Lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd!
27 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT -Mt 5, 20-26
Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.” “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit. Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde! Rregullohu shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”
Siç e dëgjuam Ungjilli i sotëm fillon me fjalët e Jezusit: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. Drejtësia më e madhe, për të cilën flet Jezusi është: drejtësi që di të falë; drejtësia që kujdeset për të varfrin dhe për nevojtarin; drejtësia që nuk lind nga detyrimi, por nga dashuria; drejtësia që nuk kënaqet vetëm me faktin se nuk bën keq, por, e shtyrë nga dashuria, zgjedh të bëjë mirë. Kuptohet pra të dashur dëgjues, se drejtësi më e madhe nuk do të thotë më shumë rregulla, por më shumë dashuri; jo më shumë gjykim, por më shumë mëshirë. Skribet dhe Farisenjtë ishin korrektë në zbatimin e rregullave, por Mbretëria e qiellit nuk hapet me çelësin e rregullave. Ajo hapet me zemrën që lejon Zotin ta prekë, dhe ta ndryshojë. Vazhdon Jezusi duke thënë:
Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit. Jezusi sigurisht, nuk e barazon zemërimin me vrasjen, por na tregon se të dyja kanë të njëjtën rrënjë, sepse vrasja fillon në: zemërim, me përçmim, me fyerje, dhe në mbyllje ndaj tjetrit. Mëkati nuk fillon te dora që vret, por nga zemra që mban zemërim. Shën Bazili e sheh zemërimin si: “helmi që e pi vetë njeriu, duke shpresuar se do të vdesë tjetri.”
Kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit. Fjala “budalla” (në greqisht raka) është fyerje që mohon dinjitetin e tjetrit. Është trajtim i tjetrit si njeri i pa vlerë. Është përçmim dhe poshtërim i tjetrit. Çdo njëri që e trajton të afërmin në këtë mënyrë do të japë llogari para Zotit.
Kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit. Fjala “i marrë” (moros) nuk do të thotë vetëm “i trashë”, por: njeri i lig, njeri i prishur shpirtërisht, njeri i ndarë nga Zoti. Këtu personi është duke gjyku shpirtin e vëllait, gjë që i përket vetëm Hyjit. Duke i thënë: “budalla” e poshtëron vëllain dhe duke i thënë “i marrë” e dënon shpirtin e tij. Këtu njeriu merr rolin e gjykatësit në vend të Hyjit.
Gjithashtu Jezusi sot nuk flet për lutje të bukura, as për sakrifica të mëdha, por për diçka që prek jetën tonë të përditshme: pajtimin. Nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde! Altari përfaqëson marrëdhënien me Hyjin, por kjo marrëdhënie është e rreme nëse është e prishur marrëdhënia me tjetrin. Së pari është pajtimi, pastaj vjen lutja.
Kujdes! Altari nuk është një vend arratisjeje nga konfliktet tona, por një pasqyrë e jetës sonë. Nuk ka lutje pa falje, nuk ka marrëdhënie me Hyjin pa pajtim me vëllain. Ai nuk thotë “nëse ti ke diçka kundër vëllait”, por “nëse vëllai yt ka diçka kundër teje”. Ne shpesh mendojmë: “Unë nuk kam asgjë kundër askujt.” Por Jezusi e kthen pyetjen ndryshe: “A ka dikush diçka kundër teje?” Pra përgjegjësia është e jotja, edhe kur mendon se je i drejtë, edhe kur mendon se fajin e ka tjetri. Kështu Ungjilli i sotëm na vetëdijeson se nuk mund ta duash Zotin dhe të injorosh plagën që i ke shkaktuar tjetrit. Pajtimi nuk është dobësi. Është zgjedhja për të mos e lejuar të keqen të ketë fjalën e fundit. Madje Jezusi na flet edhe për urgjencën e pajtimit: “Rregullohu shpejt, sa të jesh ende në udhëtim. “Rrugëtimi” është jeta e tanishme. Sot është koha për pajtim. Sot është koha e mëshirës, sot është koha për të falur dhe për të kërkuar falje. Në fund, Jezusi na paralajmëron edhe për pasojat e mospajtimit. Sigurisht Hyji është i mëshirshëm, por është edhe i drejtë.
Atëherë le t’i afrohemi altarit me zemër të pastër, të pajtuar me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Vetëm kështu dhurata jonë bëhet e pranueshme dhe lutja jonë e vërtetë.
O Atë, Ti që na pajtove me Veten nëpërmjet Jezusit, na jep hirin të pajtohemi edhe ne me njëri-tjetrin. Hiqe nga zemra jonë krenarinë dhe zemërimin, dhe na mbush me dashurinë që vjen nga Kryqi. Amen!