Lavdet e mëngjesit

11 nëntor, Shën Martini nga Toursi, ipeshkëv

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Lavdet e mëngjesit

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Në përkujtimin e shën Martinit ta lavdërojmë Zotin Hyjin tonë.

 

11 nëntor, Shën Martini nga Toursi, ipeshkëv

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      Po ai dëshmitar i shuguruar i Zotit,

      kremtjet e t’cilit n’botë i feston populli,

      sot i gëzueshëm meritoi të ngjitet

      në fshehtësitë e qiellit.

 

      Që i drejtë, i urtë, i pastër, i përvuajtur,

      qe i përkorë, i ndershëm dhe i paqët,

      ndërsa kur ishte n’jetë i gjallëroi gjymtyrët

      e trupit t’vet.

 

      Te varri i tij i shenjtëruar dendur

      për t’gjetë shërim gjymtyrët e të dergjurve

      nga çfarëdo smurje t’ishin të rënduar,

      në vig i shpinin.

 

      Prandaj tani kori i ynë në nderin

      e atij, këndon këtë himn me gjithë dëshirë,

      që nga meritat e atij të drejta

      në çdo kohë të ndihmohemi.

 

      Shpëtimi i qoftë Atij, lavdi e virtyti,

      që rri në majën më të lartë të qiellit,

      drejton makinën e tërë rruzullimit

      Një në tre Vetë. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Martin, meshtar i Hyjit, për ty hapen qiejtë, mbretëria e Atit tim.

 

      Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin

 

      Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).

 

O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *

      Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron mishi im, *

      si toka e shkretë, e thatë, e paujë,

 

kështu erdha në Shenjtëroren tënde *

      për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *

      buzët e mia do të të lavdërojnë.

 

Kështu do të të bekoj në jetën time *

      e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *

      me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

 

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *

      në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime, *

      prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!

 

Shpirti im u mbështet në ty, *

      e djathta jote më merr për dore.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 Martin, meshtar i Hyjit, për ty hapen qiejtë, mbretëria e Atit tim.

 

Ant. 2 Me sy dhe me duar gjithmonë të drejtuar kah qielli, i palodhshëm i kushtohej lutjes, aleluja.

 

Kënga Dan 3, 57-88. 56 Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin

 

      Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).

 

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *

      lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!

Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *

      bekojeni, o qiej, Zotin.

 

Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *

      të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.

Diell e hënë, bekojeni Zotin, *

      yjet e qiellit, bekojeni Zotin.

 

Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *

      të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.

Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *

      acar e vapë, bekojeni Zotin.

 

Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *

      akull e cegëm, bekojeni Zotin.

Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *

      netë e ditë, bekojeni Zotin.

 

Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *

      vetëtima e re, bekojeni Zotin.

Toka e bekoftë Zotin, *

      lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *

      bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.

Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *

      bekojeni, burime, Zotin.

 

Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,

      bekojeni Zotin, *

      të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.

Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *

      bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.

 

Bekoje, o Izrael, Zotin, *

      lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *

      shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.

 

Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *

      shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.

Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *

      lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!

 

Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *

      ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj

I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *

      i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!

 

      Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.

 

Ant. 2 Me sy dhe me duar gjithmonë të drejtuar kah qielli, i palodhshëm i kushtohej lutjes, aleluja.

 

Ant. 3 Martini u pranua me gëzim në prehrin e Abrahamit; i përvuajtur dhe i varfër në tokë hyn i pasur në qiell, aleluja.

 

Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit

 

      Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).

 

Këndoni Zotit një këngë të re, *

      këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!

Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *

      bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!

 

Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *

      le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,

sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *

      të përvujtët i nderon me shëlbim.

 

Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *

      le të brohorasin nga shtrojat e veta!

E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *

      e shpatën dytehëshe në dorë!

 

Për të marrë shpagim mbi paganë, *

      për t’u dhënë popujve ndëshkim,

për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *

      princat e tyre në zinxhirë të hekurt,

 

për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *

      - ky është nder për të gjithë besnikët e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Martini u pranua me gëzim në prehrin e Abrahamit; i përvuajtur dhe i varfër në tokë hyn i pasur në qiell, aleluja.

 

      Leximi i shkurtër Heb 13, 7-8

 

      Mos i harroni eprorët tuaj, të cilët e shpallën fjalën e Hyjit: vëreni mbarimin e jetës së tyre e ndiqni fenë e tyre! Jezu Krishti është i njëjtë dje e sot dhe do të jetë për amshim.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C I vure si rojtarë, * që të kujdesen për Kishën tënde.

      I vure si rojtarë, që të kujdesen mbi Kishën tënde.

      D Natë e ditë e shpallin emrin tënd,

      që të kujdesen për Kishën tënde.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      I vure si rojtarë, që të kujdesen për Kishën tënde.

 

      Kënga ungjillore (Benedictus    Lk 1, 68-79)

 

      Ant. I lumi ti Martin! Shpirti yt është në qiell. Gëzohen engjëjt dhe kryeengjëjt; shenjtërit brohorisin e Virgjrat këndojnë: Rri me ne përgjithmonë.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

      që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

      në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

      me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

      dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

      e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

      se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

      në shenjtëri e drejtësi para tij

      për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

      sepse do të shkosh përpara Zotit

      për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

      se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

      që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

      dhe në hijen e vdekjes, *

      për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. I lumi ti Martin! Shpirti yt është në qiell. Gëzohen engjëjt dhe kryeengjëjt; shenjtërit brohorisin e Virgjrat këndojnë: Rri me ne përgjithmonë.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Krishtit, bariut të mirë, që e dha jetën për delet e veta, t’ia lartësojmë plot me shpresë lutjen tonë:

 

      Udhëhiqe, o Zot, popullin tënd në kullotat e jetës së pasosur.

 

O Krisht, ti që në shën Martinin na e dhe një shëmbëllesë të gjallë të dashurisë sate të mëshirshme,

—    bëj që në ata që na udhëheqin ta provojmë ëmbëlsinë e dashurisë sate.

Ti, që në zëvendësit e tu e vazhdon misionin tënd si mësues dhe barí,

—    na udhëheq gjithmonë nëpërmjet mbarështuesve të tu.

Ti, që në barinjtë e shenjtë, të vërë në shërbim të popullit tënd, u bëre mjek i shpirtrave dhe i trupave,

—    bëj që mos të na mungojë kurrë prania jote nëpërmjet mbarështuesve të shenjtë dhe shenjtërues.

Ti që besimtarët i nxite me urtinë dhe dashurinë e shën Martinit,

—    bëj që predikuesit e Ungjillit të na ndihmojnë të të njohim dhe të të duam sikurse dëshiron ti.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti bëre që të ndriçojë lavdia jote si në jetë ashtu në vdekje të shën Martinit ipeshkëv: ripërtëriti në ne mrekullitë e hirit tënd, që të mos na ndajë prej dashurisë sate as jeta as vdekja. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.