Lavdet e mëngjesit

5 nëntor, I lumi Viçenc Prenushi me shokë martirë

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

 

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

 

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

   Himni

 

   Dhuntitë e amshueshme të Krishtit,

   fitoret e martirëve,

   duke i shoqëruar me lavde,

   t’i këndojmë me mendje të gëzueshme:

 

   Dhe princat e të gjitha Kishave,

   prijësit ngadhënjyes të luftës,

   ushtarët e oborrit të qiellit

   dritën e mirë të botës.

 

   Duke mposhtur tmerrin e shekullit

   dhe duke shporrur dënimet e trupit,

   me fitim të vdekjes shenjte

   zotërojnë dritën e lume.

 

   Dora e xhelatit të çmendur

   gjakun e shenjtë e derdhi,

   por mbesin të qëndrueshme

   hiret e jetës së përhershme.

 

   Feja e devotshme e shenjtërve

   shpresa e fortë e besimtarëve,

   dashuria e plotë e Krishtit,

   bëjnë të ngadhënjejë princi i botës.

 

   Ndër këto lavdia Atërore,

   ndër këto dëshira e Shpirtit,

   ndër këto galdon Biri,

   me gëzim mbushet qielli.

 

   Ty tash, Shëlbues, të lutemi,

   që në shoqëri të martirëve

   bashko shërbëtorët në lutje

   në shekujt e përhershëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qytet i Hyjit.

 

   Psalmi 87 /86/ (1-7) Jerusalemi, nëna e të gjithë popujve

 

   Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë (Gal 4, 26).

Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †

   Zoti i do më shumë dyert e Sionit *

   se të gjitha banesat e Jakobit.

 

Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *

   o Qyteti i Hyjit!

 

»Po përmend Rahabin e Babiloninë

   ndër ato që më njohin; †

   ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *

   - edhe ato lindën atje.«

 

Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *

   sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«

 

Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *

   »Këta lindën atje!«

Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *

   »Të gjitha burimet e mia janë në ty!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Qytet i Hyjit.

 

Ant. 2 Ja, po vjen Zoti me fuqi, me të është shpërblimi i tij.

 

   Kënga Is 40, 10-17 Bariu i mirë: Hyji i Tejetlarti dhe i Gjithëdijshmi

 

   Ja, unë po vij për së shpejti! Edhe shpërblimi im me mua (Zb 22, 12).

 

Qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, *

   zotëron krahu i tij:

ja, me të është shpagimi i tij, *

   e para tij shpërblimi i tij!

 

Si bariu e kullot grigjën e vet, *

   në dorë i merr qengjat,

ngrykë i mbart; *

   i këqyr me kujdes pëllejat.«

 

Kush me grusht e ka matur ujët e detit *

   e me pëllëmbë përmasat e qiellit?

 

Kush e mati me babune pluhurin e tokës, †

   e i peshoi me peshore malet *

   dhe me kandar kodrat?

 

Kush e drejtoi shpirtin e Hyjit? *

   Ose si këshilltar i ka dhënë këshilla?

 

Me kë u këshillua dhe e mësoi atë, *

   ia mësoi udhën e drejtësisë,

e thelloi atë në urtësi, *

   ia tregoi udhën e dijes?

 

Ja, popujt janë një pikë uji të kovës, †

   çmohen si një kokërr pluhur në peshore, *

   sa një kokërr pluhuri peshojnë ishujt.

 

Libani është i vogël për turrë të druve, *

   fli shkrumbimi s'dalin kafshët e tija.

Asgjë s'janë para Tij të gjithë popujt, *

   për asgjë e tytësi Ai i mban.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ja, po vjen Zoti me fuqi, me të është shpërblimi i tij.

 

Ant. 3 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, bini përmbys para tij.

 

   Psalmi 99 /98/ (1-9) Shenjt është Zoti, Hyji ynë

 

   Ti je përmbi kerubinj, ti që e shndërrove gjendjen e mjerueshme të botës kur u bëre si ne (Shën Atanazi).

 

Zoti mbretëron! Le të dridhen popujt! *

   Rri mbi kerubinë, le të trandet Toka!

I madh është Zoti në Sion, *

   i madhërueshëm mbi të gjithë popujt.

 

Le ta lavdërojnë Emrin tënd të madh e të tmerrshëm, *

   sepse është i shenjtë.

 

Mbreti i pushtetshëm e do të drejtën: †

   ti ke caktuar ç’është e drejtë, *

   gjyq e drejtësi ti i ushtron në Jakobin.

 

Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, †

   bini përmbys para shtrojës së këmbëve të tij, *

   sepse është i shenjtë.

 

Moisiu e Aroni ndër priftërinjtë e tij, †

   Samueli ndër ata që e thërrasin Emrin e tij: *

   e thërrisnin në ndihmë dhe Zoti i dëgjonte.

 

Nga shtylla e resë fliste me ta: †

   i dëgjonin urdhërimet e tij *

   edhe Ligjet që ua kishte dhënë.

 

O Zot, Hyji ynë, ti i dëgjoje ata, †

   O Hyj, ti me ta ishe i durueshëm, *

   edhe pse i ndëshkoje fajet e tyre.

 

Madhërojeni Zotin, Hyjin tonë, †

   adhuroni në malin e tij të shenjtë, *

   sepse i shenjtë është Zoti, Hyji ynë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lartësojeni Zotin, Hyjin tonë, bini përmbys para tij.

 

   Leximi i shkurtër Krh. 2 Kor 1, 3-5

 

   Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t'i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne. Dhe, vërtet, siç ndikohen pa masë në ne mundimet e Krishtit, po ashtu, nëpër Krishtin, edhe marrim ngushëllim pa masë të madh.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Martirët e shenjtë * jetojnë për amshim.

   Martirët e shenjtë jetojnë për amshim.

   D Shpërblimi i tyre është Zoti:

   jetojnë për amshim.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Martirët e shenjtë jetojnë për amshim.

 

   Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)

 

   Ant. Lum ju që jeni të persekutuar për të drejtën: sepse e juaja është Mbretëria e qiellit.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

   që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

   në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

   me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

   dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

   e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

   se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

   në shenjtëri e drejtësi para tij

   për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

   sepse do të shkosh përpara Zotit

   për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

   se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

   që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndritur ata që gjenden në errësirë

   dhe në hijen e vdekjes, *

   për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Lum ju që jeni të persekutuar për të drejtën: sepse e juaja është Mbretëria e qiellit.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Në bashkim me martirët e shenjtë të vrarë për shkak të Ungjillit, ta kremtojmë dhe ta thërrasim Shëlbuesin tonë, dëshmitarin besnik të Hyjit Atë:

 

   Ti na shëlbove me gjakun tënd, o Zot.

 

Për hir të martirëve të tu, të cilët e përqafuan vdekjen si dëshmi të fesë,

— na e jep lirinë e vërtetë të shpirtit.

Për hir të martirëve të tu, që e dëshmuan fenë deri në derdhjen e gjakut,

— na e jep një fe të pastër dhe të vërtetë.

Për hir të martirëve të tu, që ecën gjurmëve të tua në udhën e kryqit,

— bëj që me qëndresë t’u bëjmë ballë vështirësive të jetës.

Për hir të martirëve të tu, të cilët i lanë petkat e veta në gjakun e Qengjit,

— bëj që t’i mposhtim ngashënjimet e mishit dhe të botës.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti na gëzon me festën vjetore të të Lumit Viçenc Prenushi me shokë martirë; ndërsa përkujtojmë hyrjen e tyre në lumturi, edhe neve na jep hir ta ndjekim Krishtin në udhën e Kryqit. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.