Lavdet e mëngjesit
9 nëntor, Kushtimi i Bazilikës së Lateranit
Lavdet e mëngjesit
FTESA
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. O Kishë, Nuse e Krishtit, brohoriti Zotit tënd.
Ose:
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, sepse ai e do Kishën e vet.
Shërbesa e Leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë
Himni
Gur në këndin e themelit
qe vendosur Jezu Krishti,
që në ndërtimin e mureve
e bën lidhjen në dy krahët,
atë Sioni i shenjtë e mori,
në të qëndron besimtari.
Ai qytet i tërë i shenjtë
dhe i dashur Perëndisë,
plot me melodi ndër lavde
dhe me brohori ushtuese,
Zotin Trini e një të vetëm
i lavdëron me ngrohtësi.
Në këtë tempull, Hy i epërm,
nxitë nga lutjet tona eja,
dhe me mirësi të ëmbël
të pranosh kushtet e lutjeve;
dhe bekimin zemërgjërë
këtu derdhe pandërprerë.
Këtu të gjithë të meritojmë
të fitojmë ato që lypëm,
n’dorë të shtiem gjitha fitoret
bashkë me shenjtërit përjetë,
derisa në tru të mos ndahemi
e të hyjmë në lumni të Parrizit.
Lavdi e nderi i qoftë Zotit
shumë të lartë e anembanë,
bashkë me Atin dhe me Birin
dhe me Shpirtin Shenjtë jetëdhënës,
me lavdi e me pushtet
ndër gjithë shekujt e amshueshëm. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1. Shtëpia ime do të jetë një shtëpi lutjeje.
Psalmi 63 /62/ (2-9)
Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1. Shtëpia ime do të jetë një shtëpi lutjeje.
Ant. 2 Qofsh bekuar ti, o Zot, në tempullin e shenjtë të lavdisë sate.
Kënga Dan 3, 57-88. 56
Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).
Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin.
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.
Ant. 2 Qofsh bekuar ti, o Zot, në tempullin e shenjtë të lavdisë sate.
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin në bashkësinë e shenjtërve.
Psalmi 149 (1-9)
Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).
Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 3 Lavdërojeni Zotin në bashkësinë e shenjtërve.
Leximi i shkurtër Krh. Is 56, 7
Do t'i shpie në Malin tim të shenjtë dhe do t'i gëzoj ata në Shtëpinë e uratës sime: flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt.
Përgjigjja e shkurtër
C I madh është Zoti, * ai është i denjë për lavdi.
I madh është Zoti, ai është i denjë për lavdi.
D Në qytetin e tij, mbi malin e tij të shenjtë,
ai është i denjë për lavdi.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
I madh është Zoti, ai është i denjë për lavdi.
Kënga ungjillore (Benedictus Lk 1, 68-79)
Ant. “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!”. Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim.“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi”.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. ““Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!”. Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim.“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi”.
Lutjet e besimtarëve
Ne jemi gurë të gjallë, të ndërtuar në tempullin shpirtëror përmbi gurin e zgjedhur që është Krishti. Prandaj të lutemi së bashku:
Shenjtëroje Kishën tënde, o Zot.
Atë i shenjtë, bujk mistik, pastroje, ruaje dhe bëje të frytshëm vreshtin tënd,
— që me bekimin tënd të përhapet në mbarë botën.
Barí i amshuar, ruaje dhe shumëzoje grigjën tënde, që është Kisha,
— bëj që të gjithë popujt të bashkohen në një vathë të vetme, nën një barí të vetëm.
Mbjellës hyjnor, mbjelle fjalën e jetës së pasosur në arën tënde, që është bota,
— që kështu të prodhojë njëqind për një për të korrat e mbretërisë sate.
Ndërtues i urtë, mbaje të bashkuar shtëpinë tënde dhe shenjtëroje familjen e bashkuar në emrin tënd,
— që qyteti qiellor, Jerusalemi i ri, të shkëlqejë në sy të të gjithëve si Nuse e stolisur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Në kishën e kushtuar:
Dëgjoje, o Zot, lutjen e popullit tënd, që me gëzim e kremton ditën e kushtimit të këtij tempulli; bëj që këtu gjithherë të kryhet denjësisht shërbesa liturgjike në nder e lavd të emrit tënd, që ta ndikojë në ne hirin e shëlbimit. Nëpër Zotin.
Jashtë kishës së kushtuar:
O Hyj, ti zgjedh gurë të gjallë për të ndërtuar banesën e amshueshme të lavdisë sate, jepi me begati Kishës sate frytet e Shpirtit Shenjt, që populli yt besimtar vazhdimisht të dëftohet në Jerusalemin qiellor. Nëpër Zotin.
Ose:
O Hyj, ti deshe që bashkësia e besimtarëve të quhet Kisha jote: bëj që populli yt i bashkuar në emrin tënd të të adhurojë, të të duajë, të të ndjekë ty dhe, nën udhëheqjen tënde, t’u arrijë premtimeve të tua qiellore. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.