalmi 51 /50/ (3-21)

 

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate, *

   pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

 

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim *

   e më pastro prej fajit tim!

Sepse e pranoj paudhësinë time: *

   mëkatin tim përherë e kam para sysh.

 

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj *

   dhe kam bërë ç’është keq para teje,

prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh, *

   dhe i paanshëm në dënimin tënd.

 

Ja, mëkatar unë leva, *

   madje në mëkate nëna ime më ngjizi,

por ti që e do çiltërinë e zemrës, *

   m’i mëso thellësitë e dijes së shpirtit.

 

Më stërpik me hisop e do të bëhem i pastër, *

   më laj e do të bëhem më i bardhë se bora.

Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit *

   dhe do të gëzohen eshtrat e thërrmuara.

 

Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia, *

   e resiti të gjitha fajet e mia.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër, *

   përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

 

Mos më flak larg fytyrës sate, *

   mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd, *

   dhe më forco me shpirt të gatshëm.

 

E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit *

   e fajtorët do të kthehen tek ti.

Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim, *

   dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.

 

Zhdrivilloji, o Zot, buzët e mia, *

   dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

Sepse ti nuk kënaqesh në fli, *

   e, nëse të kushtoj fli shkrumbimi, s’të pëlqejnë.

 

Flija e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar; *

   ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar!

 

Pashë mirësinë tënde, o Zot, bëji mirë Sionit, *

   ndreqi përsëri muret e Jerusalemit.

 

Atëherë do t’i pranosh flitë e drejtësisë, †

   flitë e shkrumbimit e të gjitha kushtet, *

   atëherë do të mund të kushtohen

   mëzetër mbi lterin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Do të brohorasin në Zotin, trupat e përvuajtur në vdekje.

 

Ant. 2 Prej pushtetit të errësirave, shpëtoje, o Zot, shpirtin tim.

 

Kënga Is 38, 10-14. 17-20

 

Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia †

   unë po shkoj në dyert e Nëntokës; *

   u luta për tepricën e viteve të mia.

 

Thashë: S'do ta shoh më Zotin Hyj *

   në tokën e të gjallëve,

nuk do të shoh më askënd *

   ndër banorët e kësaj bote.

 

Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje *

   porsi tenda e barinjve,

 

si vektari ma mbështolli jetën, †

   e prej shulit po më këput. *

   Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!

 

Përmbys klith deri në mëngjes, *

   porsi luani kështu m'i copëton të gjitha eshtrat:

Cicërij si dallëndyshja, *

   gjëmoj porsi pëllumbesha;

 

sytë m'u këputën *

   lart duke shikuar!

 

Ti shpëtove shpirtin tim *

   nga gropa e asgjësimit, –

sepse i hodhe pas shpinës sate *

   të gjitha mëkatet e mia.

 

Sepse banesa e të vdekurve nuk të lavdëron, *

   Vdekja ty lavde s'të këndon;

ata që zbresin në gropë *

   nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.

 

I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron *

   siç po bëj edhe unë sot;

babai ua mëson fëmijëve *

   besnikërinë tënde.

 

Më shpëto, o Zot, †

   e ne do të të këndojmë me harpë *

   në të gjitha ditët e jetës sonë

   në Shtëpinë e Zotit.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Prej pushtetit të errësirave, shpëtoje, o Zot, shpirtin tim.

 

Ant. 3 Gjatë gjithë jetës sime, do ta lavdëroj Hyjin tim.

 

Psalmi 146 /145/ (1-10)

 

Lavdëroje, shpirti im, Zotin! †

   Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time, *

   derisa të jem, Hyjit tim do t’i këndoj.

 

Mos e vini shpresën tuaj në princa, *

   në njeri që s’është i zoti të të shpëtojë.

Njeriu jep shpirt e kthehet në dheun e vet, *

   brenda një dite humbasin synimet e tij.

 

I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit, *

   që e ka shpresën në Zotin, Hyjin e vet,

i cili krijoi qiellin e Tokën, *

   detin e gjithçka është në ta,

 

që e mban besnikërinë për amshim, †

   që u jep të drejtën të nëpërkëmburve, *

   u jep ushqimin të uriturve.

 

Zoti i çliron robërit, *

   Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit, *

   Zoti i do të drejtët,

 

Zoti i mbron ardhacakët, †

   u ndihmon bonjakëve e të vejave, *

   ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

 

Zoti do të mbretërojë për jetë, †

   Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Gjatë gjithë jetës sime, do ta lavdëroj Hyjin tim.

 

Ose:

 

Ant. 3 Lavdërojeni Zotin, të gjithë ju që jetoni!

 

Psalmi 150 (1-5)

 

Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij, *

   madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!

Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija, *

   lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!

 

Lavdërojeni me zë të borisë, *

   lavdërojeni me harpë e me citarë,

lavdërojeni me tupan e valle, *

   lavdërojeni me korda e me fyej!

 

Lavdërojeni me cimbale tingëlluese, †

   lavdërojeni me cimbale brohorie! *

   Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Zotin, të gjithë ju që jetoni!

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Sel 4, 14

 

   Ne besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t'i marrë në lumturi.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Të madhëroj, o Zot: * ti më lirove.

   Të madhëroj, o Zot: ti më lirove.

   D Ti e shndërrove ankimin tim në këngë gëzimi.

   ti më lirove.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Të madhëroj, o Zot: ti më lirove.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Unë jam ringjallja dhe jeta: ai që beson në mua nuk do të vdesë, por do të jetojë; e kushdo që jeton dhe beson në mua nuk do të vdesë për amshim.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. Unë jam ringjallja dhe jeta: ai që beson në mua nuk do të vdesë, por do të jetojë; e kushdo që jeton dhe beson në mua nuk do të vdesë për amshim.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Hyji, Ati i gjithëpushtetshëm, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve, do t’ua rikthejë jetën edhe trupave tanë të vdekshëm nëpërmjet Shpirtit të tij. Të shndritur me këtë shpresë të themi së bashku:

 

   O Zot, na jep jetën në Krishtin.

 

Atë i shenjtë, që nëpërmjet pagëzimit na varrose në vdekjen e Birit tënd dhe na bëre pjesëtarë të ringjalljes së tij, bëj që të ecim gjithmonë në një jetë të re,

— që duke tejkaluar vdekjen në këtë tokë, të jetojmë gjithmonë me Krishtin.

Atë i mirë, ti që na ushqen me bukën e gjallë që zbriti prej qiellit,

— bëj që duke marrë pjesë në tryezën eukaristike, ta fitojmë shpërblimin e jetës së amshuar.

Atë i shenjtë, ti që nëpërmjet engjëllit tënd e ngushëllove Birin tënd në agoninë e Gjetsemanit,

— na ngushëllo në çastin e vdekjes sonë.

Ti që tre djelmoshat i lirove prej furrës së zjarrtë,

— pastroji besimtarët e vdekur prej mëkateve të tyre dhe liroji prej çdo dënimi.

O Hyj i të gjallëve dhe i të vdekurve, bëji pjesëtarë të lavdisë së Krishtit të ringjallur vëllezërit tanë të ndjerë,

— na prano një ditë në bashkësinë e gëzueshme të shenjtërve të tu.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Dëgjoje, o Hyj, lutjen që bashkësia e besimtarëve të tu ta lartëson në fenë e Zotit të ringjallur, dhe përforcoje në ne shpresën e lumtur se së bashku me vëllezërit e motrat tona të vdekura do të ringjallemi në Krishtin në një jetë të re. Nëpër të njëjtin Krisht.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.