Lavdet e mëngjesit

21 nëntor, Kushtimi i shën Marisë Virgjër

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.

Ose:

Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.

 

Lavdet e mëngjesit

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Lavdet fillojnë me Ftesë.

 

      Himni

 

      Mari, virgjër mbretnore,

      nuse dhe bijë e mbretit,

      ty dituria e Hyjit

      të zgjodhi para shekujve.

 

      Vashëz e dlirë pa njollë,

      shtëpi e fildishtë e Hyjit,

      ty të njoftoi prej qiellit

      Shpirti nga ai dërguar.

 

      Shenjë e fortë dashurie,

      pasqyrë e tërë mirësisë,

      agim drite s’vërtetë,

      arkë e farës hyjnore.

 

      N’shtëpinë e princit t’epër

      je plot me kënaqësi;

      degëz me lule t’Jesses,

      me hir t’Hyjit je e mbushur.

 

      O margeritë e bardhë

      dhe yll plot dritë i botës,

      bëj t’kemi doke t’pastra,

      tempuj t’vërtetë të Shpirtit.

 

      Trinisë i qoftë lavdia,

      o Virgjër tërë fisnike,

      që ty jep thesar t’lartë

      të dhuntive të veta. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sytë e mi zgjohen para rojës së natës për të përsiatur fjalët e tua, o Zot.

 

   Psalmi 119 /118/ XIX (145-152) Premtimi për mbajtjen e ligjit të Zotit

 

   Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t'i zbatojmë urdhërimet e tija (1 Gjn 5, 3).

 

Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *

   dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.

Klitha drejt teje, më shpëto, *

   që t’i ruaj dëshmitë e tua.

 

Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *

   shpresoj në fjalën tënde.

Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *

   për të përsiatur fjalët e tua.

 

Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *

   e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.

U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *

   janë larg nga Ligji yt.

 

Por ti, o Zot, je afër, *

   besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.

Që moti di për urdhërimet e tua, *

   se i themelove për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sytë e mi zgjohen para rojës së natës për të përsiatur fjalët e tua, o Zot.

 

Ant. 2 Zoti është forca dhe fuqia ime, ai më shpëtoi.

 

   Kënga Dal 15, 1-4a. 8-13. 17-18 Himn fitoreje për kalimin e Detit të Kuq

 

   Ata që e mundën Egërsirën këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Hyjit (Krh. Zb 15, 3).

 

Le t'i këndojmë Zotit, †

   sepse mrekullisht ngadhënjeu: *

   kalë e kalorës plandosi në fund të detit!

 

Zoti është forca dhe fuqia ime, *

   Ai, veç Ai, më shpëtoi!

Ai është Hyji im, Atë lavdëroj! *

   Është Hyji i atit tim: Atë e lartësoj!

 

Zotin askush s'e mund, *

   Jahve emrin e ka!

Qerre e ushtri të faraonit *

   në det i plandosi!

 

Me frymën e felgrimit tënd ujërat u bashkuan: †

   pendë u bënë valët shkumuese, *

   thellësitë u ngurrën në fundin e detit!

 

Thoshte armiku: *

   »I sulem pas, do ta zë; do ta ndaj prenë;

shpirti do të më ngopet *,

   do të vringëlloj shpatën, dora ime do t'i vrasë!«

 

I fryve detit e deti i mbuloi! *

   U zhdukën si plumbi në ujërat e përfrigueshme!

 

Kush është si Ti ndër zota, o Zot!? *

   Kush është si Ti, i madhërueshëm në shenjtëri,

i tmerrshëm dhe i lavdishëm, *

   që bën mrekulli!?

 

Ti shtrive dorën, *

   toka i përpiu!

Hiri yt e përcolli këtë popull

   që Ti e shpërbleve; *

   i prin me fuqinë tënde

   në banesën tënde të shenjtë.

 

Do ta shtiesh dhe do ta mbjellësh *

   në malin e trashëgimit tënd,

në banesën tënde të përhershme,

   që ti vetë e përgatite, o Zot, *

   shenjtërore, o Zot, me duar të tua të përftuar!

 

Zoti do të sundojë *

   përgjithmonë e mot të jetës!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti është forca dhe fuqia ime, ai më shpëtoi.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha. †

 

   Psalmi 117 /116/ (1-2) Grishje për ta lavdëruar Zotin për dashurinë e tij

 

   Këtë unë e them: Paganët e lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij (Krh. Rom 15, 8. 9).

 

Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *

† madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!

 

Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *

   besnikëria e Zotit qëndron për amshim!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha.

 

      Leximi i shkurtër Krh. Is 61, 10

 

      Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit, ai më mbuloi me leshnik të drejtësisë, porsi dhëndër të stolisur me kezë, porsi nuse me argjendari e stolisur.

 

      Përgjigjja e shkurtër

 

      C Zoti të zgjodhi * dhe të parapëlqeu.

      Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.

      D Në tendën e vet të bëri të banosh,

      dhe të parapëlqeu.

      Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

      Zoti të zgjodhi dhe të parapëlqeu.

 

      Kënga ungjillore (Benedictus    Lk 1, 68-79)

 

      Ant. E lumja ti që besove, o Mari! Në ty përmbushet fjala e Zotit, aleluja.

 

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *

      që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

 

Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *

      në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

 

sikurse premtoi kaherë *

      me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

 

se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *

      dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

 

se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *

      e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

 

e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *

      se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,

 

të çliruar nga duart e armikut *

      në shenjtëri e drejtësi para tij

      për çdo ditë të jetës sonë.

 

E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *

      sepse do të shkosh përpara Zotit

      për t'ia përgatitur udhët,

 

për ta vënë në dijeni popullin e tij *

      se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,

 

në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *

      që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

 

për të shndërritur ata që gjenden në errësirë

      dhe në hijen e vdekjes, *

      për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

      Ant. E lumja ti që besove, o Mari! Në ty përmbushet fjala e Zotit, aleluja.

 

      Lutjet e besimtarëve

 

Ta lëvdojmë Shëlbuesin tonë, i cili u denjua të lindë prej Virgjërës Mari, dhe t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

      Për Marinë, hirplote, dëgjoje lutjen tonë.

 

Fjalë e Amshuar, Marinë e zgjodhe që të jetë arka e pashkatërrueshme e pranisë sate në mesin tonë

—    lirona nga shkatërrueshmëria dhe njollosja e mëkatit.

Shëlbuesi ynë, që Marinë Virgjër e bëre tempull të denjë të Shpirti Shenjt,

—    na bëj edhe ne tempull të gjallë të Shpirtit tënd.

Mbret i mbretërve, deshe që nëna jote, të ngjitet në qiell me trup dhe shpirt

—    drejtoji edhe dëshirat tona kah Jerusalemi qiellor.

Zotërues i qiellit dhe i tokës, Marinë e caktove si mbretëreshë në të djathtën tënde

—    na bëj edhe ne pjesëmarrës në trashëgimin e shenjtërve.

 

      Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

      Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

      Lutja

 

      Na shiko me mirësi, o Zot, ne që po e kremtojmë përkujtimin e shën Marisë Virgjër dhe bëj që të kemi pjesë në plotësinë e hirit tënd. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.