Lavdet e mëngjesit
10 nëntor, Shën Leoni i madh, papë dhe mësues i Kishës
Lavdet e mëngjesit
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë bariun e tejetlartë, Krishtin Zot.
Lavdet e mëngjesit
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.
Himni
Drejtues i ndritur babë dhe urtësi,
i bëjmë nderim ngadhënjimit tij të shquar,
ai dëshmitar i gëzueshëm pa mbarim
mbretëron ndër yje.
Ai që rri në selinë e lartë të Pjetrit
mësues e udhëheqës i grigjës së pamasë,
me çelsa t’Zotit hap me shumë pushtet
mbretëritë qiellore.
Tash ne të gjithë me shpirt atij t’i lypim
me përkushti të shlyejë fajet tona,
me lutje t’veta të na prijë ndër t’lartat
kulme të qiellit.
Lavdi e pushteti i qoftë vetëm Zotit,
për jetë nderimi e në lartësi lumnia
që me drejtësi sundon me ligje t’veta
mbarë rruzullimin. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 E gatshme është zemra ime për ty, për ty Hyji im.
Psalmi 108 /107/ (2-14) Lavdi Zotit dhe thirrje në ndihmë
Pasi që Biri i Hyjit u ngrit përmbi qiej, lavdia e tij shpallet në mbarë botën (Arnobi).
E gatshme është zemra ime, o Hyj, †
e gatshme është zemra ime: *
do të këndoj e do të luaj në harpë!
Ja, lavdia ime! †
Zgjohu, harpë e cetër, *
agimin dua ta zgjoj!
Do të të lavdëroj ty, o Zot, midis popujve, *
për ty do të luaj me harpë midis kombeve,
sepse e madhërueshme është deri në qiell mëshira jote, *
deri në re e vërteta jote!
Lartësohu, o Hyj, lart përmbi qiell, *
përmbi mbarë dheun le të shndritë lavdia jote!
Që të çlirohen të dashurit e tu, *
le të më shpëtojë e djathta jote e më dëgjo!
Hyji u përbetua në Shenjtëroren e vet: †
»Do të kënaqem, dua ta ndaj Sikimën, *
masën do t’ia vë luginës Sukot.
Imi është Galaadi, imi është Manaseu, †
Efraimi është përkrenarja ime, *
Juda skeptri im!
Moabi legeni ku unë lahem; †
mbi Idumé do ta hedh këpucën time, *
mbi Filisté do të këndoj fitoren.«
Kush do të më prijë deri në qytet - fortesë? *
Kush do të më prijë deri në Idumé?
Vallë, a jo ti, o Hyj, që na braktise? *
Pse a s’do të dalësh, o Hyj, me ushtritë tona?
Na ndihmo, deh, kundër armiqve *
sepse i kotë është shpëtimi që vjen prej njerëzve.
Me ndihmën e Hyjit do të bëjmë trimëri të madhe, *
Ai do t’i shkelë armiqtë tanë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E gatshme është zemra ime për ty, për ty Hyji im.
Ant. 2 Si me mbulesë më mbështolle me shëlbim e me drejtësi.
Kënga Is 61, 10 - 62, 5 Gëzimi i profetit për Jerusalemin e ri
Pashë Jerusalemin e ri: i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet (Zb 21, 2).
Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, *
shpirti im galdon në Hyjin tim,
sepse më veshi me petkat e gëzimit, *
ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë,
porsi dhëndër të stolisur me kezë, *
porsi nuse me argjendari e stolisur.
Po, porsi toka që bën të mbijë gjelbërimi, *
porsi kopshti që bën të mbijë fara e tij,
kështu Zoti Hyj do të bëjë të mbijë drejtësia *
edhe lavdi në sy të të gjithë popujve.
Për shkak të Sionit unë nuk do të hesht, *
për shkak të Jerusalemit s'do t'i jap vetes pushim
deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, *
e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba!
Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, *
të gjithë mbretërit lavdinë tënde;
do të quhesh me një emër të ri, *
që do ta caktojë goja e Zotit.
Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, *
kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd.
Nuk do të quhesh më »E lëna«, *
toka jote më s'do të quhet »E shkretuar«,
por do të quhesh »Kënaqësia ime« *
e toka jote »E martuara«,
sepse ti i pëlqeve Zotit *
e toka jote do të jetë e martuar.
E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, *
kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt
sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, *
kështu do të të gëzohet ty Hyji yt.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Si me mbulesë më mbështolle me shëlbim e me drejtësi.
Ant. 3 Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time.
Psalmi 146 /145/ (1-10) Lum ai që shpreson në Zotin
Shkoni e tregoni Gjonit çfarë po dëgjoni e çfarë po shihni: Të verbrit po shohin, të shqepëtit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhëtit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli (Mt 11, 4-5).
Lavdëroje, shpirti im, Zotin! †
Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time, *
derisa të jem, Hyjit tim do t’i këndoj.
Mos e vini shpresën tuaj në princa, *
në njeri që s’është i zoti të të shpëtojë.
Njeriu jep shpirt e kthehet në dheun e vet, *
brenda një dite humbasin synimet e tij.
I lumi ai që e ka ndihmën e Hyjit të Jakobit, *
që e ka shpresën në Zotin, Hyjin e vet,
i cili krijoi qiellin e Tokën, *
detin e gjithçka është në ta,
që e mban besnikërinë për amshim, †
që u jep të drejtën të nëpërkëmburve, *
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit, *
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit, *
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët, †
u ndihmon bonjakëve e të vejave, *
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë, †
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do ta lavdëroj Zotin gjithë jetën time.
Leximi i shkurtër Krh. Heb 13, 7-9a
Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre! Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim. Mos lejoni të gënjeheni me mësime të ndryshme të huaja!
Përgjigjja e shkurtër
C I vure si roje, * që të kujdesen për Kishën tënde.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
D Natë e ditë e shpallin emrin tënd,
që të kujdesen për Kishën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
I vure si roje, që të kujdesen për Kishën tënde.
Ant. I përforcuar me fjalën e Krishtit, Pjetri rri me vendosmëri në udhëheqjen e Kishës.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. I përforcuar me fjalën e Krishtit, Pjetri rri me vendosmëri në udhëheqjen e Kishës.
Lutjet e besimtarëve
Krishtit, bariut të mirë, që e dha jetën për delet e veta, t’ia lartësojmë plot me shpresë lutjen tonë:
Udhëhiqe, o Zot, popullin tënd në kullotat e jetës së pasosur.
O Krisht, ti që në bariun e shenjtë, në shën Leonin e Madh na e dhe një shëmbëllesë të gjallë të dashurisë sate të mëshirshme,
— bëj që në ata që na udhëheqin ta provojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate.
Ti, që në zëvendësit e tu e vazhdon misionin tënd si mësues dhe barí,
— na udhëheq gjithmonë nëpërmjet mbarështuesve të tu.
Ti, që në barinjtë e shenjtë, të vërë në shërbim të popullit tënd, u bëre mjek i shpirtrave dhe i trupave,
— bëj që mos të na mungojë kurrë prania jote nëpërmjet mbarështuesve të shenjtë dhe shenjtërues.
Ti që besimtarët i nxite me urtinë dhe dashurinë e shenjtërve të tu,
— bëj që predikuesit e Ungjillit të na ndihmojnë të të njohim dhe të të duam sikurse dëshiron ti.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
O Hyj, ti nuk lejon që fuqitë e së keqes të mbizotërojnë mbi Kishën tënde të themeluar mbi shkëmbin e pathyeshëm apostolik: bëj që, me ndërmjetësinë e shën Leonit papë, të qëndrojë palëkundshmërisht në të vërtetën tënde e ta gëzojë vazhdimisht paqen. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.